Vështrime

Urgjenca e re për çarmatim bërthamor

TPNW-ja nuk është zgjidhje e shpejtë. Por mund të krijojë presion ndërkombëtar dhe të ndihmojë për ta kthyer botën në rrugën e duhur drejt çarmatimit bërthamor. Duke pasur parasysh kërcënimin themelor për njerëzimin, nuk mund të jemi të kënaqur me status quo-në për çarmatimin bërthamor. Austria dhe Zelanda e Re do të vazhdojnë të kryesojnë në këto përpjekje. Në interes të njerëzimit, ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë partnerët e gatshëm shtetërorë dhe të shoqërisë civile për ta hequr shpatën bërthamore të Damokleut që është varur mbi të gjitha kokat tona

Austria dhe Zelanda e Re mund të jenë shumë larg gjeografikisht, ama ne jemi të lidhur me vlera dhe parime të përbashkëta. Veçanërisht i rëndësishëm sot është kundërshtimi ynë i gjatë ndaj armëve bërthamore dhe shqetësimi ynë i përbashkët për mungesën e përparimit në çarmatimin bërthamor.

Teksa kërcënimi i armëve bërthamore nuk u zhduk kurrë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shkurtimet e mëdha të rezervave bërthamore në fillim të viteve 1990 përfaqësonin përparim. Porse tendenca drejt çarmatimit ngeci. Tri dekada më vonë, nëntë shtete të armatosura bërthamore posedojnë rreth 13 mijë koka bërthamore dhe larg nga heqja graduale e arsenaleve të tyre, këto shtete po i modernizojnë dhe i zgjerojnë ato. Rreziqet e përshkallëzimit bërthamor, llogaritjet e gabuara dhe aksidentet janë në rritje, edhe pse ne i kuptojmë më mirë se kurrë pasojat katastrofike që do të pasonin nga përdorimi i armëve bërthamore.