OpEd

Çfarë ka mbetur pa u thënë për Ibrahim Rugovën?

Në 16-vjetorin e kalimit në amshim të udhëheqësit më të rëndësishëm politik të Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit 20-të.

1.

Ai ishte më i madhi udhëheqës i Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit 20-të. Disa argumente se përse ishte i tillë gjenden në librin «Veç pavarësi, asgjë më pak. Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon (1989-2006» (botimet KOHA). Jam krenar që e kam përkthyer e përgatitur për botim. Liria e Kosovës hyri kryesisht nëpër dyert që i hapi Ibrahim Rugova. Të tjerët vijnë pas tij. Rugova s‘ka nevojë për lulet e askujt. Por, pa e nderuar atë - Kosova e vetëdijshme politike nuk të merr seriozisht si politikan!

2.

Kur Serbia në fillim të viteve 90-të e solli në Prishtinë Ratko Mlladiqin si zëvendëskomandant të Korpusit të Prishtinës të Armatës Popullore të Jugosllavisë me shpresën se shqiptarët do të fillonin një kryengritje të armatosur, Rugova nuk ra në këtë kurth. Mlladiqi shkoi në Knin të Kroacisë, pastaj në Bosnjë. Se çfarë bëri atje, dihet.

3.

Ibrahim Rugova nuk e ka bërë garën politike duke i poshtëruar rivalët e tij. Po ta bënte këtë, nuk do t‘i fitonte zgjedhjet edhe pas luftës. Madje pa fushatë elektorale fare. Një shoqëri është e pjekur kur liderët politikë i nderon duke ua pranuar meritat dhe jo duke ua përmendur orë e çast cenet. Qe, për shembull, çka ka thënë Ibrahim Rugova kur e pyesin se çka do të bëhet nëse zhduket? «Në rezistencë ka edhe njerëz të tjerë pos meje, (Adem) Demaçi, (Rexhep) Qosja, (Rexhep) Ismajli, (Bujar) Bukoshi. Disa bëjnë pjesë në organizatën tonë, të tjerët jo. Ne pajtohemi, ne kuptohemi».

4.

Që nga fundi i viteve 90-të ka një propagandë të tmerrshme mbi qëndrimet e Rugovës rreth lëvizjes së armatosur kundër Serbisë. Ibrahim Rugova kurrë nuk ka thënë se UÇK është vegël e Serbisë. E ka quajtur trupë kryengritëse që ka të drejtë të mbrojë pragun e shtëpisë. Por Ibrahim Rugova ka tërhequr vërejtjen se Serbia mund të ketë futur njerëz (spiunë) edhe në strukturat komanduese të UÇK-së. Në një intervistë për një televizion kosovar («T7») Sami Lushtaku, një figurë qendrore e UÇK-së, ka treguar hapur se Shërbimi Informativ i Serbisë ka infiltruar njerëz në UÇK. Lushtaku pati thënë: «Shërbimi Informativ i Serbisë ka qenë shumë i fortë dhe ka fut njerëz të vet në UÇK. (...) Ka pasur njerëz të Serbisë të infiltruar direkt në UÇK». Ai pat shtuar se është absolutisht e vërtetë që Serbia ka pasur njerëz edhe në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Kjo ka qenë një deklaratë historike. Dhe kjo deklaratë do të ishte edhe më e rëndësishme nëse Sami Lushtaku do të tregonte se kush dyshohet të ketë qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe njëkohësisht agjent i Serbisë. Vetëm kur të dalin në shesh emrat e të dyshuarve, vetëm kur ata të marrin dënimin e merituar, vetëm kur të përjashtohen nga jeta publike (sepse ata edhe sot mund të jenë aktivë), historia e UÇK-së do të rishkruhet. Ndoshta atëherë me më pak njolla - dhe me më shumë qartësi mbi luftën, mosmarrëveshjet mes poleve politike, vrasjet ndërshqiptare në luftë dhe pas luftës. Pas ndriçimit të së kaluarës nuk do të ketë më argumente për të njollosur Ibrahim Rugovën për shkak të deklaratave të tij për UÇK-në. Ai mund të kritikohet (madje ashpër) për politikat e tij të pavendosura, për neglizhencën dhe vendnumërimin, por jo për disa të vërteta që i ka thënë hapur dhe me guxim të pashoq.

5.

Pas tërheqjes së trupave serbe nga Kosova më 1999, kur gjithandej nëpër Kosovë filluan vrasjet e aktivistëve politikë kryesisht të LDK-së, Rugova në një intervistë për DER SPIEGEL tha se tani duhet të kemi kujdes, të ruhemi nga «dreqërit tanë». Këto vrasje kullojnë ende gjak, vrasësit janë në liri dhe LDK, partia e Ibrahim Rugovës, viktimat i ka (keq)përdorur shpesh për poenë politikë. Në fushata elektorale krerë të LDK-së kanë drejtuar gishtin drejt atyre që qenkan urdhërdhënës të vrasjeve, pas zgjedhjeve kanë përfunduar në shtratin politik me po këta njerëz.

6.

Angazhimi patriotik i dr. Rugovës është i hershëm. Disa shembuj. Më 28 nëntor 1968 ai shkruante te «Bota e re»: «Mirë që u mashtruan të gjithë. Mirë që kujtuan se nuk kemi asgjë, se kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. E shpurëm më tej dhe do e shpiem gjersa të gjallërojmë mbi këtë tokë të dashur».

Në prill të vitit 1985, në Kongresin e Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad: «Si mund ta përjetoj lirinë, unë si intelektual shqiptar, në kohën kur nga forcat e ndryshme me pikëpamje dogmatike për çështjen nacionale, më imponohet asimilimi dhe dysia. Dhe si mund ta përjetoj lirinë, kur sot, tashmë qe 3-4 vjet nga publicistika e verbër dhe nga pseudoshkenca e pseudoletërsia kërkohet të zhduket historia ime kombëtare, realiteti historik dhe realiteti shoqëror, me pretekst të cungimit: hiq këtë e hiq atë, madje edhe në pikëpamje kushtetuese».

Më 22 korrik 1990 te gazeta kroate «Nedjeljna Dalmacija» (Split): «Sa i përket afrimit ndaj Shqipërisë ne atë e duam sa edhe afrimin me Europën. Projekti evropian nuk e lejon ndryshimin e kufijve, porse hapjen e tyre; të mos ketë më mure të Berlinit, mure të vdekjes. Ne tash udhëtuam prej Frankfurtit në Strasbur: aty nuk merrej vesh se ku mbaronte Gjermania dhe ku fillonte Franca, po të mos ishin udhërrëfyesit në të cilët shkruante ‘Deutschland’ apo ‘Frankreich’. Kam qenë në Nova Goricë ku italianët vinin për darkë, kurse sllovenët shkonin në Stara Goricë për të pirë kafenë e mëngjesit. Ja, kështu edhe unë do të dëshiroja të shkoj në Shqipëri për të pirë kafe».

7.

Për Ibrahim Rugovën të gjithë e kanë së paku një mendim. Disa e lartësojnë si themeltarin e shtetit të Kosovës, të tjerët e shohin me sy kritik. Politikanët që në faza dramatike shndërrohen në udhëheqës të një populli kalojnë nëpër tri faza: të lavdërimit, mohimit dhe vlerësimit real. Ka ardhur koha që Rugova të vlerësohet realisht. Ndoshta një kontribut për të plotësuar biografinë e tij politike është libri «Veç pavarësi, asgjë më pak. Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon – 1989 – 2006». Libri përfshinë pothuaj të gjitha intervistat, deklaratat, portretet, reportazhet me, rreth dhe mbi Ibrahim Rugovën në shtypin gjermanofon.

8.

Karriera politike e Rugovës në skenën ndërkombëtare dhe pranimi i tij si lider i shqiptarëve të Kosovës fillon me botimin e intervistës së tij të famshme në revistën gjermane «Der Spiegel», më 26 qershor 1989 – dy ditë para se Sllobodan Millosheviqi të mbante fjalimin e tij luftënxitës në Gazimestan me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës. Gjatë viteve 90-të dhe pas luftës Rugova ka folur pothuaj për të gjitha gazetat dhe revistat e rëndësishme gjermane – dhe jo rrallë është ballafaquar edhe me pyetje të pakëndshme. Përgjigjet e tij shpeshherë janë vizionare, nganjëherë të ngathëta për shkak të indiferencës së bashkësisë ndërkombëtare ndaj terrorit në Kosovë, por edhe dobësive të palës shqiptare në organizimin politik.