OpEd

Kosova nuk ka më kohë për hezitim në kërkesa për anëtarësim në organizata dhe aleanca ndërkombëtare

Përderisa duhet kërkuar përfshirjen e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si nisje e procesit të anëtarësimit në këtë organizatë, nuk duhet krijuar pritje të mëdha. Sepse NATO është një organizatë e cila vendos vetëm me vullnetin kolektiv të të gjitha shteteve anëtare, pa marrë parasysh se cila është kërkesa

Ka kaluar një kohë e gjatë, tashmë matet me vite, që kur Kosova nuk ka avancuar në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar si shtet. Kjo pjesërisht edhe si pasojë e një obligimi që Kosova ka marrë në Washington me nënshkrimin e një letre që vazhdon të quhet si “marrëveshje e Washingtonit”, por që askush nuk e ka konfirmuar se e ka karakterin e ndonjë marrëveshjeje, pasi Serbia dhe Kosova e kanë nënshkruar më shumë si obligime ndaj SHBA-së sesa ndaj njëra-tjetrës.

Edhe pse kjo ishte bërë në mandatin e presidentit Trump, bile në fund të mandatit të tij, administrata e re amerikane vazhdoi të ndjekë linjën se ajo ka elemente të mira dhe ato duhet të respektohen.

Një prej obligimeve ishte edhe ajo që Kosova të ketë moratorium në kërkesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia të mos bëjë lobim kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe tërheqjes së njohjeve.

Prej atëherë Kosova e ka respektuar këtë obligim, dhe kjo ka mundur të vëzhgohet. Sa e ka respektuar Serbia është diçka që nuk mund të dihet. Sepse kërkesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare bëhen formalisht dhe nuk mund të mbahen sekrete. Ndërsa lobimi i Serbisë kundër Kosovës, qoftë për tërheqje njohjesh apo kundër njohjeve të reja, nuk mund të kontrollohet. Madje për aq sa mund të gjykohet nga prononcimet publike të zyrtarëve të Serbisë, lobingu i saj ka qenë shumë aktiv. Pothuajse nuk ka pasur takim të tyre me zyrtarë të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, si Maroku, Algjeria, Irani dhe të tjera, në të cilat Serbia nuk është falënderuar për “qëndrim parimor” kundër njohjes së Kosovës. Serbia nuk e ka përmbushur edhe një detyrim tjetër të rëndësishëm nga Marrëveshja. Nuk e ka hapur ambasadën e saj në Izrael në qytetin e Jerusalemit. Kosova e ka bërë këtë dhe kjo ka pasur disa pasoja edhe në raportet me BE-në dhe me disa shtete të tjera të botës si Turqia dhe vendet arabe.

Tash Serbia kërcënon se, në rast se Kosova e shkel moratoriumin, i cili formalisht ka skaduar, ajo “i ka të gatshme çnjohjet nga shumë shtete”.

Por Kosova nuk duhet ta pranojë më këtë lojë. Duhet të kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, sepse pa këtë nuk mund ta forcojë subjektivitetin ndërkombëtar si shtet.

Natyrisht, pos kërkesave formale dhe prononcimeve publike për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duhet të bëhet edhe punë më e madhe në lobim nëpër shumë shtete, si në ato që e kanë njohur Kosovën, ashtu edhe tek ato që nuk e kanë njohur. Përvoja nga dështimi i anëtarësimit në UNESCO duhet të shërbejë si mësim. Të punohet më shumë me shtetet që nuk na kanë njohur, pasi disa prej tyre mund të jenë në favor të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare edhe pse vetë nuk kanë raporte diplomatike me Kosovën si shtet. Por në të njëjtën kohë nuk duhet të merret si e garantuar mbështetja e vendeve që e kanë njohur Kosovën. Sikur të kishin pasur liderët e Kosovës më shumë kujdes dhe të siguroheshin se në favor të anëtarësimit në UNESCO të votojnë të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën, votat do të mjaftonin dhe Kosova tashmë do të ishte anëtare.

Pengesat më të mëdha mund të jenë për anëtarësimin e Kosovës në strukturat ku vendimet merren me konsensus. NATO dhe Bashkimi Evropian janë të tilla. Gjasat më reale mund të jenë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Por përderisa duhet kërkuar përfshirjen e Kosovës në Programin e Partneritetit për paqe të NATO-s, si nisje e procesit të anëtarësimit në këtë organizatë, nuk duhet krijuar pritje të mëdha. Sepse NATO është një organizatë e cila vendos vetëm me vullnetin kolektiv të të gjitha shteteve anëtare, pa marrë parasysh se cila është kërkesa.

Madje në raporte politike me Kosovën, NATO është shumë më negative sesa Bashkimi Evropian. Për shkak të vetëm 4 vendeve të NATO-s të cilat nuk e kanë njohur Kosovën (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja), NATO formalisht nuk ka raporte me Kosovën. Ka pasur raste edhe qesharake me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s kur takon zyrtarë të Kosovës dhe ua përmend vetëm emrat personalë, jo dhe funksionet.

Një episod jo të këndshëm të raporteve me NATO-n, Kosova ka pasur edhe kur u mor vendimi politik për transformimin e FSK-në në ushtri të Kosovës. NATO-ja ishte kundër, duke insistuar që kjo të bëhej përmes mandatit dhe sipas Kushtetutës së Kosovës. E kjo ishte e pamundur pasi nevojiteshin edhe shumica e votave të deputetëve të komuniteteve pakicë, pra edhe të serbëve në Kuvendin e Kosovës.

Kosova, e cila i është gjithmonë falënderuese NATO-s për lirinë e saj, bëri mirë që nuk e dëgjoi Brukselin, por këtë transformim e bëri me mbështetjen e disa vendeve të fuqishme anëtare të NATO-s. Ukraina sot, sikur të priste vendimin kolektiv të NATO-s për t’i dërguar armët për t’u mbrojtur nga agresioni i Rusisë, do të kishte mbetur duarthatë. Edhe Ukrainës ushtarakisht i ndihmojnë vendet e NATO-s e jo NATO si kolektiv.

Kosova ka pak gjasa të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe. Sepse, siç u pa nga një përgjigje e një zyrtari të NATO-s javën e shkuar, për këtë duhet pajtimi i të gjitha shteteve anëtare.

“Të gjitha vendimet në NATO, përfshirë edhe partneritetet, siç është Partneriteti për Paqe, merren nga Këshilli i Atlantikut të veriut me konsensus”, rikujtoi ky zyrtar i Aleancës. Arritja e kësaj nuk shihet si reale, por kjo nuk duhet të bëjë që Kosova të hezitojë. Kosova nuk duhet të ketë frikë as nga përgjigjet negative, sepse 14 vjet pas shpalljes së pavarësisë nuk ka kohë për të humbur. Edhe këtu duhet punuar më shumë edhe me shtetet që e kanë njohur Kosovën. Derisa të mos jetë e mundur që Kosova të ndërtojë ushtrinë e saj me mbështetjen formale të NATO-s, duhet të ketë marrëveshje dhe aranzhime bilaterale me vendet anëtare që ta bëjë këtë.