Derisa kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në fillimin e Konferencës së 12-të Ministrore të OBT-së në Gjenevë, tani është momenti për një marrëveshje. Dështimi për të arritur një përfundim, jo vetëm që do të dëmtonte oqeanin dhe jetesën e atyre që varen prej tij, por gjithashtu do të pakësonte sistemin global të bazuar në rregulla dhe do të dëmtonte ndjekjen e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm
Oqeani mbulon më shumë se 70% të sipërfaqes së planetit tonë, prodhon gjysmën e oksigjenit që thithim, ushqen miliarda njerëz dhe siguron qindra miliona vende pune. Gjithashtu luan një rol të madh në zbutjen e ndryshimeve klimatike: mbi 80% e ciklit global të karbonit kalon nëpërmjet oqeanit. Mirëpo ky burim i çmuar natyror nuk është i pathyeshëm. Pavarësisht të gjitha përfitimeve që na ofron, oqeani sot përballet me kriza të pashembullta të nxitura nga njeriu dhe të cilat kërcënojnë shëndetin dhe aftësinë e tij për të mbajtur jetën në Tokë.
Kërcënimi më i madh për biodiversitetin detar është mbipeshkimi. Më shumë se një e treta e rezervave globale të peshkut mbipeshkohen dhe 60% e tjerë janë peshkuar plotësisht. Çdo vit, qeveritë në mbarë botën inkurajojnë mbipeshkimin, duke ofruar 22 miliardë dollarë subvencione të dëmshme të peshkimit. Edhe pse këto subvencione janë krijuar për të ndihmuar në mbështetjen e komuniteteve bregdetare, ato në vend të kësaj mbështesin aktivitetin e paqëndrueshëm dhe jofitimprurëse të peshkimit, duke shteruar vetë burimin, nga i cili varet jetesa e popullatës lokale.
Ky problem nuk është i ri. Në fakt, anëtarët e Organizatës Botërore të Tregtisë janë përpjekur të negociojnë një marrëveshje për të frenuar këto pagesa të dëmshme që nga viti 2001. Udhëheqësit botërorë përsëritën angazhimin e tyre për të trajtuar çështjen kur ranë dakord më 2015 për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG-të). Sipas SDG 14, i cili synon të vendosë një oqean të shëndetshëm në qendër të agjendës globale të zhvillimit të qëndrueshëm, udhëheqësit premtuan deri në vitin 2020 të arrijnë një marrëveshje në OBT, që do t’i reduktonte subvencionet e peshkimit. Por ata humbën afatin, pasi negociatat u ngadalësuan gjatë periudhës më të keqe të pandemisë COVID-19.
Hulumtimet tregojnë se nëse anëtarët e OBT-së do të eliminonin të gjitha subvencionet e dëmshme të peshkimit – skenari më ambicioz – biomasa globale e peshkut mund të rritet me 12.5% deri në vitin 2050. Kjo është një shtesë prej 35 milionë tonë metrikë peshq, ose më shumë se katër herë konsumi vjetor i peshkut në Amerikën e Veriut në vitin 2017. Dhe ky është një vlerësim konservator. Heqja e subvencioneve shkatërruese do të thotë vërtet më shumë peshq në det.
Qëllimi nuk është heqja e mbështetjes prej komuniteteve të peshkimit, por ridrejtimi i saj në një mënyrë më kuptimplote dhe më pak të dëmshme. Edhe nëse një marrëveshje nuk eliminon të gjitha subvencionet e dëmshme, ajo do të krijonte një kornizë globale të përgjegjshmërisë dhe transparencës për programet e subvencioneve. Kjo, nga ana tjetër, do të nxiste dialogun midis qeverive, komuniteteve të peshkimit dhe palëve të tjera të interesuara për të nxitur zhvillimin e politikave të ridizajnuara, që mbështesin më mirë peshkatarët, duke mbrojtur të përbashkëtat tona globale.
Për më tepër, një marrëveshje është e arritshme – nëse ekziston vullneti politik për ta arritur atë. Dështimi më i fundit i negociatave rezultoi nga dallimet mbi mënyrën e strukturimit të fleksibilitetit në regjimet e subvencioneve për vendet në zhvillim, si dhe se si të përcaktohen dhe zbatohen rregullat për peshkimin e paligjshëm dhe stoqet e qëndrueshme. Por, pas propozimeve dhe diskutimeve të shumta, drafti gjithëpërfshirës në tryezë kombinon masat për t’i frenuar subvencionet e dëmshme, me përjashtime specifike për vendet në zhvillim.
Derisa kanë mbetur edhe disa ditë deri në fillimin e Konferencës së 12-të Ministrore të OBT-së në Gjenevë, tani është momenti për një marrëveshje. Dështimi për të arritur një përfundim, jo vetëm që do të dëmtonte oqeanin dhe jetesën e atyre që varen prej tij, por gjithashtu do të pakësonte sistemin global të bazuar në rregulla dhe do të dëmtonte ndjekjen e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Në të kundërtën, përfundimi i subvencioneve të dëmshme të peshkimit do të reduktonte presionet kumulative në oqean dhe do të rriste elasticitetin e tij përballë ndryshimeve klimatike.
Në vazhdën e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgou, qeveritë duhet të demonstrojnë gatishmërinë e tyre për të përdorur çdo mjet që kanë në dispozicion për të trajtuar krizën klimatike. Aksionet në Konferencën e ardhshme Ministrore të OBT-së ndoshta nuk kanë qenë kurrë më të larta. E ardhmja e bashkëpunimit tregtar shumëpalësh është në rrezik; por, mbi të gjitha, vendet e punës, siguria ushqimore dhe shëndeti i të përbashkëtave tona globale janë në linjë.
Kjo është arsyeja pse 33 ish-udhëheqës qeveritarë dhe ministra nga e gjithë bota kanë bashkuar forcat me afro 400 shkencëtarë për t'u kërkuar anëtarëve të OBT-së që “të shfrytëzojnë mandatin e tyre politik për të mbrojtur shëndetin e oqeanit dhe mirëqenien e shoqërisë”.
Qeveritë kanë dhënë fjalën e tyre se do të frenojnë subvencionet shkatërruese të peshkimit. Takimi i javës së ardhshme në Gjenevë do të testojë besueshmërinë e këtij zotimi.
(Helen Clark është ish-kryeministre e Zelandës së Re (1999-2008), Arancha González është ish-ministre e Jashtme e Spanjës (2020-21), Susana Malcorra, ish-ministre e Jashtme e Argjentinës (2015-17), James Michel ish-president i Republikës së Sejshelleve (2004-2016). Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)