OpEd

Një qytet me shumë emra

Mbi Lembergun ukrainas, Joseph Rothin dhe një botë që ka perënduar

1.

Joseph Roth u lind më 1894 në Brodi, një qytet sot ukrainas afër Lembergut (ose Lvivit), edhe ky qytet ukrainas, emrin e të cilit shpesh e lexojmë në lajme prejse Rusia e diktatorit Vlladimir Putin më 24 shkurt nisi sulmet barbare kundër Ukrainës. Roth është njëri prej autorëve më të rëndësishëm të gjuhës gjermane të shekullit 20. Në romanet e tij si “Marshi i Radeckit”, Roth shkroi me nostalgji mbi Perandorinë Austro-Hungareze. Roth bëri emër edhe si publicist, sidomos me reportazhe. Më 1927 ai udhëtoi në Shqipërinë e sunduar nga Ahmet Zogu. Me kërshëri të madhe përshkroi Shqipërinë e atëhershme postosmane, takoi Ahmet Zogun, i cili iu duk “jo më i keq se çdo diktator tjetër oriental”. Shënimet e tij janë botuar edhe në shqip, në librin “Udhëtim nëpër Shqipëri më 1927”. Si i dukej Tirana Joseph Rothit? Djathtas një xhami, majtas një kafehane, xhamia i ngjante kazermës, ushtarët me pushkë ruajnë veten e tyre, hotelet janë plot, gazetarët kanë ardhur me nxitim, diplomatë dhe deputetë, oficerë nga Anglia dhe Italia, është mbledhur parlamenti, Tirana është një gropë sensacionesh, ndërsa mbarë vendi një mollë sherri.

2.

Joseph Roth ka lënë disa shënime edhe për Lembergun. “A ka përfunduar Evropa këtu?”, pyet Roth në skicat e tij që më 1924 u botuan në “Frankfurter Zeitung”.

“Jo, nuk ka përfunduar. Marrëdhënia mes Evropës dhe këtij vendi si të thuash të internuar është e përhershme dhe e gjallë. Në librari pashë botimet më të reja letrare nga Anglia dhe Franca. Fryma kulturore e sjell farën në tokën polake”. Galicinë, një trevë historike mes Polonisë jugore dhe Ukrainës perëndimore, Roth e përshkruan si të vetmuar, por jo të izoluar. Një trevë me kulturë. Lembergu për Rothin është qytet me “kufij të fshirë”. Një qytet me shumë emra: Lviv, Lvov, Leopolis, Lamburg, Lemberg. Dhe me shumë nacionalitete. Një qytet i themeluar nga princi i Galicisë, Danil Romanoviq, dhe i emëruar sipas të birit të tij, Levit. Për herë të parë ky qytet u përmend më 1256. Më 1340 u pushtua nga Mbreti polak Kazimiri i Madh. Më 1356 filloi të qeverisej sipas legjislacionit të Magdeburgut, qytet gjerman. Më 1772 Lembergu u bë qytet polak, pastaj ra nën sundimin austro-hungarez. Në kapërcyell të shekullit 19 në shekullin e 20-të Lembergu kishte 160 mijë banorë, gjysma polakë, 40 mijë hebrenj, 30 mijë ukrainas, 7000 gjermanë. Në Lemberg jetonte pakica më e madhe armene në territorin sllav. Në qytet flitej jidish (gjuha e hebrenjve ashkenazi në pjesën më të madhe të Evropës), polonisht, gjermanisht dhe gjuha ukrainase.

3.

Për të kuptuar rëndësinë kulturore të Lembergut duhet përmendur tre emra: Niccolò Paganini, Franz Liszt dhe Maurice Ravel. Të gjithë këta gjeni të muzikës klasike kanë mbajtur koncerte në Lemberg.

“Ne të gjithë jemi fragmente, sepse e kemi humbur atdheun tonë”, shkruan Joseph Roth.

Mes viteve 1914 dhe 1945 Galicia dhe me të edhe Lembergu u bënë fushëbetejë e fuqive të mëdha evropiane. Me fundosjen e Perandorisë Austro-Hungareze, Lembergu për disa muaj u bë pjesë e një republike popullore të Ukrainës perëndimore, pastaj në verën e vitit 1919 ishte tashmë qytet polak dhe i tillë mbeti deri në shtator 1939. Pas sulmit të Gjermanisë naziste kundër Polonisë, në qytet hyjnë forcat sovjetike. Më 22 qershor 1941 fillon sulmi nazist kundër Bashkimit Sovjetik dhe Lembergu pushtohet nga gjermanët. Më 27 korrik 1944 ky qytet ripushtohet nga sovjetikët dhe deri në pavarësinë e Ukrainës në fillim të viteve ‘90 ishte qytet sovjetik i republikës sovjetike të Ukrainës. Mijëra hebrenj u vranë si nga forcat naziste ashtu dhe nga trupat sovjetike. Mijëra të tjerë vdiqën në kampet naziste Treblinka, Sobibór, Belzec dhe Auschwitz. Tani, në vitin 2022, në Lemberg sërish bien sirenat e alarmit. Kësaj radhe, për të satën herë, rreziku vjen nga Moska. Në varrezat e qytetit janë hapur dhjetëra varre të reja. Ushtarë të rinj ukrainas kanë rënë në mbrojtje të atdheut.

4.

Joseph Roth u lind në një familje hebraike në Ukrainën e sotme. Pas viteve të studimit në Vjenë, Lemberg ishte ushtar në Luftën e Parë Botërore. Në atë kohë një kroat me emrin Josip Broz ishte po ashtu ushtar austro-hungarez në Galici, në Ukrainën e sotme perëndimore. Atje u zu rob nga rusët dhe tek pas 5 vjetëve u kthye në Kroaci – tashmë si komunist me ambicie për të ndryshuar botën. Pjesa tjetër është histori. Joseph Roth nuk pati ambicie revolucionare. Jetoi si gazetar dhe shkrimtar në Vjenë dhe Berlin. Më 1933, në vitin kur Adolf Hitleri e mori pushtetin në Gjermani, Roth emigroi në Paris. Atje vdiq më 1939 – në varfëri dhe në gjendje të rëndë nga alkooli. “Ne të gjithë jemi fragmente, sepse e kemi humbur atdheun tonë”.