OpEd

Kleptovalutat kosovare

Në skenën politike vendore asgjë e re. Qasje diametralisht të kundërta prej njëra-tjetrës janë veprimet dhe vendimet e Qeverisë krahasuar me veprimet dhe deklaratat e opozitës. Së fundmi i pamë disa aksione të Policisë së Kosovës në pjesën veriore, më saktë në Leposaviq, ku u konfiskuan 272 pajisje Antminer që përdoren për mihjen e kleptovalutave. Konfiskimi pason masat emergjente për energji elektrike, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor. Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se pajisjet me të cilat prodhohen kleptovalutat shpenzojnë shumë energji elektrike, dhe për ta kursyer atë kanë marrë vendim për ndërprerjen e prodhimit të parave digjitale... I quaj kleptovaluta pasi që dihet se në pjesën veriore të Republikës së Kosovës qytetarët e minoritetit serb nuk paguajnë për shpenzimet e rrymës elektrike, e edhe shërbimet e internetit të nevojshme për mihjen e kleptovalutave i marrin nga Serbia

Pas të gjitha dëshirave dhe uratave tona për Vitin e Ri, ai tashmë e ka marrë rrugën e tij dhe neve udhëtarëve fatlumë që arritëm t’ia dalim mbanë na mbetet që t’i lidhim rripat e sigurisë për befasitë që do të na sjellë në jetë.

COVID-i ende vazhdon të mbetet në mesin tonë dhe ky varianti i fundit është shumë më i bartshëm, porse më i butë për nga simptomat. Këtu, nuk duhet harruar edhe numrin e madh të popullatës tashmë të vaksinuar, gjë kjo që ndihmon në luftimin më të kollajshëm të kësaj pandemie. Por, siç po shihet, ne do të duhet të mësohemi që të jetojmë me këtë virus, ngase, sipas të gjitha gjasave, ai ende nuk po shkon kund.

Në skenën gjeopolitike globale kemi tensione të shumta në vatra të ndryshme dhe vështirë ta imagjinoj se sivjet ndokund nuk do të pëlcasë kupa. Gjasat më të mëdha që kjo të ndodhë, ashtu siç e kam cekur edhe herëve të tjera në Ditarin tim, është që një konflikt i armatosur të nisë ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Aty, dy ushtritë e vendeve janë të rigrupuara pranë vijave të tyre kufitare, e edhe sipas ekspertëve ushtarakë është vetëm çështje kohe se kur do të vihen gjërat në lëvizje.

Pika të tjera të vlimit mbesin kufiri ndërmjet Polonisë dhe Bjellorusisë, derisa as situata në Bosnjë-Hercegovinë nuk është aspak për t’u nënvlerësuar. Dhe sa më përket mua, ajo ende paraqet një vatër krize ku gjërat do të mund të përshkallëzojnë.

Ishim dëshmitarë të parakalimeve të policisë serbe të Republika Srpskas dhe këndimit të këngëve ultra-nacionaliste nga ana e tyre. E njëjta ndodhi edhe në Serbi, ku përveç këndimit të këngëve ultra-nacionaliste u mohua gjithashtu të ketë pasur gjenocid në Srebrenicë.

E kur e mendon se Bashkimi Evropian rishtazi ia hapi kaptinën e re Serbisë për anëtarësim, njeriut s’i mbetet tjetër përveçse ta kapë kokën me duar dhe të çuditet. Ka kohë që tek unë, aq sa kjo gjë çon peshë, vlerat evropiane shkojnë zhag përtokë. Shpeshherë as nuk i fajësoj britanikët që në referendum votuan për largim nga BE-ja. Ndoshta fillimisht vërehen disa vështirësi të cilat i ka sjellë BREXIT-i, por mbetet që të shihet në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë sesi do të manifestohet ky vendim i popullit britanik. Mirëpo për aq sa unë i njoh mentalitetin edhe politikëbërjen e britanikëve, këtu gjërat dallojnë nga Ballkani dhe asgjë nuk vendoset sot për nesër. Këtu gjithmonë ka një plan A, B e edhe C.

Në skenën politike vendore asgjë e re. Qasje diametralisht të kundërta prej njëra-tjetrës janë veprimet dhe vendimet e Qeverisë krahasuar me veprimet dhe deklaratat e opozitës.

Së fundmi i pamë disa aksione të Policisë së Kosovës në pjesën veriore, më saktë në Leposaviq, ku u konfiskuan 272 pajisje Antminer që përdoren për mihjen e kleptovalutave. Konfiskimi pason masat emergjente për energji elektrike, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor. Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se pajisjet me të cilat prodhohen kleptovalutat shpenzojnë shumë energji elektrike, dhe për ta kursyer atë kanë marrë vendim për ndërprerjen e prodhimit të parave digjitale.

Identifikimi i këtyre fermave për mihjen e kleptovalutave mund të bëhet nëpërmjet bashkëpunimit të qytetarëve, pastaj mund të bëhet edhe me anë të shikimit të aktivitetit në internet. Përmes furnizueseve të internetit ka mundësi që të detektohet trafiku që shfrytëzohet për mihjen e kleptovalutave, sepse ato [pajisjet] përdorin protokolle të veçanta të rrjetit.

I quaj kleptovaluta pasi që dihet se në pjesën veriore të Republikës së Kosovës qytetarët e minoritetit serb nuk paguajnë për shpenzimet e rrymës elektrike, e edhe shërbimet e internetit të nevojshme për mihjen e kleptovalutave i marrin nga Serbia.

Deri në ditët e para të janarit, institucionet e Kosovës kanë arritur që në mbarë Kosovën t’i konfiskojnë 472 “Antiminera” për mihjen e kleptovalutave, dhe ky numër pëson rritje përditë, me bastisje të reja. Dihet se secila pajisje Antminer shpenzon me qindra kilowat-orë të energjisë elektrike e që në krizën energjetike, përveç vjedhjes së rrymës apo mospagesës së saj, dëmet shumëfishohen. Por siç ka thënë i moçmi: “livadhin e budallës edhe kali qorr e kullot”. E kështu është kullotur kjo Kosovë e vogël, së cilës zullumi nuk iu hoq asnjëherë.

Fatkeqësisht, në Kosovë nuk është e rregulluar ligjërisht çështja e mihjes së kleptovalutave dhe investimeve në to. Normalisht, situatat e tilla janë tokë fertile për spekulantët dhe njerëzit që dëshirojnë të përfitojnë shumë dhe shpejt.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, KOSTT-i ka konfirmuar rritjen e konsumit të rrymës në veri gjatë periudhës 2018-2022.

“Është evidente që konsumi i energjisë elektrike në vitet e fundit ka shënuar rritje të vazhdueshme në komunat veriore të Kosovës. Rritja e konsumit në pjesën veriore të vendit më 2019, në raport me vitin 2018, ka qenë 8 për qind; rritja e konsumit në vitin 2020 në raport me vitin 2019 ka qenë 13 për qind. Gjithashtu, në vitin 2021 konsumi i energjisë elektrike në veri të Kosovës ka qenë për 13 për qind më i lartë sesa në vitin paraprak”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Komunat në veri të Kosovës llogaritet se shpenzojnë rreth 12 milionë euro energji elektrike në vit. Për inkasimin e energjisë elektrike të shpenzuar në këtë pjesë, institucionet e Kosovës nuk kanë gjetur ende zgjidhje.

Në parim nuk kam asgjë kundër kriptovalutave dhe ekzistencës së tyre. Mendoj se mbetet çështje e shteteve dhe e qeverive që të adaptohen në rrethanat e reja dhe në mënyrën sesi në botën e re digjitale mund të bëhen investimet në kriptovaluta, si dhe transaksionet shumë më të lira se ato bankaret.

Sipas Wences Casares, “për momentin Bitcoini është sikur interneti kur ende nuk ekzistonin shfletuesit” (internet explorer, chrome, firefox etj). Mendoj se analogjia që Casares e ka përdorur me këtë rast është më se e qëlluar.

Potenciali i Bitcoinit dhe i disa kriptovalutave të tjera në një të ardhme të afërt është shumë i madh. Mbetet vetëm të arrihet deri te kanalizimi dhe shfrytëzimi i plotë i këtij potenciali e i cili jo rrallëherë nuk do t’iu konvenojë shteteve të mësuara me mënyrën klasike të prodhimit dhe kontrollit të rrjedhës së parasë dhe sistemeve të komplikuara financiare dhe investive.

Në botën digjitale të kriptovalutave, të gjithë participuesit janë “pronarë”. Nuk është një njeri i vetëm apo institucion që i kontrollon ato, përveç algoritmeve të komplikuara matematikore dhe botës digjitale të internetit.

“Frika e humbjes së kontrollit financiar mbi masat nuk do t'i lejojë bankat qendrore t'ua japin bankave tradicionale lirinë e plotë për të zhvilluar dhe për të inovuar, duke përdorur teknologjinë Blockchain. Por disa nga ato banka do të gjejnë ende një mënyrë për ta anashkaluar atë me kalimin e kohës, pasi dështimi që nuk e bënë këtë do të tërheqë klientët larg tyre”. Ishte kjo një deklaratë e Olawale Daniel një qytetari britanik, i cili beson shumë në të ardhmen e “blockchain technology”.