Vështrime

Optimizmi takohet me realitetin

Rreth së ardhmes evropiane për Kosovën

Teksa po i afrohemi fundit të vitit, do të dëshiroja të reflektoja për të ardhmen evropiane të Kosovës. Në Kosovë, mbështetja për anëtarësimin në BE është shumë e fortë; sipas anketës më të fundit, anëtarësimin e mbështet shumica dërrmuese (93%). Ky tregues më bën të lumtur e krenar, si dhe më jep shpresë. Po ashtu, më motivon ta vazhdoj punën time më të rëndësishme si përfaqësuesi i BE-së në Kosovë: t’i ndihmoj Kosovës ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së.

Viti i kaluar solli shumë sfida, por edhe disa zhvillime pozitive. Kosova zhvilloi zgjedhjet parlamentare dhe lokale: të dyja ishin përgjithësisht të administruara mirë, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive. Zgjedhjet e përgjithshme prodhuan një qeveri të fortë me shumicë të qëndrueshme në Kuvend dhe me agjendë reformash ambicioze. Veç kësaj, ky vit u shoqërua me rritje të mirë ekonomike. Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës i ka tejkaluar parashikimet. Kosova, si shumë prej vendeve tona, ka luftuar me pandeminë këtë vit, por po hyn në vitin e ardhshëm me nivele të ulëta të transmetimit dhe shkallë krahasimisht të lartë të vaksinimit. Kosova po e nis vitin e ardhshëm me këmbë të mbarë dhe ka arsye të jeni optimistë për të ardhmen.