OpEd

Rivendosja e masave parandaluese

Parandalimi ka të bëjë me bindjen e një kundërshtari se mosbërja e diçkaje është në interesin e tij më të mirë. Rusia fillimisht u përpoq t’i pengonte Ukrainën dhe Perëndimin duke vendosur trupat e saj përgjatë kufijve të Ukrainës

Bruksel – Ndërkohë që shefat ushtarakë të NATO-s takohen në Bruksel për ta diskutuar luftën në Ukrainë, çështja tjetër në mendjen e tyre është Koncepti Strategjik i ardhshëm i aleancës, që do t’i formësojë prioritetet e saj për vitet në vijim. Dhe këtu, sjellja e Rusisë ka treguar se rivendosja e parandalimit duhet të luajë rol qendror.

Kur Rusia ka filluar të grumbullonte trupa në kufirin e Ukrainës në fund të vitit të kaluar, ajo nisi rrugën e agresionit jo vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër asaj që e quan “Perëndimi kolektiv”, veçanërisht Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Rusia po kërkonte ta pengonte Ukrainën dhe Perëndimin nga rritja e bashkëpunimit, teksa Perëndimi po kërkonte ta pengonte Rusinë nga agresioni. Pushtimi i mëvonshëm rrjedh nga një dështim masiv i parandalimit.

Ukrainasit kanë krijuar mbrojtje mbresëlënëse dhe BE-ja, NATO-ja dhe partnerët dhe aleatët e tjerë perëndimorë kanë vazhduar t’i shtrëngojnë sanksionet ekonomike dhe financiare dhe të ofrojnë ndihmë. Mirëpo, ne jemi në një cikël të rrezikshëm përshkallëzimi. Situata kërkon një parandalim të besueshëm që shkon përtej “ombrellës bërthamore” tradicionale.

Në fund të fundit, parandalimi nuk ka të bëjë vetëm me luftën bërthamore. Është e rëndësishme për të gjitha format e konfrontimit – qoftë në biznes apo në fushën e betejës. Shumë nga këto dinamika janë të pranishme në konfliktin aktual. Marrëdhëniet e ndërvarura energjetike të Rusisë dhe Evropës ishin konsideruar pengesë e fortë nga të dyja palët, mirëpo dukshëm kjo lidhje dështoi.

Parandalimi ka të bëjë me bindjen e një kundërshtari se mosbërja e diçkaje është në interesin e tij më të mirë. Rusia fillimisht u përpoq t’i pengonte Ukrainën dhe Perëndimin duke vendosur trupat e saj përgjatë kufijve të Ukrainës. Por siç ndodhi, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s lëshuan inteligjencë dhe të dhëna të përditshme që zbulonin lëvizjet e trupave ruse, duke i treguar qartë Kremlinit se ata e dinin se çfarë po bënte. Një sinjalizim i tillë është elementi i parë i parandalimit.

Një tjetër element thelbësor i parandalimit është besimi se një kundërshtar ka vullnetin dhe aftësinë për të përshkallëzuar masat nëse pala tjetër nuk ndryshon kursin. Kur Rusia lëshoi ​​një sërë kërkesash të dizajnuara për të nxjerrë në pah dobësitë e Ukrainës dhe të NATO-s – nga statusi i Ukrainës si shtet deri tek arkitektura e përgjithshme e sigurisë evropiane – audienca e saj nuk i pa të besueshme kërcënimet e saj.

Me përjashtim të SHBA-së, pak besonin se Rusia do të fillonte pushtimin e plotë ose do të vazhdonte me kërcënimet e saj kundër NATO-s dhe shteteve neutrale. Megjithatë, Rusia pushtoi dhe që atëherë ka lëshuar kërcënime të fshehta bërthamore dhe madje ka testuar një raketë të re supersonike.

Në mënyrë të ngjashme, presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e mori seriozisht presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë kur ata shprehën synimet e tyre për ta mbështetur Ukrainën. Kremlini i dëgjoi këto deklarata, ama dëgjoi edhe disa liderë të tjerë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, të thoshin se nuk do të dërgonin trupa për të mbrojtur një vend që nuk është pjesë e NATO-s. Rusia kështu vendosi të pushtonte, vetëm për t’u habitur nga shtrirja dhe intensiteti i përgjigjes së Perëndimit.

Nga ana e saj, strategjia e parandalimit të Ukrainës ishte në thelb të projektonte një imazh të vetes si një vend që tashmë i përkiste Perëndimit. Dhe megjithëse Kremlini nuk ishte i bindur, Rusia nënvlerësoi qartë unitetin ukrainas, aftësinë dhe kompetencën e ushtrisë së saj, edhe pse ajo kishte luftuar forcat ukrainase që nga inkursionet e saj në vend në vitin 2014.

Vetëmbrojtja heroike e Ukrainës na kujton se përtej fushëbetejës dhe biznesit, përtej sanksioneve dhe institucioneve, ka njerëz të zakonshëm: lufta po zhvillohet mes tyre dhe ata do të vendosin rezultatin e saj përfundimtar. Megjithëse vullneti i ukrainasve për t’i mbrojtur jetët, shtëpitë dhe idealet e tyre nuk e ka penguar ende udhëheqjen ruse, ka prova të forta që ka penguar shumë ushtarë rusë të luftojnë.

Duke parë përpara, parandalimi perëndimor duhet të bëhet objektiv kryesor strategjik dhe në këtë mënyrë më gjithëpërfshirës, ​​duke përfshirë të gjithë elementët që kanë rëndësi. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ndërmori një hap në këtë drejtim, duke njoftuar se një nga qëllimet e Amerikës tani është “ta shohë Rusinë të dobësuar në atë masë sa nuk mund të bëjë ato gjëra që ka bërë në pushtimin e Ukrainës”. Fatura e huadhënies me qira prej 33 miliardë dollarësh që Bideni e nënshkroi më 9 maj do ta çojë më tej këtë qëllim.

Mirëpo, kjo nuk mjafton. Parandalimi duhet të jetë një qëllim popullor që ka mbështetje të gjerë publike. Ai po ashtu duhet të mbështetet; nga vende të tjera, sepse bashkëpunimi ndërkombëtar është vendimtar për ta garantuar sigurinë e shteteve më të vogla dhe më të cenueshme. Arritja e një mbështetjeje të tillë me bazë të gjerë kërkon udhëheqje efektive, frymëzuese të llojit që ka demonstruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelenksy. Ai ka mbledhur jo vetëm popullin ukrainas, por krejt botën perëndimore. Udhëheqësit e tjerë do të bënin mirë ta ndiqnin shembullin e tij.

Së fundi, është e rëndësishme të kujtojmë se ku përshtatet parandalimi në kontekstin më të gjerë të globalizimit. Rusia u trimërua nga ndërvarësitë ekonomike që ajo ka kultivuar dhe u fuqizua nga statusi i saj si anëtare e përhershme me veto në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Parandalimi duhet të përfshijë masa për t’i neutralizuar ose për t’i mbajtur të dy faktorët.

Lufta në Ukrainë është rezultat i parandalimit të pamjaftueshëm. Në fund të fundit, nuk do të ketë paqe pa të.

Rupert Smith, ish-zëvendës komandant suprem i NATO-s për Evropën. Ilana Bet-El, stratege dhe historiane, është bashkëpunëtore e lartë në Rrjetin Evropian të Lidershipit. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).