OpEd

Taksë të pasurve!

Hapja e ekonomisë globale gjatë 30 vjetëve të fundit ka nxjerrë me qindra miliona njerëz nga varfëria e skajshme, ama edhe i ka pasuruar korporatat shumëkombëshe, të cilat kanë qenë në gjendje që t’i ndryshojnë taksat për fitimet në korporata në cilëndo shkallë që ishte më e ulët

“Sistemi tatimor ka anuar kah të pasurit dhe larg shtresës së mesme në dhjetë vjetët e fundit. Kjo gjë është dramatike dhe nuk mendoj se është e përshtatshme. Dhe mendoj se duhet të adresohet”.

Kështu pati thënë investuesi miliarder, Warren Buffet, 18 vjet më parë. Këtë pretendim e ilustroi duke e vëzhguar stafin në zyrën e tij: ndonëse asokohe ishte personi i dytë më i pasur në botë, ai paguante përqindje më të ulët të taksave në të ardhura sesa që paguante recepsionisti i tij.
Që atëherë, pabarazia ekonomike vetëm sa është përkeqësuar, pjesërisht shkaku i rritjes së aksioneve të teknologjisë që janë jashtëzakonisht të çmueshme, por që nuk deklarojnë dividentë. Më 2020, gjashtë nga dhjetë amerikanët më të kamur – Jeff Bezosi, Mark Zuckerbergu, Warren Buffetti, Larry Page, Sergei Brini dhe Elon Musku – ishin hisedarët më të mëdhenj të korporatave që nuk paguajnë dividentë. Bashkërisht peshonin 500 miliardë euro, apo sa 0.5 përqindëshi i pasurisë totale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Muajin e shkuar, një dokument nga Shtëpia e Bardhë, në bashkautorësi të ekonomistëve të Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë dhe Zyrës për Menaxhment dhe Buxhet, vlerësoi se 400 familjet më të kamura amerikane, pasuria e secilës prej tyre e kalon vlerën e 2 miliardë dollarëve, paguan taksa federale mbi të ardhura me një shkallë mesatare prej 8.2 për qind nëse përfitimet në stokun e pashitur llogariten si të ardhura. Taksapaguesi i rëndomtë amerikan paguan 13.3 për qind taksa federale për të ardhura.

Deficiti buxhetor i SHBA-së, si një përqindje e GDP-së, tani është në nivelin e dytë më të lartë që nga viti 1945. Sondazh pas sondazhi, amerikanët kanë thënë se duan që të pasurit të paguajnë taksa më të larta, të cilat do ta reduktonin deficitin dhe do ta përmirësonin njëherësh edhe barazinë. Megjithëkëtë, Kongresi nuk i ngrit taksat për të pasurit.

Kijeni parasysh boshllëkun skandaloz të “interesit të bartur” në kodin tatimor të SHBA-së, i cili i lejon menaxherët e fondeve të investimit që të paguajnë tatim më të ulët për tarifat që i marrin nga klientët e tyre, sikur këto tarifa të ishin fitime kapitale, e jo të ardhura.

Presidenti Joe Biden ka thënë se e synon që ta mbushë këtë hendek, por propozimet për reforma tatimore duhet të kalohen nga Komisioni i Dhomës për Mënyra dhe Mjete, i cili drejtohet nga Richard Neali. Më 2007, demokrati Neal e mbështeti përpjekjen e pasuksesshme për ta mbyllur hendekun. Mandej nisi të pranonte donacione të majme nga sektori i korporatave, përfshirë 29.9 milionë dollarët për fushatën e tij më 2020. Muajin e shkuar, Komisioni për Mënyra dhe Mjete i shpalosi propozimet për reforma tatimore. Mbyllja e hendekut të interesit të bartur nuk ishte mes tyre.

Është i pashmangshëm konstatimi: Shtetet e Bashkuara nuk janë më demokraci. Plutokraci.

Por edhe vendet ku paraja ka më pak ndikim mbi legjislacionin kanë telashe me tatimet mbi të pasurit.

“Pandora Papers”, të publikuar në fillim të muajit nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues, tregoi sesi të kamurit në më shumë se 200 shtete dhe territore po i mbajnë pasuritë e tyre jashtë vendit, shumica për t’i shmangur taksat.

Mes tyre ishte ministri brazilian i Financave, Paulo Guedes, i cili e ka përgjegjësinë fundore për ngritjen e të ardhurave që i nevojiten vendit të tij, por që i ka larguar pothuajse 10 milionë dollarët e pasurisë së tij dhe të familjes në Ishujt Virgjine të Britanisë.

Andrej Babis, kryeministër i Republikës Çeke në kohën kur dokumentet u publikuan, pretendoi se vendimi i tij për t’i bartur fondet e tija në llogaritë jashtë vendit nuk përmbanin ndonjë të keqe. Elektorati mund të ketë qenë skeptik: si pasojë i humbi zgjedhjet.

Kur liderët e G20, grup ky që i ngërthen ekonomitë më të avancuara dhe më të zhvilluara të botës, të takohen në Romë këtë javë, ata pritet që ta mbështesin marrëveshjen për tatimimin e korporatave më të mëdha me një shkallë minimale prej 15 për qind. Synimi është që t’i jepet fund një gare që i ka ulur normat tatimore për korporatat, përderisa shtetet konkurrojnë që të joshin investime. Por marrëveshja do të ndahet në etapa për rreth dhjetë vjet dhe përmban përjashtime të theksueshme. Madje edhe për korporatat që nuk kualifikohen për përjashtim, shkalla minimale prej 15 për qind është më e ulët sesa që paguajnë shumica e kompanive me seli në vendet e zhvilluara.

A ka edhe ndonjë gjë tjetër që G20-a mund të bëjë rreth pabarazisë tatimore midis të pasurve dhe shumicës së njerëzve që punojnë?

Ekonomistët Emmanuel Saez dhe Gabriel Zucman nga Universiteti Berkeley i Californias sugjeruan një taksë vjetore mbi pasurinë prej 0.2 për qind mbi vlerën e aksioneve të të gjitha korporatave të listuara si publike.

Për më tepër, Saez dhe Zucman aluduan se taksa mbi pasurinë nuk do të ndikonte në disponueshmërinë e financave të korporatave, ngase kompanitë e tregtuara publikisht mund lëshojnë më shumë aksione (duke e ulur lehtësisht vlerën e aksioneve ekzistuese) dhe në këtë proporcion t’u paguajnë taksa qeverive, të cilat më pas mund t’i shesin aksionet në treg. Zgjerimi i taksave te korporatat e mëdha private mund gjithashtu të jetë i zbatueshëm, duke i përdorur metodat standarde të përcaktimit të vlerës.

Hapja e ekonomisë globale gjatë 30 vjetëve të fundit ka nxjerrë me qindra miliona njerëz nga varfëria e skajshme, ama edhe i ka pasuruar korporatat shumëkombëshe, të cilat kanë qenë në gjendje që t’i ndryshojnë taksat për fitimet në korporata në cilëndo shkallë që ishte më e ulët.

G20-shi mund ta hedhë një hap drejt korrigjimit të kësaj, duke e pranuar shkallën e propozuar minimale prej 15 për qind, porse kjo do ta linte të paprekur pasurinë që buron nga kompanitë ende në nismë të veprimtarisë që nuk gjenerojnë fitime, por që kanë çmime të larta të aksioneve. Vendet e G20-s mund ta zgjidhin këtë problem duke e adoptuar një taksë mbi pasurinë sipas rekomandimit të Saezit dhe Zucmanit.

(Peter Singer, profesor i Bioetikës në Universitetin e Princetonit, është themelues i organizatës jofitimprurëse “The Life You Can Save”. Ai është autor i librave “Animal Liberation”, “Practical Ethics” dhe “Ethics in the Real World”. Komenti është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)