Vështrime

Metamorfoza e politikës së rritjes

Politika më e mirë sociale – që mundëson reduktimin e varfërisë dhe avancon sigurinë e ekonomive të zhvilluara – është që të krijohen vende të reja më të mira pune për punëtorët me shkathtësi më pak të zhvilluara. Me fjalë të tjera, politika sociale duhet të fokusohet në firma familjare. Dhe konteksti i ri global dhe teknologjik implikon se rritja ekonomike është tani e mundshme vetëm duke rritur produktivitetin në firma më të vogla joformale, që punësojnë një mori punëtorësh të varfër dhe të shtresës së mesme. Politika e zhvillimit mund të unifikohet më në fund

Politika zhvillimore prej kohësh ka qenë e ndarë midis dy lloj qasjesh. Njëra i vë në shënjestër drejtpërsëdrejti njerëzit e varfër dhe synon që ta zbusë varfërinë në amvisëritë individuale – nëpërmjet mbështetjes në të ardhura, intervenimeve në shëndet dhe arsimim, si dhe me qasjen e zgjeruar në kredi. Tjetra përqendrohet në zgjerimin e mundësive ekonomike dhe në ngritjen e prodhimit të përgjithshëm – nëpërmjet politikave makroekonomike dhe tregtare në mbarë ekonominë apo reformave ligjore dhe rregulluese. Quajeni të parën politikë sociale dhe të dytën politikë të rritjes.

Këto dy lloje politikash janë përgjithësisht komplementare. Rritja agregate mund të mos u ndihmojë përherë të gjithëve, veçanërisht të varfërve. Si pasojë, programet antivarfëri do të bëhen të domosdoshme edhe atëherë kur politika e rritjes e kryen si duhet punën e saj. Megjithëkëtë, herë pas here, politikat sociale dhe ato të rritjes janë parë si zëvendësuese.