Vështrime

Tradhtia e konservatorëve

Admiruesit ndërkombëtarë të Orbanit ngjajnë shumë me ata që dikur quheshin idiotë të dobishëm. Në shekullin njëzet, libra të panumërt u prodhuan për t’i turpëruar intelektualët që lanë veten të mashtroheshin për ta shpallur Bashkimin Sovjetik një parajsë socialiste

E djathta ekstreme globale është në ngazëllim. Pas frenimeve të kohëve të fundit, njëri prej përcaktuesve të standardeve të saj, kryeministri hungarez, Viktor Orbán, e siguroi një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare të këtij muaji. Derisa figurat si politikani nacionalist italian, Matteo Salvini, duket se e kanë paguar çmimin për adhurimin e shkuar të tyre për presidentin rus, Vladimir Putin, as Marine Le Peni që doli e dyta në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze dhe e as Orbáni (aleati më i ngushtë i Putinit në Bashkimin Evropian, dhe gjithashtu shërbëtor i Kinës) sipas të gjitha gjasave nuk e paguan.

Intelektualë të kualifikuar post-liberalë, joliberalë dhe antiliberalë prej kohësh e kanë festuar Hungarinë e Orbanit si një Disneyland nacionalist-konservator (ku burrat janë ende burra dhe gratë janë ende gra). Tani, ata po e përshëndesin atë si liderin e vërtetë të Perëndimit, fitorja elektorale e të cilit duhet parë si një refuzim vendimtar popullor i liberalizmit. Mirëpo, gatishmëria e tyre për t’i justifikuar edhe aspektet më të pakëndshme të sundimit të Orbanit tregon diçka që veçse ishte evidente gjatë presidencës së Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara: ata do të paguajnë çdo çmim që preferencat e tyre të politikës joliberale të realizohen, madje duke pranuar edhe autoritarizmin dhe kleptokracinë.