Vështrime

Jeta amerikane e Colin Powellit

Pas kryerjes së detyrës qeveritare, Powelli foli kundër devijimit joliberal që do të karakterizonte Partinë Republikane. Ai vazhdoi të mbetej njeri i moderuar dhe karakter i fortë deri në fund. Në këtë pikë të kujtonte shumë bashkëkohës të tij, përfshirë Brent Scowcroftin dhe George P. Shultzin, që të dy ndërruan jetë së fundmi. Fatkeqësisht, për SHBA-në dhe botën janë të paktë në jetën publike amerikane ata që sot mund të zënë vendin e tyre

New York – Colin Powell, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare Amerikane, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe ish-sekretari i Shtetit, i cili vdiq javën e kaluar në moshën 84-vjeçare, ishte tamam amerikan, i biri i prindërve emigrantë. Ai përherë ishte në gjendje gatishmërie, aso që këshillonte që “të mos rrëmbehesh nga frikët ose kundërshtuesit” dhe se “optimizmi i përhershëm është forcë shumëfishuese”.

Të gjithë ne jemi formësuar prej përvojave të jetës së hershme dhe Powelli nuk bënte përjashtim. Për të ishte Lufta e Vietnamit, ku kishte shërbyer dy orë si oficer i ri ushtrie. Ai e kishte kuptuar qartësisht se si politika dhe lidershipi i dobët do të mund të kushtonin jetë njerëzish dhe do të mund të shkatërronin institucionet, dhe i kishte kuptuar abstraksionet globale që kishin arritur deri në Uashington e që zbatoheshin në mënyrë gjysmake anembanë botës. Me këtë përvojë të drejtpërdrejtë ushtarake, lufta për Powellin asnjëherë nuk ishte më pak se reale.