OpEd

Lejimi i tërheqjeve të parakohshme nga kursimet pensionale të TKPK-së nuk është politikë e mirë

Stephanie Eble është përfaqësuesja rajonale e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Ballkanin Perëndimor. Si Guo është ekonomist i FMN-se për Kosovën.

Rritja globale e çmimeve të energjisë dhe ushqimit ka vendosur një barrë të rëndë për shumë ekonomi familjare në Kosovë. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se në mars të vitit 2022 tarifat e energjisë elektrike janë rritur për gati 23 për qind krahasuar me një vit më parë. Rritje kanë shënuar edhe çmimet e transportit dhe ushqimit, me rreth 18 dhe 14 për qind përkatësisht. Një sërë masash janë paralajmëruar si kundërpërgjigje ndaj kësaj goditjeje, duke përfshirë subvencione për energjinë elektrike, subvencione për inputet bujqësore, shtesa të pagave, si dhe rritje e përkohshme e pensioneve dhe transferimeve sociale.

Por ka thirrje që të bëhet edhe më shumë se kaq. Një propozim që ka marrë vëmendje të konsiderueshme në debatin e politikave është që t’u lejohet bartësve të llogarive në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK), që janë në moshë pune, të bëjnë tërheqje deri në 30 për qind të kursimeve të tyre pensionale. Arsyetimi i dhënë është se do të ndihmohen ekonomitë familjare për ta përballuar inflacionin, si dhe do të ndihmojë rimëkëmbjen ekonomike.

Megjithatë, qëllimi i kursimeve pensionale është të mbështesin standardin jetësor pas daljes në pension. Shfrytëzimi i këtyre kursimeve tani do ta dobësonte ndjeshëm fuqinë blerëse të të ardhurave të ardhshme të pensioneve, duke rritur mundësinë që ato të jenë të pamjaftueshme për t’i mbuluar edhe nevojat më bazike të konsumit. Në përgjithësi, ne mendojmë se kostot e lejimit të tërheqjeve të parakohshme nga llogaritë e TKPK-së janë më të mëdha se përfitimet, veçanërisht kur Qeveria ka miratuar masa të tjera mbështetëse për të menaxhuar ndikimin ngritjes së çmimeve. Në vijim është shtjellimi i argumenteve tona.

Bilance të ulëta të llogarive të kontribuuesve të TKPK-së.

Shumica e kontribuuesve të TKPK-së kanë bilance të ulëta të pensioneve që janë të pamjaftueshme për të siguruar standard adekuat të jetesës pas pensionimit. Sipas një studimi të FMN-së të kryer në maj 2021, më shumë se 50 për qind e anëtarëve të TKPK-së nën moshën 30-vjeçare kanë bilanc llogarie më të ulët se 1.000 euro. Madje, 30 për qind të personave të moshës 60-64- vjeçare (të cilët janë afër moshës së tyre të pensionit, 65) kanë bilanc më të ulët se 1.000 euro, dhe më pak se 50 për qind e bartësve të llogarive në këtë grupmoshë kanë bilanc prej më shumë se 5.000 euro. Këto bilance relativisht të ulëta sugjerojnë se më shumë se 50 për qind e atyre që së shpejti do të dalin në pension do t’i shterin llogaritë e tyre brenda dy vjetëve, ndërsa jetëgjatësia e personave të moshës 65-vjeçare është rreth 12 vjet.

Që të jemi të qartë: TKPK është fond pensional i menaxhuar shumë mirë dhe shkalla e ulët e kursimeve pensionale mund t'u atribuohet disa faktorëve përtej përgjegjësisë së TKPK-së. Së pari, norma e kontributeve është vetëm 10 për qind (e ndarë në mënyrë të barabartë midis punëdhënësit dhe punonjësit), që është dukshëm më e ulët se mesatarja e Ballkanit Perëndimor prej 21 për qind. Së dyti, shumë punëtorë janë të punësuar joformalisht dhe, si rrjedhojë, kontributet e tyre në llogaritë e pensioneve janë të kufizuara dhe të rralla. Së treti, shumica e anëtarëve të TKPK-së kanë historik të shkurtër kontributi, sepse sistemi është ende relativisht i ri. Përmirësimi i mjaftueshmërisë së pensioneve kërkon norma më të larta kontributesh dhe përmbushje më të mirë të kontributeve. Lejimi i tërheqjes së parakohshme të kursimeve pensionale do të dëmtonte rëndë sistemin pensional.

Një precedent me pasoja negative për të ardhmen.

Lejimi i tërheqjes së parakohshme është gjithashtu shembull i keq për të ardhmen. Shumica e njerëzve ende mbajnë mend kur, gjatë pandemisë, bartësit e llogarive të TKPK-së u lejuan që në mënyrë të jashtëzakonshme të tërheqin deri në 10 për qind nga bilanci i tyre i pensioneve në dhjetor të vitit 2020. Në atë kohë, ne kemi shprehur shqetësime se kjo masë do të minonte sistemin e pensioneve, meqë mendonim se mund të hapte rrugën për masa të ngjashme në të ardhmen. Ky propozim i ri sugjeron se shqetësimi ynë ishte me vend. Për më tepër, lejimi i tërheqjeve të parakohshme vetëm sa do të rrisë madhësinë e shpenzimeve të ardhshme të Qeverisë. Kjo për shkak se mungesa e kursimeve private të pensioneve pas një kohë do të vërë presion mbi Qeverinë për të rritur pensionin bazë të financuar nga buxheti apo përfitimet e tjera. Nga ana tjetër, kjo do të rezultojë në më pak para për arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë publike.

Goditja aktuale është ndryshe nga ajo e pandemisë

Për më tepër, vështirësitë aktuale ekonomike dallojnë shumë nga situata në vitin 2020. Së pari, pandemia pati goditjen më të rëndë ekonomike që nga Pavarësia e Kosovës, me tkurrje të ekonomisë prej më shumë se 5 për qind më 2020. Nënkuptohet që rritja aktuale e çmimeve ndërkombëtare të ushqimeve dhe energjisë do të ketë ndikim në ekonominë e Kosovës, por ne besojmë se rritja në vitin 2022 do të jetë pozitive. Për më tepër, goditja nga COVID-i kishte ndikim negativ si në anën e ofertës ashtu edhe në atë të kërkesës së ekonomisë, prandaj dhe ndërhyrjet e politikave për të nxitur kërkesën ishin më të kuptueshme. Goditja aktuale e çmimeve të mallrave është goditje tipike nga ana e ofertës. Transferimet më të larta përmes tërheqjeve të parakohshme të TKPK-së do të kishin efektin anësor të rritjes së mëtejshme të inflacionit (veçse të lartë).

Pse janë kursimet pensionale të detyrueshme?

Një pyetje që ngrihet shpesh është: Pse Qeveria kërkon kontribute të detyrueshme për të ndërtuar kursime të pensioneve? Apo ndryshe: Pse individët nuk mund të bëjnë tërheqje nga llogaritë e tyre të TKPK-së dhe t'i transferojnë këto fonde në llogaritë e tyre bankare apo investuese? Janë tri arsye për këtë. Së pari, individët kanë prirje t’i nënvlerësojnë kursimet që do t’u duhen kur të dalin në pension. Një shembull i qartë i kësaj është se edhe pse TKPK-ja lejon mundësinë e kontributeve vullnetare deri në 15 për qind dhe ofron kthim tejet të mirë nga investimi, shumica e kontribuuesve megjithatë zgjedhin të paguajnë vetëm normën minimale të kontributit të detyrueshëm. Arsyeja e dytë është se kursimet e TKPK-së janë blloku më i madh i tregut ende të ri të kapitalit në Kosovë. Këto kursime janë thelbësore për financimin e Qeverisë dhe me zhvillimin e mëtejmë të tregut të kapitalit, ato do të shërbejnë si rezervë financimi për korporatat private vendore që janë të gatshme për kreditim. Arsyeja e tretë është se meqë tregu i kapitalit në Kosovë është ende i vogël, kursimet pensionale të menaxhuara nga TKPK-ja janë aktualisht opsioni i vetëm në dispozicion për punëtorët që të bashkojnë në mënyrë efektive rreziqet e tyre të jetëgjatësisë dhe të investimeve dhe të marrin kthim të arsyeshëm të përshtatur sipas rrezikut.

Atëherë, çfarë duhet të bëjë Qeveria?

Në vend që të përdoren kursimet pensionale, ndikimi i ngritjes së çmimeve të mallrave në ekonomitë familjare duhet të menaxhohet përmes masave të përkohshme dhe të targetuara të politikave fiskale. Madhësia e masave të paralajmëruara deri më tani vlerësohet të jetë rreth 3 për qind e BPV-së. Këto masa do të lehtësojnë në masë të madhe ndikimin e rritjes së kostove të jetesës mbi ekonomitë familjare, duke pasur parasysh se ndikimi i parashikuar i çmimeve më të larta të mallrave në vlerën e importeve të ushqimeve dhe energjisë është rreth 4.5 për qind e BPV-së. Siç u theksua më lart, ndryshimet në politikat pensionale do të duhej që së paku të synonin rritjen e normave të kontributeve dhe shkallën e përmbushjes për të dhënë garanci të bollshme se bartësit e llogarive të TKPK-së kanë kursime të mjaftueshme për pension.

Stephanie Eble është përfaqësuesja rajonale e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Ballkanin Perëndimor. Si Guo është një ekonomist në Departamentin Evropian të FMN-së. FMN, me seli në Uashington DC, është një organizatë prej 190 vendesh, që punon për të nxitur bashkëpunimin monetar global dhe stabilitetin financiar në mbarë botën. Pikëpamjet e shprehura janë të autorit(ve) dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e FMN-së dhe Bordit Ekzekutiv të saj.