OpEd

Shteti që jetoi 55 ditë

Giorgio Rosa dhe Albin Kurti ndajnë disa ngjashmëri. Të dytë janë ëndërrimtarë, idealistë, të guximshëm - dhe të pakënaqur me botën e jashtme. Historia e republikës, e cila besoi se mund të jetonte e izoluar nga bota e jashtme, është mesazh për të ardhmen tonë

Giorgio Rosa ka qenë inxhinier italian i pasionuar pas shpikjes dhe ndërtimit. Sidoqoftë, që nga ditët e para përpjekjet e tij ëndërrimtare dhe krijuese ranë ndesh me shtetin italian. Në një nga shpikjet e tij të para ai ndërtoi nga zeroja një veturë të re personale. Për shkak të burokracisë së madhe, ai refuzoi ta certifikojë dhe ta regjistrojë veturën, gjë që rezultoi në konfiskimin e saj dhe në dënimin e tij. I frustruar nga kufizimet e shtetit Italian mbi ndërmarrjet e tij inxhinierike, Giorgio filloi të mendojë se sa bukur do të ishte nëse do të jetonte në një botë ku nuk do të kishte rregulla. Një botë ku krijimtaria e tij nuk do të ishte e kufizuar nga asnjë lloj ligji apo autoriteti. Kësisoj, Giorgios i lindi një ide sa e çmendur, po aq edhe e jashtëzakonshme: ta krijonte një shtet të ri.

Pas pak hulumtimi, Giorgio kuptoi se shteti italian shtrihet në deti vetëm 10 kilometra nga bregu. Prandaj, çdo gjë nga i 10-i kilometër e tutje është deti i lirë, ku shtete të reja teorikisht mund të krijohen. Kësisoj, në kilometrin e 12-të nga bregu i qytetit Rimini, Giorgio filloi ndërtimin e një ishulli i cili do të ngrihej mbi teknikat inxhinierike të platformave detare të naftës. Me ndihmën e miqve, dhe përkundër pengesave administrative të shtetit italian, Giorgio me sukses ndërtoi një platformë 400 m2 mbi det dhe jashtë ujërave territoriale të Italisë. Në verën e vitit 1967 ishulli filloi t’i pranojë mysafirët e parë. Duke qenë vetëm 12 km nga Rimini, ishulli u shndërrua menjëherë në një atraksion turistik, si vend i zbavitjes ku nuk vlen asnjë rregull i botës së jashtme dhe i shoqërisë tradicionale. Vitin tjetër, më 1 maj 1968, Giorgio shpalli ishullin shtet të pavarur dhe sovran, ndërsa veten President të Republikës së Ishullit të Trëndafilave. Ishulli krijoi edhe qeverinë e tij, duke emëruar ministër të Financave, të Punëve të Brendshme dhe të Punëve të Jashtme. Ishulli kishte gjuhën e vet: esperanto. Monedhën e vet: mil. Flamurin, pullën dhe zyrën postare. Pra, ëndrra e Giorgios kishte filluar të dukej krejtësisht reale. Giorgio kishte çdo të drejtë të ishte i lumtur - kishte krijuar një shtet të ri.

Sidoqoftë, këtë entuziazëm të Giorgios nuk e ndante shteti italian. Ndërtimi i ishullit kaq pranë kufirit italian dhe buja e krijuar në mediat italiane e vunë shtetin italian në siklet. Nga një anë nuk kishin se çfarë të bënin, sepse ligjërisht Giorgio kishte të drejtë të bënte çfarë të donte jashtë kufijve të shtetit italian. Ligjet ndërkombëtare ishin në anën e Giorgios. Nga ana tjetër, shteti nuk mund të lejonte që eksperimenti i një individi të bëhej precedent për krijimin e shteteve të reja në kufijtë e Italisë. Kësisoj, shteti italian e orkestroi një propagandë intensive kundër Ishullit dhe Giorgios. Ishulli u portretizua si parajsë e drogaxhinjve dhe kriminelëve, ndërsa Giorgio u akuzua se është një profiter i cili po shfrytëzon zbrazëtirat ligjore për të mos paguar tatime në shtetin italian. Ishulli kishte restorant, bar dhe dyqan dhuratash, i cili shërbente turistët e shumtë. Po ashtu, Ishulli u akuzua si mbulesë për bazë sovjetike për planifikimin e sulmeve kundër Italisë, Shqipërisë dhe Jugosllavisë, dhe si i tillë ishte kërcënim për sigurinë kombëtare. Në të njëjtën frymë, Ishulli u akuzua se është kërcënim për qytetarët që e vizitojnë atë, pasi që ndërtimi i platformës nuk ishte certifikuar nga asnjë institucion kompetent. E gjithë kjo propagandë dështoi. Dështoi, sepse nuk ishte e vërtetë. Ishulli ishte fillimisht një arritje inxhinierike e një ëndërrimtari, dhe më pastaj ishull kënaqësie për vizitorët e tij. Asgjë më shumë. Sidoqoftë, kur çdo përpjekje paqësore e shtetit italian dështoi, shteti vendosi ta okupojë ishullin. Më 26 qershor 1968, forcat policore të Italisë e okupuan Ishullin dhe e ndaluan hyrjen në të. Në shenjë proteste, Qeveria e Republikës së Ishullit të Trëndafilave i dërgoi notë proteste presidentit italian për “shkeljen e sovranitetit të vendit”. Fatkeqësisht e gjithë kjo nuk bëri punë dhe në muajin shkurt të vitit 1969, forcat ushtarake të Italisë minuan platformën e Giorgios, duke e fundosur në fund të Adriatikut Republikën e Ishullit të Trëndafilave.

***

Kjo histori e pabesueshme italiane së fundmi u popullarizua botërisht nga NETFLIX-i, me filmin “Ishulli i Trëndafilave”. Duke e shikuar filmin kishte diçka që së paku në sipërfaqe ngjasonte me vendit tonë.

E para, filmi fillon me skenën ku Republika e Ishullit të Trëndafilave dëshiron ta dorëzojë kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Koincidencë kozmike.

E dyta, edhe ne, sikurse Republika e Ishullit të Trëndafilave, kemi lindur mbi besimin e jashtëzakonshëm të liderëve tanë. Sikurse Giorgio, ish-liderët e vendit tonë kanë qenë ëndërrimtarë. Kanë besuar se e pamundura është e mundur. Se ëndrra mund të bëhet realitet.

E treta, sikurse Republika e Ishullit të Trëndafilave, ne kemi lindur duke shfrytëzuar zbrazëtirat ligjore ndërkombëtare të cilat e kanë lejuar krijimin e shtetit tonë. Nga mënyra e intervenimit të NATO-s në Kosovë e deri te vendimi i GJND-së, historia e shtetndërtimit tonë është histori që ecën nëpër telin e hollë të ligjshmërisë ndërkombëtare.

E fundit, Giorgio e krijoi Ishullin e Trëndafilave sepse ka qenë i pakënaqur me botën e jashtme. Ai ka qenë i pakënaqur me ligjet, rregullat dhe me obligimet që burojnë nga të qenët pjesë e një shoqërie tradicionale. Rrjedhimisht, ai e krijoi një realitet të ri. Krijoi një ishull ku rregullat e jashtme nuk do të vlenin. Dhe në këtë sens, Giorgio i ngjan kryeministrit Kurti – së paku në sipërfaqe. Kryeministri Kurti mendon se qytetarët janë të pakënaqur nga kërkesat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve përkitazi me dialogun me Serbinë. Ai mendon se këto kërkesa të jashtme janë të gabuara. Ai është i pakënaqur me marrëveshjet e arritura dhe me obligimet që burojnë nga të qenët pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Rrjedhimisht, ai po përpiqet të krijojë një realitet të ri. Një Kosovë ishull ku rregullat e jashtme nuk do të vlejnë. Është e mjaftueshme që të avancojmë drejtësinë dhe ekonominë tonë, dhe vendi ynë do të avancojë – mendon ai. Rrjedhimisht, thirrjet e jashtme për avancimin e dialogut janë të mbivlerësuara dhe jo të domosdoshme për avancimin e vendit. Ky lloj i të menduarit ka fundosur Republikën e Ishullit të Trëndafilave pas 55 ditësh në fund të Detit Adriatik. Mbetet të shihet se ku do të na dërgojë neve.