OpEd

Gracka e liberalizimit të vizave

Shumë shpesh kemi rënë në grackën e ngritjes së pritjeve për liberalizimin e vizave. Përderisa janë së paku dhjetë lëvizje politike që japin shpresë për liberalizmin e vizave, nga ana tjetër janë tri dinamika politike që e rrezikojnë këtë proces

Javëve të fundit kemi vërejtur disa akte të izoluara politike, të cilat po u bashkuan në tërësinë e tyre krijojnë një pikturë inkurajuese për liberalizimin e vizave. Por para se të biem në grackën e ngritjes së pritjeve është e dobishme të bëjmë një hap mbrapa dhe të shohim cilat janë dhjetë lëvizje politike që japin shpresë për liberalizmin e vizave, tri dinamika politike që rrezikojnë këtë proces dhe dy skenarë para nesh.

***

E para, Gjermania. Gjermania në vazhdimësi ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën, sidoqoftë prej ardhjes në pushtet të Qeverisë së re gjermane kjo mbështetje është qartazi më intensive. Pas takimit me kryeministrin Kurti, kancelari Scholz tha se: “Meqenëse Gjermania prej kohësh e ka mbështetur, shpresojmë se kjo do të ndodhë në mënyrë rapide, në mënyrë shumë të shpejtë”. Ministrja e Jashtme, Baerbock, përsëriti këtë mesazh kur tha: “Për ne nuk është më në pikëpyetje dhe na duhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Për këtë jemi duke punuar me tërë forcën tonë”. Intensiteti i shtuar i vëmendjes së Qeverisë gjermane për Ballkanin dhe Kosovën reflektohet edhe në faktin së këtë javë kancelari Scholz do të qëndrojë në Prishtinë, vetëm një muaj pasi që kishte pritur kryeministrin Kurti në Berlin.

E dyta, në takimin e fundit të ministrave të jashtëm të BE-së u raportua se Kosova fitoi mbështetje të madhe për liberalizimin e vizave. Këtë e konfirmoi pas takimit edhe zyrtarisht përfaqësues i lartë i BE-së, z. Borell kur tha se “ka pasur shumë zëra për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

E treta, javën e kaluar në Kosovë zbarkoi Grupi Punues i Këshillit të BE-së për Ballkanin Perëndimor (COWEB). Ky është një nga ato trupa burokratike, por të rëndësishme në arkitekturën institucionale të BE-së. Fakti që 27 vende të BE-së e kanë konsideruar të rëndësishme dërgimin e COWEB-it në Kosovë është indikator i një vullneti të shtuar politik të BE-së për Kosovën, por edhe Ballkanin.

E katërta, korrespodenti i KOHA-s në Bruksel, z. Augustin Palokaj, në kolumnen e tij të parafundit ka shkruar se burimet diplomatike në Bruksel raportojnë për një “momentum të ri” që mund të sjellë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

E pesta, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Viola Von Cramon gjatë intervistës së saj në “INTERAKTIV” të KTV-së tha se sa i përket liberalizimit të vizave "ka goxha gjasa që pas zgjedhjeve legjislative (Franceze) në fund të qershorit, pra në gjysmën e dytë të vitit, të ketë një mundësi më në fund”.

E gjashta, ambasadori gjerman në Kosovë, z. Jörn Rohde, në intervistën e tij të fundit për Klan Kosova doli paksa jashtë nga gjuha e zakonshme diplomatike për liberalizimin e vizave. Ai tha se do të jetë ambasadori i fundit gjerman në Kosovë, i cili do të flasë për liberalizimin e vizave. Kjo ishte një deklaratë paksa ambicioze nga ana e tij. Ku e di ambasadori nëse do të ndodhë apo jo liberalizimi i vizave gjatë mandatit të tij si ambasador në Kosovë? Kjo është tërësisht jashtë kontrollit të tij. Nëse bllokues të këtij procesi janë Franca, Holanda dhe disa vende të tjera, atëherë asgjë nuk është në tagrin e ambasadorit gjerman në Kosovë. Deduktim logjik i kësaj deklarate të ambasadorit është se ambasadori di diçka që ne të tjerët nuk dimë. Pra, ai ka informacione të cilat e kanë shtyrë të japë një deklaratë pak sa më optimiste se zakonisht sa i përket liberalizimit të vizave.

E shtata, vendi më skeptik dhe më bllokues i zgjerimit dhe i procesit të liberalizimit të vizave, Franca është duke treguar shenja të konstruktivitetit dhe të hapjes. Në një nga telefonatat e saj të para pas marrjes së detyrës, ministrja e re e Punëve të Jashtme të Francës, znj. Catherine Colonna bisedoi me përfaqësuesin e lartë të BE-së për top-tri prioritetet. Prioriteti numër dy, menjëherë pas Ukrainës, ishte Ballkani Perëndimor. Kur i shtohet kësaj se tani e një kohë të gjatë asnjë zyrtar i Francës nuk ka shfaqur skepticizëm publik sa i përket liberalizimit të vizave, atëherë kemi arsye për të deduktuar se disponimi te Franca ka ndryshuar.

E teta, e gjithë kjo ndodh në sfondin e Samitit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor planifikuar për fundin e qershorit në Paris. Samiti është kulmi i Presidencës franceze të BE-së dhe prezanton një mundësi ideale për presidentin Macron për të marrë lidershipin evropian drejt stabilizimit të Ballkanit Perëndimor në sfondin e luftës në Ukrainë. Nëse Samiti shndërrohet në momentum kyç, i cili do të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do të përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, atëherë presidenti Macron do të këtë arsye që të festojë një arritje të tij personale në politikën e jashtme të BE-së.

E nënta, edhe kryeministri Kurti, edhe presidenti Vuçiq kanë paralajmëruar arritjen e marrëveshjeve të reja brenda dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Më 1 qershor kryeministri Kurti në Prishtinë tha se jemi afër arritjes së marrëveshjes për energjinë. Më 2 qershor këtë fjalor e përsëriti në Bratislavë presidenti Vuçiq. Pra është e qartë se gjasat janë të mëdha për arritjen e marrëveshjeve të reja në kuadër të dialogut. Nënshkrimi i marrëveshjeve të para për normalizimin e marrëdhënieve në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq do të ishte një kontribut shumë i rëndësishëm në avancimin e liberalizimit të vizave. Dialogu dhe vizat asnjëherë nuk kanë qenë formalisht dhe tërësisht të ndërlidhura, por sidoqoftë ato patjetër çdoherë kanë kontribuar në avancimin e dy vendeve respektive në rrugët e tyre respektive integruese.

E dhjeta, në Kongresin e Partive Popullore Evropiane u miratua Rezoluta urgjente për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo u bë falë eurodeputetit austriak, z. Lukas Mandl dhe LDK-së, dhe ishte indikator i fundit për lëvizjet e shtuara politike karshi liberalizimit të vizave.

***

Këto dhjetë lëvizje pozitive politike duhet balancuar me më së paku tri dinamika të rëndësishme politike që rrezikojnë procesin e liberalizimit të vizave.

E para, BE-ja është entitet kompleks dhe i paparashikueshëm. Kanë kaluar katër vjet prej kur menduam se ratifikimi i demarkacionit do të na sigurojë liberalizimin e vizave. Kanë kaluar katër vjet prej kur Maqedonia e Veriut mendoi se Marrëveshja e Prespës do t’i hapë negociatat e anëtarësimit me BE-në. Pra, BE-ja është një entitet i cili në veçanti viteve të fundit ka zhgënjyer edhe dishepuj më luajalë të saj. Në këtë drejtim, shikoni vetëm zhvillimet e fundit karshi Ukrainës. Pavarësisht luftës heroike të Ukrainës për të mbrojtur vlerat më themelore te BE-së, gjatë samitit të fundit të liderëve të shteteve dhe qeverive të BE-së ata nuk kanë arritur të dakordohen për ofrimin e statusit të vendit kandidat për Ukrainën. Këtë e raportoi vetë kryeministri italian Draghi kur tha pas takimit se “pothuaj të gjitha vendet e mëdha të BE-së janë kundër statusit kandidat të Ukrainës”. Pra, nëse BE-ja nuk është e gatshme t’ia japë Ukrainës një gjë kaq të thjeshtë dhe formale siç është statusi i vendit kandidat, atëherë patjetër se është tërësisht e mundshme se BE-ja nuk do të arrijë konsensusin e nevojshëm as për liberalizimin e vizave për Kosovën.

E dyta, ende nuk dimë se çfarë është qëndrimi zyrtar i Francës, Holandës dhe vendeve të tjera skeptike për liberalizimin e vizave. Qetësia e tyre nuk duhet përkthyer me automatizëm në përkrahje. Është e paqartë se deri ku janë adresuar brengat e tyre për sundimin e ligjit. Është e paqartë se a do të lejojnë ata avancimin e liberalizimit të vizave në rast të dështimit të arritjes së marrëveshjeve të reja në kuadër të dialogut me Serbinë.

E treta, vendimmarrja për Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jetë e ndërlidhur me diskutimet për statusin e vendit kandidat për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Për shkak të zhvillimeve në Ukrainë, BE-ja është duke trajtuar çdo ditë e më shumë trion Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia në mënyrë të barabartë sikur gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë sens edhe propozimi i fundit i presidentit Macron për ngritjen e komunitetit politik evropian trajton këto dy rajone evropiane si një komunitet i vetëm politik. Të dyja këto rajone tani janë pjesë e një mozaiku të politikës së jashtme të BE-së, ku vendimmarrja karshi një rajoni është e ndërlidhur me vendimmarrjen karshi rajonit tjetër. Në këtë sens, dinamikat, kushtëzimet dhe paqartësitë karshi vendimmarrjes së trios lindore do të ndikojnë edhe në vendimmarrjen karshi liberalizimit të vizave për Kosovën. E gjithë kjo e bën procesin më pak të parashikueshëm.

***

Ku pra na lë e gjithë kjo? Në gjykimin tim janë dy skenarë për liberalizimin e vizave: skenari optimist dhe realist. Por para se të shpjegoj dy skenarët, vetëm pak fjalë për procedurën para nesh. Pra, në mënyrë që Kosova të përfitojë nga liberalizimi i vizave ligjërisht duhet ndryshuar Rregullorja 2018/1806 e BE-së, e cila përcakton se cilat shtetet mund të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Për të ndryshuar rregullorja ajo duhet kaluar nëpër një proces joformal negocimi (trialogu) në mes të Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së. Pas përfundimit të procesit joformal, rregullorja duhet miratuar formalisht në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe mbledhjen e rregullt të Këshillit të Bashkimit Evropian. Historikisht shpejtësia më rekorde e konsumimit të kësaj procedure vendimmarrjeje ishte shtatë muaj në rastin e Gjeorgjisë. Pra, kjo është procedura e paevitueshme nëpër të cilën duhet të kalojë liberalizimi i vizave për Kosovën. Tani, të dy skenarët.

Në skenarin optimist, në muajin qershor Këshilli Evropian (shefat e shteteve) do ta njohë progresin e bërë për liberalizimin e vizave dhe do të udhëzojë Këshillin e BE-së (niveli i ministrave) për të marrë hapat e nevojshëm në këtë drejtim. Në këtë skenar, gjatë pjesës së dytë të këtij viti do të konsumohej procedura e lartpërmendur dhe më 1 janar 2023 qytetarët e Kosovës do të udhëtonin pa viza në zonën Shengen. Në mendimin tim ky skenar është pothuajse i pamundur dhe rrjedhimisht kjo na dërgon te skenari më realist.

Në skenar të dytë, në qershor Kosova do të fitojë zotim politik të Këshillit Evropian për liberalizimin e vizave, pas marrjes parasysh të pakos së fundit të zgjerimit, që do të publikohet nga Komisioni Evropian në tetor të këtij viti. Pra, në këtë skenar e gjithë procedura vendimmarrëse për liberalizimin e vizave do të fillojë në vjeshtën e këtij viti, pas publikimit të pakos së zgjerimit nga ana e Komisionit Evropian dhe do të përfundojë në pranverën e vitit 2023. Kësisoj, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin lirshëm në zonën Shengen nga mesi i vitit 2023.

***

Në fillim të këtij viti me fillimin e Presidencës franceze të BE-së kam shkruar për teorinë kozmologjike të liberalizimit të vizave. Me pak fjalë kam thënë se në mungesë të një ndërhyrjeje hyjnore, që do t’i ngjasonte mrekullisë së krijimit të jetës në planetin Tokë, gjasat për liberalizmin e vizave gjatë këtij viti janë pothuaj zero. Tani kur kemi arritur në gjysmën e vitit 2022 gjasat mbesin pak a shumë të njëjta. Në këtë sfond, përderisa ne nuk mund të kontrollojmë çfarë do të bëjë BE-ja dhe si do të rrjedhin gjërat përkitazi me Ukrainën, ne mund të ndihmojmë këtë proces duke krijuar një mjedis te favorshëm për liberalizimin e vizave. Ai mjedis i favorshëm kërkon nga ne dy gjëra: progres në dialogun me Serbinë dhe avancimin e sundimit të ligjit.