OpEd

Idetë për “Bashkësi politike” nuk e përshpejtojnë zgjerimin e BE-së

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka nisur të sqarojë idenë e tij për krijimin e një “Bashkësie gjeopolitike evropiane” dhe është nxituar të pohojë se kjo “nuk ka kurrsesi qëllim ta zëvendësojë zgjerimin apo të japë argument të ri për zvarritje”. Por sa herë që dalin ide të tilla, ato ndikojnë në procesin e tashëm të zgjerimit. Kjo ide është alternativë së paku deri kur BE-ja të mos zgjerohet, e ajo ditë nuk do të vijë shpejt

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përmbylli xhiron e parë të vizitave bërë vendeve të Ballkanit Perëndimor duke qëndruar në Beograd, Tiranë dhe Sarajevë. Më vonë, me gjasë gjatë muajit qershor, do të vizitojë edhe Prishtinën, Shkupin dhe Podgoricën. Vizitën e nisi në Beograd ku, mes të tjerash, poqën qebapë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Disave në Bruksel e në kryeqytetet e vendeve anëtare nuk u pëlqeu shumë kjo “afërsi e tepruar për këtë moment” me presidentin e shtetit, i cili nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Për të mos e lënë me përshtypjen se në Beograd janë qebapët më të mirë sesa në Sarajevë, kryetarja e qytetit të Sarajevës me Charles Michelin vizitoi një qebaptore në Bash Qarshi, pjesën e vjetër të kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës. Kush e di, ndoshta kur ta vizitojë Kosovën do të bëjë flija me presidenten Vjosa Osmani apo me kryeministrin Albin Kurti.

Michel mund të jetë kthyer në Bruksel me përshtypje të mira. Sepse liderët e vendeve të Ballkanit nëse për asgjë tjetër, janë mjeshtër për të krijuar përshtypje të mira te mysafiri. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, në konferencën për shtyp me presidentin e Këshillit Evropian, foli me një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo që përdor në mediat e vendit të tij. Përmendi rëndësinë që ka BE-ja si “investuesi më i madh në Serbi” dhe si “partneri bindshëm më i madh tregtar”. Tha, po ashtu, se “nuk është risi se BE-ja kushtëzon procesin e integrimit të Serbisë me normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën”. Pra, nuk tha asgjë që nuk do të tingëllonte mirë në veshët e mysafirit të lartë nga Brukseli. E tash presidenti i Serbisë do të bisedojë edhe me një mik tjetër të tij, presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Dhe kështu Serbia, si e privilegjuar, vazhdon të ulet në dy apo tri ulëse.

Në këto vizita, presidenti i Këshillit Evropian ka shpalosur idenë e tij për krijimin e një “Bashkësie gjeopolitike evropiane”. Ngjashëm para disa javësh kishte propozuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Dallimi ishte vetëm në emërtim, sepse Macroni e kishte pagëzuar idenë e tij si “Bashkësi politike evropiane”. Por duket se është e njëjta gjë. Dhe ajo vjen nga qarqet liberale evropiane. Macron dhe Michel vijnë nga grupimi i njëjtë politik evropian. Dhe ky grupim, për habi, tash e disa vjet nuk është shumë miqësor ndaj procesit të zgjerimit. Liberalët janë në pushtet në Francë, Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg, si dhe në disa shtete të tjera. Dhe pikërisht këto shtete kanë qenë skeptike ndaj procesit të zgjerimit, e besa edhe ndaj liberalizimit të vizave për Kosovën.

Dhe kur liderët politikë që ishin skeptikë ndaj procesit të zgjerimit japin propozime me ide të reja, se si të aranzhojnë raportet me vendet evropiane që nuk janë në BE, gjithmonë duhet pasur një dozë dyshimi. Deri tash secili ndryshim që ka ndodhur në procesin e zgjerimit, përfshirë edhe ndryshimin e metodologjisë sipas propozimit të Francës, vetëm e ka ngadalësuar edhe më shumë procesin.

këtyre ideve, 27 vendet e Bashkimit Evropian, me vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe me shtetet e Evropës Lindore që nuk janë në BE, do të formonin një “Bashkësi politike” ku do të kishin takime në nivelin e lartë dy herë në vit dhe do të koordinonin verimet e tyre në nivel politik dhe strategjik. Ky format do të ishte i hapur edhe për vendet që nuk kanë aspirata të hyjnë në BE, si Zvicra, Norvegjia dhe Islanda, por edhe për Britaninë e Madhe, e cila me vullnetin e vet është larguar nga BE-ja.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka nisur të sqarojë idenë e tij për krijimin e një “Bashkësie gjeopolitike evropiane” pikërisht me vizitat në tri vende të Ballkanit Perëndimor. Ai është nxituar të pohojë se kjo “nuk ka kurrsesi qëllim ta zëvendësojë zgjerimin apo të japë argument të ri për zvarritje”. Por sa herë që dalin ide të tilla ato ndikojnë në procesin e tashëm të zgjerimit. Kjo ide është alternativë së paku deri kur BE-ja të mos zgjerohet, e ajo ditë nuk do të vijë shpejt. Sepse as BE-ja nuk është shumë e interesuar të zgjerohet, e as vendet e përfshira në procesin e zgjerimit nuk janë duke u shquar në përmbushjen e kritereve dhe në arritjen e standardeve të nevojshme për anëtarësim në BE.

BE-ja disi po bëhet sikur Ballkani Perëndimor. Kur nuk ka përparim në zgjidhjen e mospajtimeve dhe në nismat rajonale, dalin ide dhe nisma të reja, sikur ajo për “Ballkanin e hapur”.

Në praktikë në një masë tashmë ekziston ajo që propozojnë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe presidenti i Këshillit Evropian. BE-ja me të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ka Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit. Përmes tyre gati në tërësi është liberalizuar tregu. Ajo është edhe kornizë për bashkëpunim politik, për asistencë ekonomike e financiare dhe për bashkëpunim në fusha të tjera, nga ruajtja e mjedisit e deri te transporti e energjia. MSA-ja edhe ashtu është menduar të jetë një kornizë e raporteve kontraktuale mes BE-së dhe këtyre vendeve, derisa ato të mos anëtarësohen në BE. Të ngjashme janë edhe marrëveshjet e asociimit që kanë vendet e partneritetit lindor si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia. Do të duhen shumë sqarime për të parë se çfarë ofron më shumë ideja e Macronit dhe e Michelit. E këtë ndoshta do ta shohim në javët që vijnë, me finale në një samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor më 23 qershor, pas të cilit zhvillohet edhe samiti i BE-së.

E testi më i mirë se këto ide nuk do ta ngadalësojnë procesin e tashëm të zgjerimit do të jetë vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, e cila ka aplikuar për anëtarësim para 18 vjetësh dhe me Shqipërinë, për të cilën edhe vetë Michel tha se i ka përmbushur qëmoti të gjitha kushtet e kërkuara. Edhe liberalizimi i vizave për Kosovën tash është bërë një test i sinqeritetit të liderëve evropianë, para së gjithash presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se vërtet dëshirojnë raporte shumë më të afërta me vendet e rajonit. Vendimet konkrete në këto dy çështje do të dëshmojnë më shumë vullnetin e BE-së sesa idetë e reja.