Vështrime

Hipokrizia klimatike e botës së parë

Problemi është se interesat e fuqishme të korporatave janë të lidhura ngushtë me lidershipin politik. Njerëzit anembanë botës e sidomos në Veriun Global, duhet të bëhen shumë më të zhurmshëm në këmbëngulje për një veprim kuptimplotë klimatik dhe një ndryshim real në strategjinë ekonomike që të ringjallet përtej kufijve kombëtarë. Vetëm kjo mund t’i japë fund hipokrizisë së gjelbër të botës së pasur dhe të na shpëtojë të gjithëve

Njerëz anembanë botës tashmë po e konsiderojnë Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin Klimatik (COP26) në Glasgou zhgënjim. Është një nënvlerësim masiv. Udhëheqësit botërorë – veçanërisht ata të vendeve të zhvilluara - akoma po dështojnë në kapjen e përmasave të sfidës së klimës. Edhe pse e kanë parasysh rreptësinë dhe urgjencën në fjalimet e tyre, kryesisht ndjekin interesat afatshkurta kombëtare dhe bëjnë premtime të largëta për emetimet në rrjetin zero pa angazhime të qarta dhe të menjëhershme për të vepruar.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq, deklaratat e shumë liderëve të vendeve të pasura në Glasgou janë në kundërshtim me strategjitë e tyre aktuale të klimës dhe çfarë thonë ata në kushte të tjera. Kështu, ndërkohë që liderët e G7-s në samit merreshin me zotimet për emetimet e gjelbra për disa dekada në të ardhmen, ata ishin të zënë duke lejuar dhe mundësuar më shumë investime në lëndët fosile që do të krijojnë prodhim shtesë dhe emetime të gazrave në afat të mesëm.