OpEd

BE-ja dhe NATO-ja më në fund kuptojnë edhe rrezikun nga ekstremizmi krishtero-ortodoks, pansllavik në Ballkan

Ajo që është risi tash në qasjen e BE-së është se, përveç radikalizmit dhe ekstremizmit islamik, si rrezik është identifikuar edhe ekstremizmi i dhunshëm i djathtë, pansllavik dhe krishtero- ortodoks. Këtë ekstremizëm, shërbimet e zbulimit të vendeve të BE-së dhe NATO-s e kishin neglizhuar deri tash. Por, pas shpërthimit të agresionit rus në Ukrainë, u morën më seriozisht me ndikimin rus në rajon dhe nuk iu desh shumë të zbulojnë se ku i ka vendosur rrënjët ndikimi i Rusisë

Tentimet që luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë t’u jepet karakter fetar kishin dështuar, edhe pse dallimet fetare u përdoren për mobilizimin e nacionalizmave. Në rastin e Kosovës dhe të Bosnjë-Hercegovinës, regjimi i Sllobodan Millosheviqit, një komunisti i cili u bashkua me çetnikët nacionalistë, tentoi të paraqesë agresionin si një “mbrojtje nga rreziku islamik”. Por në Kroaci, serbët krishtero-ortodoksë bënë krime ndaj kroatëve që ishin të krishterë, por katolikë. Propaganda serbe dështoi, sepse luftërat zgjatën aq shumë, saqë Evropa pati kohë të mjaftueshme që, sado vonë, të kuptojë të vërtetën për karakterin kriminal të rrëgjimit të Millosheviqit dhe të politikës së krijimit të Serbisë së madhe.

Tridhjetë vjet më vonë në Serbi shihen tendenca të rikthimit të qëllimeve të Millosheviqit dhe atë nga ish-bashkëpunëtorët e tij që sot janë në pushtet. Në vend të krijimit të Serbisë së madhe, për çfarë bënte thirrje publike presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalime në pjesë atëherë të okupuara të Kroacisë, sot ministri i tij Aleksandar Vulin flet për “botën serbe”, duke pranuar vetë se ajo do të nënkuptonte që “të gjithë serbët të jetonin në një shtet”.

Ndoshta për shkak të luftës në Ukrainë dhe për shkak se e kanë parë qartë rrezikun që kanoset nga politika e Rusisë, Perëndimi e ka kuptuar se më nuk mund të injorohen ekstremizmat nacionalistë dhe ekstremizmit e tjerë.

Këto ditë doli në shesh se BE-ja dhe NATO-ja e kanë kuptuar se për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet ndalur jo vetëm ekstremizmin dhe radikaIizmin islamik, por edhe atë krishtero-ortodoks pansllavik.

Javën e shkuar në një grup punues të Këshillit të BE-së për antiterrorizëm është dashur të diskutohej edhe për këtë ekstremizëm, i cili tash paraqet kërcënim serioz për sigurinë e rajonit, sidomos duke pasur parasysh lidhjet me Rusinë dhe ndikimin rus në këto lëvizje dhe grupe.

Për këtë ka shkruar edhe portali EUobserver duke u thirrur në një dokument pune të përgatitur për këtë takim.

Në BE thonë se më të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, kanë pasur një “bashkëpunim të shkëlqyer në luftë kundër radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit”. Por fokusi ka qenë në radikalizmin islamik dhe kthimin e luftëtarëve terroristë nga rajoni që u ishin bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak. Ndonëse në fillim pati disa tentime që të relativizohej fenomeni i shkuarjes së “luftëtarëve të huaj terroristë” nga rajoni, doli që, krahasuar me numrin e banorëve, një numër relativisht i madh i luftëtarëve të tillë nga Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe Maqedonia kishin shkuar në ato lufta, duke iu bashkuar formacioneve terroriste.

Por pasi nisën të merren masa, ky fenomen u ndal dhe tash shoqëritë në këto vende po përballen me riintegrimin e të kthyerve, që, po ashtu, paraqet një sfidë të madhe të sigurisë. Prandaj në BE pohojnë se “nuk ka kaluar rreziku që paraqesin radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi islamik në rajon”.

Ajo që është risi tash në qasjen e BE-së është se, përveç radikalizmit dhe ekstremizmit islamik, si rrezik është identifikuar edhe ekstremizmi i dhunshëm i djathtë, pansllavik dhe krishtero- ortodoks. Këtë ekstremizëm shërbimet e zbulimit të vendeve të BE-së dhe NATO-s e kishin neglizhuar deri tash. Por pas shpërthimit të agresionit rus në Ukrainë u morën më seriozisht me ndikimin rus në rajon dhe nuk iu desh shumë të zbulojnë se ku i ka vendosur rrënjët ndikimi i Rusisë.

Në dokumentin që kishin zbuluar disa media, e që ishte përgatitur për debat konfidencial në BE, thuhet se ekstremistët e krahut të djathtë nuk janë të pranishëm në nivelin e njëjtë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ekstremistët lokalë kanë forma të ndryshme të organizimit, nga grupet radikale të tifozëve të futbollit, mbështetës radikal të pansllavizmit të ndryshëm, nacionalistë apo lëvizje radikale.

“Është shpesh shumë vështirë të bëhet dallimi mes të djathtës dhe të majtës ekstreme në Ballkanin Perëndimor. Shumë lëvizje të ekstremit të djathtë në Ballkanin Perëndimor kanë aversion ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në anën tjetër ato kanë simpati të madhe për Federatën Ruse. Një arsye për rritjen e mosbesimit ndaj Perëndimit janë lidhjet e forta që Rusia i ka ndërtuar me popullatën krishtere ortodokse në rajon. Rusia e paraqet veten si mbrojtëse të disa kombeve të veçanta, por edhe të grupeve të krishtera ortodokse në rajon”, shkruan ky dokument.

Edhe pse në dokument nuk përmenden me emër vendet e rajonit ku ekziston rreziku dhe kërcënimi nga grupet e ekstremit të djathtë nën ndikimin e Rusisë, disa diplomatë në BE kanë thënë se më së shumti bëhet fjalë për Serbinë, entitetin Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni dhe pjesën veriore të Kosovës. Në anën tjetër “sfidë e sigurisë” konsiderohet riintegrimi i luftëtareve nga Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që u ishin bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak.

Kosova ka pasur disa mundësi të shohë rrezikun nga lëvizje të tilla, duke filluar nga i ashtuquajturi “treni rus” që u nis nga Serbia për të hyrë në Kosovë. Asgjë më mirë nuk e ilustron atë që tash e kanë identifikuar shërbimet evropiane sesa ai tren. Kishte elemente ruse, me ngjyra të flamurit të këtij shteti, elemente fetare ortodokse, sepse ai tren dukej sikur një manastir ortodoks në lëvizje. Para luftës në Ukrainë, Serbia kishte afruar njësitë ushtarake pranë kufirit me Kosovën dhe ato vizitoheshin nga ushtarakët rusë.

Në anën tjetër “motoristë” nga Rusia, e që ishin pjesëtarë të lëvizjeve radikale, kishin ardhur në Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Elemente kishtare ortodokse serbe kishin bashkëpunuar me strukturat politike për të krijuar trazira në Mal të Zi. Disa qarqe në BE besojnë se Rusia akoma tenton të “prishë punë” në rajon, përfshirë edhe për të mbajtur disa shtete larg NATO-s dhe BE-së.

Ajo që duket ndoshta edhe paradoks është se popullata shumicë myslimane në rajonin e Ballkanit Perëndimor është shumë më proevropiane sesa popullata e krishterë. Besimtarët myslimanë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnjë-Hercegovinë, që përbëjnë shumicën në këto vende, mbështesin fuqishëm BE-në dhe NATO-n. Ndërsa popullata krishtere-ortodokse është më shumë e orientuar drejt Lindjes, qoftë ajo drejt Rusisë e Kinës, apo Iranit.

Por vetëdijesimi i BE-së dhe NATO-s se rreziku nga ekstremizmit dhe radikalizmi në rajonin e Ballkanit nuk mund të kufizohet vetëm në atë islamik, është një rast që këto organizata të bëjnë më shumë që vërtet të ruhet siguria dhe stabiliteti i rajonit. Së paku tash është kuptuar se e dinë nga vjen rreziku dhe nuk mund të bëhen se nuk ishin të vetëdijshëm.