OpEd

Duke pritur presidentin Trump

Ndarjes gjeopolitike të shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës së shpejti do t’i bashkëngjitet edhe ndarja mes liderëve e vendeve që duan t’i zgjidhin problemet gjatë kësaj administrate amerikane dhe atyre që kanë filluar të vënë bast në një administratë alla-Trump

1.

Thuhet se princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohamed Bin Selman, refuzoi thirrjen telefonike të presidentit Biden. Thirrja ishte pjesë e një iniciative të gjerë diplomatike amerikane që kishte pak a shumë një porosi: le të shtojnë prodhimin vendet që kanë naftë në mënyrë që çmimi i saj, i ngritur nga lufta në Ukrainë, të zbresë dhe kështu me një gur të goditen dy caqe. Pra, nga njëra anë, të zbresë kostoja e energjisë në ekonominë botërore dhe nga ana tjetër të zvogëlohen të hyrat e naftës për Rusinë e Putinit, dhe kështu mundësia e tij për vazhdimin e financimit të luftës në Ukrainë.

Arabia Saudite e MBS (siç njihet princi i kurorës në mediet perëndimore) vendosi të kundërtën, që të mos e rrisë prodhimin e naftës dhe rrjedhimisht të godasë me gurin e vet dy caqe të tjera. Pra, nga njëra anë të mbushë thesarin mbretëror duke rritur sasinë e parave nga shitja e sasisë së njëjtë të naftës dhe, nga ana tjetër, të tregojë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk është punë që i intereson Mbretërisë së tij.

Ç’është e vërteta, këtë konstatim të ngjashëm, se kjo është një “luftë që nuk na intereson” e kanë shprehur fuqi të ndryshme regjionale, vende me peshë në botë si India, Brazili apo Afrika e Jugut. Për këto vende lufta në Ukrainë është diçka e largët, një “çështje e brendshme e evropianëve”, apo nëse hyhet në fjalor racist, një çështje e brendshme e njeriut të bardhë.

2.

Se ka mësime nga paragjykime raciste nga kjo luftë nuk do mend. Luftërat e Afganistanit, Irakut e Sirisë krijuan kolonën e pandërprerë refugjatësh të nisur drejt Evropës dhe vetëm vendosmëria e Angela Merkelit ndërmori një hap historik të hapjes së portave për njerëzit e ngjyrës tjetër të lëkurës e besimit tjetër në Evropën e bardhë dhe, sipas kryeministrit Orban, të krishterë. Kësaj here për një muaj në territorin e BE-së hynë katër herë më shumë refugjatë ukrainas sesa hynë për një vit ata nga Lindja e Mesme dhe nuk u dëgjua as edhe një cicërimë nga vendet me politikë të fortë antiimigrante.

Në këtë kontekst harta botërore është përplot vende të njerëzve me ngjyrë tjetër lëkure e që mund t’i kthehen botës perëndimore e t’u thonë “pse është lufta juaj më e rëndësishme sesa imja apo ajo e fqinjit tim?”. Edhe princi i Arabisë Saudite mund të thoshte, për shembull, pse është më e rëndësishme ajo që ndodh në Ukrainë, sesa ajo që ndodh në Jemen, prej nga rrezikohem drejtpërsëdrejti? Por, sipas artikullit në “The Guardian”, ky nuk ishte leksioni kryesor. Leksioni kryesor ishte konteksti kalkulues që fillon çdo dy vjet pas zgjedhjeve presidenciale në Amerikë. Në nëntor të këtij viti mbahen zgjedhjet e pjesshme për Kongres dhe aty jepen sinjale të forta apo gjysmë të forta se në ç’drejtim shkon politikisht Amerika. Sipas “The Guardian”, MBS ka filluar të vërë bast se ndoshta pas dy vjetësh kthehet presidenti Trump e me të edhe politika amerikane që mbyll sytë ndaj çdo veprimi saudit (vrasjes së gazetarëve, bombardimeve jodiskriminuese të Jemenit etj.), përderisa garantohet një siguri prodhimi dhe eksporti nafte. Pjesë e këtij basti është edhe investimi dy miliardë dollarësh i princit në fondin e ri investiv të dhëndrit të presidentit Trump, Jared Kushner.

3.

Lista e njerëzve që do të vëzhgojnë me vëmendje e pritshmëri të mëdha simpatie një president Trump (apo të stilit të tij) nuk është e vogël, dhe ka tërë paletën e ngjyrave të lëkurës. I pari është natyrisht presidenti Putin, i cili me një president si Trumpi as që do të mund të ëndërronte në rastin më të keq se do të ballafaqohej me rezistencë të këtillë të përbashkuar euroatlantike. Ndërkaq, presidenti i Brazilit apo kryeministri indian mund të preferojnë një administratë amerikane që nuk ka besim në parime udhëheqëse apo sisteme vlerash të rendit ndërkombëtar e institucionesh multilaterale që i ruajnë. Kryeministri i Hungarisë e ka më të afërt definicionin e demokracisë (joliberale) me atë të ish-presidentit amerikan se me atë të tanishmin. Dhe, presidenti i Serbisë - jo vetëm ky, por asnjë në historinë e këtij vendi - nuk ka pasur komoditet më të madh në relacionin me SHBA-në si me presidentin paraprak amerikan.

Kush do ta kuptojë ritmin e tanishëm në Ballkan bën mirë të vëzhgojë se kah i shkojnë sytë presidentit Vuçiq. Nga njëra anë, ai e drejton vëmendjen kah zhvillimet në luftën e Rusisë kundër Ukrainës e në veçanti me homogjenizimin euroatlantik që brofi menjëherë pas fillimit të luftës. Nga ana tjetër, ka filluar të shikojë drejt zgjedhjeve të nëntorit në Amerikë.

Nga zhvillimet në Lindje do të kërkohet gjithnjë e më shumë rreshtimi i Serbisë brenda kampit evropian (tashmë euroatlantik). Në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, një rezultat i dobët për demokratët e presidentit Biden dhe një rishfaqje e Trumpit (qoftë si figurë, qoftë si politikë) do të ishin shenja se brenda dy vjetësh konteksti amerikan, e me të pjesërisht edhe evropian, mund të ndryshojë për të mirën e presidentit Vuçiq.

Me mandatin e fituar pesëvjeçar, presidenti i Serbisë ka kohë të mjaftueshme për të pritur një president tjetër amerikan. Dhe këtë e tregon që sot, duke ngadalësuar ritmin e negociatave me Kosovën, duke e marrë me nge formimin e Qeverisë së re të Serbisë deri në fund të verës e duke hyrë në vjeshtë ende me një luftë në Ukrainë dhe me zgjedhje të afruara në SHBA.

4.

Natyrisht, Kosova po ashtu ka pse të lexojë zhvillimet amerikane apo ndoshta parësisht Kosova duhet ta bëjë këtë. Administrata e kaluar amerikane ishte krejtësisht jokonvencionale. Qe një Amerikë me të cilën nuk ishim mësuar, dhe nëse është ndonjë ngushëllim, nuk ishte mësuar kush në Evropë - as tash e as gjatë pothuajse tërë shekullit XX. Qe një Amerikë që dilte me improvizime diplomatike (problemi mes Serbisë dhe Kosovës është se makina e marrë me qira nuk mund të kalojë prej njërit vend në tjetrin, të gjitha zgjidhen me një linjë ajrore Prishtinë-Beograd, etj.), me deklarimin e çdo gjëje që ndërmerrte si historike dhe me zhvleftësimin e peshës që ka një marrëveshje që nënshkruhet në Shtëpinë e Bardhë me dokumente të nënshkruara unilaterale që nuk meritojnë të mbahen mend për gjë të rëndësishme.

Rrjedhimisht, për sa ecën viti 2022, ka filluar të ecë edhe hapërimi drejt një ndarjeje të re botërore. Ndarja gjeopolitike e shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, që po e rreshton hapësirën euroatlantike kundër Euroazisë tashmë do të shoqërohet edhe me një tjetër: të atyre vendeve e liderëve që do të përpiqen të zgjidhin problemet e forta të sigurisë e gjeopolitikës gjatë kësaj administrate amerikane apo të atyre që do të përpiqen t’i zvarrisin ato, duke pritur presidentin e tyre të preferuar, dikush që quhet Trump apo sillet si ai.

Në këtë ndarje Kosova dhe bota euroatlantike së cilës i përket nuk besoj se duhet të kenë dilema se cilën anë ta marrin.