OpEd

Të vërtetat dhe teoritë konspirative mbi Gjykatën Speciale

Çdo debat për raportin e Dick Marty-it në Kosovë dhe Shqipëri duhet të përfshijë edhe debatin për raportin pasues të prokurorit amerikan Clint Williamson, i cili është relevant dhe vendimtar për themelimin e Gjykatës Speciale, ngase mandati i Williamsonit ka qenë të dëshmojë nëse akuzat e ngritura nga Marty mjaftojnë për krijimin e një Gjykate Speciale. Williamson e ka pohuar këtë përmes raportit të tij - madje me gjuhë brutalisht të ngjashme si Dick Marty. Një kronologji me fakte.

Raporti i shkruar nga Dick Marty mbi dhunën ndaj pakicave në Kosovë nga protagonistë të UÇK-së nuk ka qenë raport relevant për trajtim juridik, sepse nuk është shkruar për një institucion juridik, por politik si Këshilli i Europës. Raporti i Dick Marty-it është bërë relevant për drejtësinë vetëm pasi në pjesën më të madhe është konfirmuar nga hetimet që i ka zhvilluar prokurori amerikan Clint Williamson. Pra, pa emërimin e Williamsonit në postin e kryeprokurorit hetues (Chief Prosecutor of the EU Special Investigative Task Force), raporti i Dick Marty-it do të ishte pluhrosur në sirtarët e Këshillit të Europës. Kjo është e vërteta.

Raporti i Williamsonit i ka krijuar rrethanat për themelimin e Gjykatës Speciale dhe ngritjen e aktakuzave. Williamson ka qenë aktiv gjatë kohës kur president i SHBA-ve ka qenë Barack Obama dhe nënpresident Joe Biden. Sa i përket «tregtisë me organe»: akuza e Dick Marty-it është brutale, senzacionaliste dhe e bazuar më shumë në thashetheme se sa në fakte relevante për gjykatë. Por, e vërteta tjetër po aq brutale është se Clint Williamson argumenton si Dick Marty. Duhet vetëm të lexohet raporti i Williamsonit i datës 29 korrik 2014. Williamson shkruan se ka «indikacione bindëse» se ka ekzistuar praktika e «tregtisë me organe (...) në një shkallë shumë të limituar». (Në anglisht: «There are compelling indications that this practice did occur on a very limited scale and that a small number of individuals were killed for the purpose of extracting and trafficking their organs»).

Por Williamson thotë se të gjeturat nuk janë të atij niveli që mund të përdoren në gjykatë. Edhe kjo qasje e tij duket e papërgjegjshme, sepse nëse nuk ka dëshmi relevante për gjykatë, përse atëherë të përmendet «tregtia me organe» në raport? Williamson arsyetohet se hetimet për këtë vazhdojnë.

Pra, çdo debat për raportin e Dick Marty-it në Kosovë dhe Shqipëri duhet të përfshijë edhe debatin për raportin pasues të Clint Williamsonit, i cili është relevant për themelimin e Gjykatës Speciale, ngase mandati i Williamsonit ka qenë të dëshmojë nëse akuzat e ngritura nga Marty mjaftojnë për krijimin e Gjykatës Speciale. Williamson e ka pohuar këtë përmes raportit të tij.

Në debatet ndërshqiptare po ashtu nuk duhet të injorohet fakti se klasa politike e Prishtinës, pra ajo që qeveriste më 2010, kur doli raporti i Dick Marty, ka qenë krejtësisht e hutuar, naive, e papërgatitur për t'u ballafaquar akuzat e rënda. Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi menjëherë ishte treguar i hapur për hetim ndërkombëtar. Kryetari i parlamentit dhe ushtrues detyre i kryetarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte deklaruar se me këtë çështje duhet të merret bashkësia ndërkombëtare, sepse Kosova, sipas tij, nuk ka kapacitet t'i mbrojë dëshmitarët. Këto deklarata kanë qenë naive, kapitulluese dhe ia kanë dorëzuar këtë çështje bashkësisë ndërkombëtare. E qartë është se presioni perëndimor ka qenë i madh, por politikanët kosovarë kanë mundur të rezistojnë, të kërkojnë që Gjykata Speciale të ketë selinë në Kosovë, eventualisht të ketë edhe personel kosovar. Tentimet e mëvonshme për ta shpërbërë Gjykatën Speciale, pas themelimit, i ngjajnë sjelljeve infantile në stilin «kuku, çka paskemi bë». Madje, siç dihet, ata që e kanë kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale, janë përshkruar si armiq të Kosovës nga ana e politikanëve të pushtetit të asaj kohe.

Roli i rusëve në krejt këtë çështje gjithsesi është antikosovar dhe në shërbim të propagandës së Beogradit. Por më 2008 mocionin e politikanit rus Konstantin Kosaçev e kanë përkrahur edhe 16 delegatë nga vende të tjera (mes tyre nga Holanda, Finlanda, Belgjika, Zvicra, Britania e Madhe, Suedia, Portugalia, Polonia, Hungaria, Qipro, Ukraina, Azerbejxhani). Vetëkuptohet që për këtë mocion ka votuar edhe një delegat serb dhe një rus.

Pas publikimit të raportit të Dick Marty-it, Këshilli i Europës e miratoi atë përmes një rezolute (janar 2011). Për këtë rezolutë votuan 169 delegatë, 8 kanë qenë kundër, 14 kanë abstenuar. Sa i përket Shqipërisë: dy delegatë shqiptarë kanë votuar kundër rezolutës së Këshillit të Europës, një ka votuar në favor të saj. Një delegate shqiptare nga Maqedonia ka abstenuar. Kaq sa i përket unitetit të klasës politike shqiptare në lidhje me këtë çështje tejet delikate. Kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë Sali Berisha në një fjalim plot zjarr e pa substancë në parlamentin e Shqipërisë kishte thënë se kur të parët e Dick Marty-it kanë ecur nëpër degë lisash, kombi shqiptar ka qenë i civilizuar. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi kishte paralajmëruar padi ndaj Dick Marty-it dhe e kishte krahasuar me Joseph Goebbelsin, shefin e propagandës të Adolf Hitlerit. Tani Partia Socialiste e Edi Ramës po paralajmëron një rezolutë të parlamentit shqiptar kundër Gjykatës Speciale. Gjasat janë që kjo rezolutë të jetë po aq e suksesshme sa fjalimet patetike të Sali Berishës para një dekade në lidhje me këtë çështje.

Paradat e tilla për konsum të brendshëm nuk mund ta zhbëjnë faktin se në 20 vitet e fundit politikanët vendimmarrës në Prishtinë dhe në Tiranë nuk kanë qenë fare të vetëdijshëm mbi rreziqet që mund të kanosen nga politika dhe drejtësia ndërkombëtare. Rreziku do të ishte minimizuar nëse do të ishin lexuar raportet e organizatave relevante ndërkombëtare, ku tematizoheshin edhe gabimet (thënë më së buti) të palës kryengritëse kosovare.

Qëndrimi armiqësor rus dhe serb ndaj Kosovës dihet, por çështje më relevante në këtë rast është kjo: si ndodhi që shtetet që e çliruan Kosovën vendosën të themelojnë Gjykatë Speciale për shtetas kosovarë të dyshuar për krime të luftës? Pse aleatët e Kosovës nuk i besuan Kosovës se mund të trajtojë juridikisht rastet potenciale të krimeve të luftës? A mund të jetë arsyeja te frikësimi i dëshmitarëve? Edhe për këtë ka mjaft raporte kredibile ndërkombëtare. Por tani me gjasë me e rëndësishme është krekosja patriotike se sa përballja me gabimet e së kaluarës të klasës politike kosovare. Krekosja patriotike nuk kushton asgjë.

Përtej të kaluarës, tani Gjykata Speciale duhet të ballafaqohet me kritika - për mospunë, mungesë transparence, zvarritje të procedurave. Çdo i akuzuar duhet të ketë rastin të përballet me akuzat e ngritura brenda një kohe të arsyeshme. Përndryshe gjykata rrezikon të shndërrohet në instrument jojuridik për hesape politike.