OpEd

Gjuha e mamiferëve dhe zoon politikon

Bota po futet në një rrugëtim të vështirë. Përveç mbylljeve të reja nga pandemia, rritja e çmimeve të energjisë elektrike pritet të arrijë deri 50%, ndërkohë që faturat e gazit e të tjerat veçse kanë marrë të përpjetën. Një kohë e tillë ka nevojë për angazhim, për ide e konsensus, por kjo nuk mund të arrihet pa e hapur mendjen. Pa e parë se jemi të gjithë në të njëjtën barkë

Është viti i parë që si me zor e bëmë pemën e fundvitit. Pa ndonjë pritje të madhe. Im bir dhjetëvjeçar na e tha prerë: Unë nuk jam fëmijë që t’i besoj Babadimrit. Mos blini dhurata, po kursejini paratë se kush ju dëgjon që ankoheni për faturat e larta.

Pamë njëri-tjetrin në sy. Bisedat për çështje ekonomike janë ato që lehtësisht i bëjmë në sy të fëmijëve. Tek e fundit ai është në botën e tij. Tek e fundit, ne duam që ai të jetë në botën e tij. Larg nga e jona.

Po jetojmë në kohën ku fëmijët refuzojnë të jenë fëmijë e të rriturit, refuzojnë të jenë të rritur. Psikologët këshillonin që pasojat e pandemisë do të ishin shumë më të mëdha në shëndetin mendor sesa ajo që po dukej në ekonomi, por ne nuk i besojmë gjërat që nuk bëjnë pjesë në praktikat tona të të menduarit. Shëndeti mendor paradoksalisht qëndron larg të menduarit. Ai nuk shkakton dhimbje, hipertension, barkqitje, vjellje…

Secili njeri mendon që është në rregull nga truri, i ditur, i mirë, i drejtë, pa menduar se ky është vetëm këndvështrim i tij. Jemi rritur me përralla ku personazhet ndahen në të mirë e të këqij dhe jemi të prirë të identifikohemi me të mirin. Pra tjetri, ai që nuk i shikon gjërat si unë, qëndron në anën e kundërt, negativen. Nëse flasim për politikë, gjërat marrin përmasa madhore, kundërshtitë qëndrojnë në pole ekstreme duke besuar se janë në anën më të drejtë të botës, atë hyjnoren.

Për dallim nga kafshët, vetëm njeriu bën dallimin mes djallit dhe të mirit, mes së drejtës dhe së padrejtës, shkruan Aristoteli. Por shumica e mendimeve mbi të kuptuarit e botës janë të pavetëdijshme. Shkenca kognitive tregon se vetëm një përqindje e vogël e mendimeve të njeriut janë të vetëdijshme. Përafërsisht 2%, thekson Lakoff, në librin “Moral Politics”.

Pra, çfarë ndodh nëse faktet nuk përkojnë me mënyrën tonë të të menduarit? Studimet japin këto mundësi:

I modifikojmë faktet që të përkojnë.

I injorojmë.

I refuzojmë e mundësisht tallemi me to.

Ose i sulmojmë, nëse ato na kërcënojnë pikëpamjet tona.

Të gjitha këto ndodhin në diskursin politik. Secili homo politicus ose zoon politikon, siç shkruante Aristoteli, është i bindur se qëndron në anën më të mençur, porse tjetri nuk kupton, është budalla, i prapambetur, mashtrues, i paaftë. Skemat mentale të të dyja taborëve janë në kundërshti të përhershme.

Po jap një shembull personal për ta ilustruar si funksionon praktika jonë e të menduarit.

Natën e Krishtlindjes rrezikoja të humbja fluturimin. Kishte trafik dhe shoferi i autobusit nga Prishtina për Tiranë refuzoi të kalonte nga aeroporti. Të gjithë udhëtarët e mbështetën, mes tyre edhe një diplomat. Një djalë i ri, me pamje jo aq elegante, jo aq rurale, më tha të mos e vrisja mendjen. Do të më shpinte ai me makinën e tij që e priste në Fushë-Krujë. Pranova duke i besuar ‘detektorit tim të spiunazhit’ me të cilin vijmë të pajisur në këtë jetë. Zbritëm nga autobusi, hipëm në një makinë luksoze dhe me energjinë e një të riu mbërritëm në kohë. Kur mbërrita në aeroport, derisa djaloshi më ndihmonte me çantën e rëndë, e falënderova me shpirt. Nuk do ta humbja darkën e madhe. Ai duke buzëqeshur më tha se nuk do të më kish lënë kurrë në rrugë dhe se e kuptonte një njeri në hall, vetë sapo kishte dalë nga burgu.

Hapa sytë. A do të kisha hipur në makinë me të nëse do ta kisha ditur këtë fakt më herët?

Sigurisht që jo. Ky ishte një fakt që unë as mund ta modifikoja, as ta injoroja, as ta refuzoja e të tallesha. Për këtë ishte i vetëdijshëm edhe vetë djaloshi, i cili më tregoi vetëm pasi unë po e përshëndesja, pa kërkuar të ma dinte as emrin.

Ngaqë situata nuk është e trilluar e bën edhe më të fuqishme nevojën time për të menduar mbi skemat konceptuale që kam në mendje. A kam nevojë të hedh një hap jashtë tyre për të kundruar botën? Jam e sigurt që kjo do të më kish ndihmuar për të jetuar më mirë, më në paqe.

Në po të njëjtën ditë me historinë e djalit gentleman e të pashkolluar nga Fushë-Kruja, një figurë publike më akuzonte privatisht se isha rreshtuar me forcat e ISIS-it, duke aluduar te Kurti. Fillimisht mendova se po bënte shaka. Por, personi këmbëngulte se vetëm një përkrahës i ISIS-it mund ta fillonte një fjalim me një citat nga Kurani, siç paskësh bërë Kurti, sikur ky të ishte një libër antivlerë, antimoral, i dënueshëm. Çfarë nëse do ta kish filluar fjalimin me ndonjë citat nga Bibla?

Që të mos kemi keqkuptime, theksoj se personi nuk është katolik, por është i bindur, sikurse shumica prej nesh, se vetëm ai ka ide përparimtare, euroatlantike etj. Gjithë të tjerët, kampi tjetër, kanë ide të kundërta, regresive, ekstremiste, të dëmshme, të dënueshme. Problemi është se kur pikëpamjet qëndrojnë gjatë statike tentojnë të bëhen pjesë e identitetit tonë. Na burgosin në mendjen tonë.

Vërtet që politika është luftë për pushtet, por po aq është edhe bashkëpunim për të zgjidhur çështjet e shoqërisë. Kundërshtitë që po shohim në skenën tonë politike nuk do të sjellin asnjë dobi, ato janë qëllim në vetvete ku askush nuk fiton, përveç klientelës nën rrogoz. Debatet shterpe e histerike, ku në vend që të jepen ide e propozime, ndodh barkqitje mendësish janë retorikë boshe, bjerrje kohe. Në një situatë të tillë, populli nuk di çfarë të bëjë me politikën. Nëse nuk arrin ta modifikosh për ta pranuar, e injoron e krejt në fund, atëherë kur të ka qitur prej taktit, e sulmon. Këtu gjërat komplikohen.

Bota po futet në një rrugëtim të vështirë. Përveç mbylljeve të reja nga pandemia, rritja e çmimeve të energjisë elektrike pritet të arrijë deri 50%, ndërkohë që faturat e gazit e të tjerat veçse kanë marrë të përpjetën. Një kohë e tillë ka nevojë për angazhim, për ide e konsensus, por kjo nuk mund të arrihet pa e hapur mendjen. Pa e parë se jemi të gjithë në të njëjtën barkë.

Rreth orës 21.50 mbërrita në shtëpi. Im bir m’u hodh krahë i entuziazmuar. Kishte zbukuruar gjithë shtëpinë. “Kisha frikë se nuk do të mbërrije. Por, Babadimri tregoi se është më i forti. Faleminderit!”.

* Falas