OpEd

Si mund t’i kundërpërgjigjet SHBA-ja ndikimit kinez në Lindjen e Mesme?

Angazhimi ekonomik mbetet mjeti më efektiv i Kinës për zgjerimin e ndikimit të saj gjeopolitik. Në vitin 2020, tregtia e mallrave midis Kinës dhe Lindjes së Mesme arriti në 272 miliardë dollarë

Kur presidenti amerikan Joe Biden do ta vizitojë Lindjen e Mesme muajin që vjen, nikoqirët e tij – në veçanti, Arabia Saudite – me shumë gjasë do të tentojnë ta bindin që të riangazhohet për rajonin. Larg nga mundësia që Shtetet e Bashkuara të përqendrohen në forcimin e pozitës në garën me fuqitë e mëdha si Kinën dhe Rusinë, vendet nikoqire mund të argumentojnë se mospërfshirja strategjike nga Lindja e Mesme i jep mundësi Kinës që të forcojë përhapjen e ndikimit të saj rajonal. Mirëpo realiteti nuk është kaq i thjeshtë.

Si prodhuese e madhe e karburanteve fosile, Lindja e Mesme është qartësisht e rëndësishme për SHBA-në. Në fakt, janë çmimet e larta të energjisë ato që e kanë detyruar Bidenin të përpiqet të rregullojë marrëdhëniet e tij me Arabinë Saudite. Deri në kohët e fundit Bideni po i shmangej princit të kurorës Mohammed bin Salman, sundimtarit de facto të vendit për shkak të rolit të tij të dyshuar në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në Turqi në tetorin e vitit 2018.

Qëndrimi i Bidenit nënvizon shtrirjen e levave të Arabisë Saudite. Dhe Mbretëria ka të ngjarë ta përdorë këtë levë për të nxitur SHBA-në të mbështesë angazhimin e saj ushtarak në Lindjen e Mesme. Paralajmërimet (të cilave Izraeli do t’u bëjë jehonë) se Kina do të lëvizë shpejt për të mbushur çdo boshllëk sigurie të lënë nga SHBA-ja, do të duket se e forcojnë më tej çështjen e saj.

Por Kina nuk ka gjasa të lërë gjurmë ushtarake në Lindjen e Mesme, jo vetëm sepse partnerët e saj kryesorë në rajon – Egjipti, Irani, Iraku, Izraeli, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – janë kundërshtarë të njëra-tjetrës. Teksa Irani dhe Arabia Saudite, për shembull, janë të gatshëm të bëjnë biznes me të njëjtët aktorë, asnjëri nuk do të mbante marrëdhënie të mira me një vend që po kultivonte marrëdhënie thelbësore sigurie me rivalin kryesor.

Hezitimi i Kinës për të çuar përpara interesat e saj të sigurisë në Lindjen e Mesme bën me dije se ajo e di mirë këtë. Edhe në rastin e Iranit, i cili mund të shërbejë si përfaqësues në rivalitetin strategjik të Kinës me SHBA-në, Kina ka shmangur hapat që mund të rrezikojnë marrëdhëniet e saj me Arabinë Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit. Për shembull, ndryshe nga Rusia, ajo është përmbajtur nga ofrimi i armëve të avancuara për Iranin.

Edhe nëse Kina do të kishte më shumë hapësirë ​​për të manovruar strategjikisht në Lindjen e Mesme, ajo mund të mos zgjerojë ndjeshëm gjurmët e saj strategjike, sepse nuk e sheh rajonin si vendimtar për sigurinë e saj. Teksa Lindja e Mesme përbën gati gjysmën e importeve të naftës të Kinës, teatri më i rëndësishëm në luftën e ftohtë SHBA-Kinë është Azia Lindore dhe Juglindore. Kina nuk dëshiron të shpenzojë burime të kufizuara në Lindjen e Mesme më shumë sesa SHBA-ja.

Në këtë sfond, Kina ka mundësi të vazhdojë të mbështetet në mjetet diplomatike dhe ekonomike për të zgjeruar ndikimin e saj në Lindjen e Mesme. E vetmja mënyrë për t’iu kundërvënë këtyre përpjekjeve, duket e qartë, është që SHBA-ja të rrisë lojën e saj diplomatike dhe ekonomike.

Kjo do të thotë, para së gjithash, braktisja e përpjekjeve për të përshtatur konkurrencën strategjike të Amerikës me Kinën dhe Rusinë si garë ideologjike midis demokracisë dhe autokracisë. Tekefundit, shumica dërrmuese e vendeve të Lindjes së Mesme janë autokraci. Gjëja e fundit që SHBA-së i nevojitet është t’i tjetërsojë me politikë të jashtme të hapur ideologjike që i mundëson Kinës ta portretizojë veten si partnere më e besueshme, mbështetëse dhe me të njëjtin mendim.

Angazhimi ekonomik mbetet mjeti më efektiv i Kinës për zgjerimin e ndikimit të saj gjeopolitik. Në vitin 2020, tregtia e mallrave midis Kinës dhe Lindjes së Mesme arriti në 272 miliardë dollarë. Megjithëse shifra të krahasueshme nuk janë të disponueshme për tregtinë e Amerikës me Lindjen e Mesme në tërësi, trajektorja e tregtisë së dy fuqive me Arabinë Saudite po zbulohet. Ndërsa qarkullimi tregtar i Amerikës me Arabinë Saudite u rrit vetëm mesatarisht midis 2000 dhe 2021 - nga 20.5 miliardë dollarë në 24.8 miliardë dollarë – Kina u rrit nga 3 miliardë dollarë në 67 miliardë dollarë.

Sa i përket teknologjisë, SHBA-ja mund t’i japë Kinës një hapje tjetër. Perëndimi ka përdorur prej kohësh sanksionet si mjet për ndëshkimin e vendeve “mashtruese”, me Iranin si shembull. Por sanksionet gjithëpërfshirëse teknologjike dhe financiare të vendosura ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë kanë shtuar frikën në vendet e Lindjes së Mesme se edhe ato mund të jenë në shënjestër.

Teksa Kina ndërton kapacitetin e saj teknologjik dhe inovativ, mund të paraqitet si burim më i besueshëm i teknologjisë dhe destinacion më i sigurt investimi. Është e qartë se asnjë vend i Lindjes së Mesme nuk i ka ndaluar rrjetet 5G të gjigantit kinez të telekomunikacionit Huawei, pavarësisht lobimit të fortë amerikan.

Ndërsa rasti për strategji të re të Lindjes së Mesme të fokusuar në angazhimin diplomatik dhe ekonomik është i fortë, çdo përpjekje e Bidenit për ta zbatuar një të tillë do të hasë në rezistencë të konsiderueshme. Miqësia e diktatorëve do të çojë në akuza për hipokrizi – gjëja e fundit që Bidenit i duhet para zgjedhjeve afatmesme, në të cilat partia e tij demokrate nuk ka gjasa të performojë mirë – dhe ndjenja proteksioniste mbetet e fortë në SHBA. Por nëse Bideni e vendos ndryshimin si pjesë e strategjisë më të madhe për të fituar luftën e re të ftohtë me Kinën, ai mund të ketë një shans.

Minxin Pei, profesor i qeverisjes në Kolegjin Claremont McKenna, është anëtar i lartë jorezident në Fondin Marshall gjerman të Shteteve të Bashkuara. Përktheu: Gent Mehmeti