OpEd

Kufijtë dhe gjëra të tjera

Binjakët me një vit dallim, dy vjet dhe tri vaksina, lartësia e një rrethrrotullimi dhe kotësia e një politike të BE-së

1.

E ruajta si rrëfimin e parë të vitit.

Alfredo Antonio Trujillo u lind pesëmbëdhjetë minuta para se të përfundonte viti 2021, ndërsa motra e tij binjake, Aylin Yolanda, nja pesëmbëdhjetë minuta më vonë, derisa përfundonte edhe kambana e fundit që shënoi kalimin në vitin 2022.

Të lindur prej një barku, binjakët kalifornianë kanë në dokumentet zyrtare një vit dallimi mes tyre. Lindja po qe një proces i pandërprerë dhe siç ndodh te binjakët njëri lind pas tjetrit, por një proces i këtillë biologjik u shndërrua në procesim kufitar kohe. Në sistemin tonë të matjes e evidencave, ekziston një kufi prej një viti që ndan binjakët, duke treguar një anë tjetër të kufirit si konvencion, si rrëfim në kokën tonë.

2.

Qesh i sëmurë me COVID për dy vjet radhazi.

Mora rezultatin e testit në fund të vitit 2021 dhe u shërova javën e dytë të vitit 2022.

Qeshë i vaksinuar me tri vaksina antiCOVID. Kur e mora të parën, ndjeva se kam kaluar një kufi të rëndësishëm jetësor, atë të mbrojtjes së jetës sime prej një virusi që mund të jetë vdekjeprurës. Kur e mora të dytën, ndjeva se jam edhe më thellë në territorin e sigurisë, matanë kufirit që më ndan prej rrezikut. Vaksinën e tretë e mora muajin e fundit të vitit të kaluar, me ndjenjën e përforcuar (fundja, edhe vaksina quhet “booster”, përforcuese) se po hyj në vitin e ardhshëm me një mburojë biologjike të padepërtueshme.

E kalova COVID-in me fare pak simptoma të një rrufeje të lehtë.

Kufiri të cilin e kalova në këtë fillimvit nuk ishte i COVID-it, sepse me të në njëfarë forme - qoftë të kësaj apo ndonjë forme tjetër - mendoj se do të jetojmë. Fundja, virusi është pjesë e natyrës, për aq sa jemi edhe ne.

Kufiri të cilin e kalova ishte mundësia që të mbrohem nga vdekja. Këtë mundësi ma dhanë vaksinat. Këtë kufi të mundësisë së mbrojtjes nuk e kishin dy shokët e mi të rinisë, Agroni dhe Dashi. Ata mbetën matanë kufirit që ndanë jetën prej vdekjes.

3.

SHBA-ja dhe Rusia po mbajnë bisedime në Gjenevë për shtendosjen e situatës në Ukrainë, gjegjësisht për sigurinë në Evropë. Ndonëse flitet për Evropën, janë duke biseduar superfuqia amerikane dhe fuqia euro-aziatike. Në bisedime nuk janë fuqitë tradicionale evropiane, e hiç se hiç Bashkimi Evropian.

Personi i cili përfaqëson edhe në titull politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, Josep Borrell, vizitoi Ukrainën javën e kaluar dhe shprehu zhgënjimin që ndonëse BE-ja është partneri i parë mbështetës (financiar) i Ukrainës, nuk merr pjesë në bisedime.

Është lehtë e kuptueshme. Nëse je në Washington e Moskë (apo në Jerusalem, Damask a ndonjë kryeqytet tjetër që vëzhgon me vëmendje veprimet në zgjidhje krizash) kuti matës i efikasitetit të Josep Borellit është Kosova, e brenda Kosovës, për shembull Mitrovica. Përgjatë dhjetë vjetësh, politika e jashtme dhe e sigurisë e BE-së është marrë me negociata Kosovë-Serbi duke arritur edhe faza të gjata tragjikomike ku ndërmjetësi evropian, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë merren me përcaktimin e lartësisë së murit të rrethrrotullimit në një rrugë të Mitrovicës së Veriut.

Si mund të kërkojë vend në tavolinë, aty ku diskutohet raporti i forcave ushtarake Perëndim-Rusi, aty ku diskutohet e ardhmja a jo perëndimore e një ish-fuqie bërthamore si Ukraina, për përfaqësuesin e modelit diplomatik e të sigurisë, i cili ka kaluar muaj të tërë duke u marrë me njërën urë të Mitrovicës?

Apo, edhe më zi: nëse BE-ja nuk ka arritur të zgjidhë një çështje të lehtë të sigurisë çfarë është njohja e pavarësisë së Kosovës, si pretendon të jetë në gjendje të merret me kthimin e Krimesë në Ukrainë, ndaljen e ofensivës zvarritëse ruse për ta ndarë Ukrainën apo me krizat e tjera në Lindje të Mesme e Kaukaz?

Si pretendon ta kalojë kufirin e seriozitetit? Duke u ankuar se nuk po e trajtojnë seriozisht?

4.

Në Banjallukë, Bosnjë e Hercegovinë, një qytet në një shtet evropian, njësia speciale e Republikës Serbe - djem që u rritën pas përfundimit të luftës - marshon me një këngë në të cilën zotohen se do të luftojnë për kryqin e Nemanjiqëve.

Në Evropën e shekullit XX, forcat e armatosura që pretendonin se po luftonin për kryq ishin ato si nazistët gjermanë apo fashistët hungarezë. Fundi i tyre shënoi kalimin e kufirit prej pjesës më të tmerrshme të historisë evropiane që prodhoi edhe Holokaustin në pjesën më të ndritshme të historisë së saj, projektin e paqes së bashkimit të popujve dikur të antagonizuar evropianë, projekt i quajtur NATO dhe BE.

Duke vëzhguar fashizmin e ri të shekulli XXI, NATO-ja dhe BE-ja po e largojnë veten prej anës së ndritshme të historisë.