Vështrime

Parashikimi meteo-politik: 2022

1. Bota po hyn në vitin e tretë pandemik. Me kufizime të reja, kundër “armikut” të vjetër. Me restriksione në energji e me rrymë më të shtrenjtë. Kush do të besonte se në shekullin e inteligjencës artificiale do të përballeshim me mungesë vaksinash e me rrymë të pamjaftueshme? Post-industrializmi nuk do të vijë aq shpejt sa pritej. Masat dekarbonizuese do të vonojnë e ngrohja globale do të vazhdojë.

2. Në vitin 2022, gjeopolitika e vaksinave dhe e energjisë do ta dominojnë agjendën globale. Shiringat dhe kilovatët do t'i përcaktojnë prioritetet qeveritare e do të ngarkojnë buxhetet shtetërore. Kina do të mbetet e varur për energji nga Rusia, kurse perëndimi syçelë ndaj “Jaltës së re”. SHBA-ja nuk do të lejojë një bosht lindor të ri të luftës së ftohtë të vjetër. Washingtoni do i kundërvihet globalisht autoritarizmit, me diplomaci të mbështetur me forcë. Pacifiku do të mbetet prioritet i tij, por paqja midis dy Koreve nuk do të arrihet e as Tajvani nuk do të pushtohet nga Kina. Indo-Pacifiku do të mbetet arenë e përplasjeve globale, por Ukraina mund ta rikthejë radarin amerikan në Evropë. NATO do i rikthehet misionit të vet origjinal: mbrojtjen e Evropës nga Moska, sidomos, kur kërcimet ruse po zbresin nga Baltiku në Ballkan. Kjo strategji ruso-kineze për ta lodhur SHBA-në njëkohësisht në dy fronte: në lindjen e largët (përballë Kinës) dhe në Evropë (karshi Rusisë) do të dështojë. Erërat e ftohta veri-lindore nga Siberia e Manxhurija nuk do ta përballojnë stuhinë perëndimore Atlantike.