OpEd

Gjyveçi ballkanik jo në tavë, por në BE

Kosovës i mbetet që të vazhdojë me kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe vetëforcimim e shtetit, ekonomisë, shëndetësisë, arsimit, të drejtave të pakicave, jo për hir të bashkësisë evropiane dhe kushteve të saj, por për hir të vetes dhe qytetarëve të saj. Eventualisht edhe bisedimet me Serbinë duhet ta marrin një epilog. Ai do të duhej të ishte një bisedim ndërmjet të barabartëve deri në njohjet reciproke me të gjitha garancitë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në të dyja shtetet

Tetori i vitit 2021 në Angli sjell kujtimet e fëmijërisë nga vitet e hershme të të ‘80-ve kur në të ashtuquajturën Jugosllavi mbretëronte një krizë për derivatet e naftës. Kriza e shkaktuar në Angli e ka një tjetër origjinë. Rezerva të derivateve të naftës ka në sasi të mjaftueshme, mirëpo ajo që është e mangët janë shoferët e cisternave, të cilat furnizojnë pompat e benzinës.

E gjithë kjo problematikë e shkaktuar nga BREXIT-i dhe kthimi i shoferëve të shumtë në shtetet e tyre të origjinës në kuadër të BE-së. Qeveria britanike së fundmi ofroi një program atraktiv me viza 3-mujore për atraktimin e shoferëve të kategorisë HGV nga shtetet e bashkësisë evropiane, gjithashtu, me pagesë atraktive. Përgjigjja të cilën e mori Qeveria britanike nga këta shoferë ishte "jo ju faleminderit nuk jemi të interesuar që ne të punojmë e që në fund ju anglezët të kënaqeni për festat e krishtlindjes!".

Tash pritet që të angazhohet ushtria britanike për furnizimin e pompave të benzinës me derivatet e naftës dhe të mundohet që sadopak të lehtësojë këtë krizë të shkaktuar. Mirëpo, pyetja tjetër legjitime, e cila ngrihet është se çka pas derivateve të naftës, cilët do të jenë artikujt e tjerë që do të mungojnë për shkak të mungesës së shoferëve të kamionëve.

Qeveria britanike ka shkuar aq larg sa që edhe kriteret për testin e kësaj kategorie të shoferëve i ka lehtësuar për 50 për qind.

Javën e kaluar ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe i bëri Qeverisë britanike një ofertë joshëse. Ai u ofroi 5,000 shoferë të kamionëve për 3 muaj pa kurrfarë kompensimi.

E dyshoj që Qeveria britanike do ta pranojë këtë ofertë, mirëpo si kurtuazi ambasadori ka goditur në qendër. Pavarësisht faktit se Britania e Madhe nuk i njeh patentë-shoferët e Republikës së Kosovës, një ofertë e ngjashme nga Qeveria e Kosovës do të ishte më se adekuate. Së paku si shenjë mirënjohjeje për një shtet mik dhe përkrahës të Kosovës siç është Mbretëria e Bashkuar. Zonja Donika Gërvalla, merr shënime të lutem!

Të mërkurën u mbajt samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve të BE-së në Bërdo të Sllovenisë. Nga ajo që mund të nxirrja si përfundim nga ky takim ishte një vazhdimësi e shterpësisë së Bashkimit Evropian për jovendosmëri dhe mungesë plani konkret për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjithçka bëhet me kalkulim. Me zgjedhjet në Francë, me krijimin e Qeverisë së re në Gjermani, me qerpikët e dallëndysheve të Skotlandës e me 1001 arsyetime të tjera.

Bashkësia evropiane me daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga ajo dhe me problemet e shfaqura me Hungarinë dhe Poloninë si anëtare të saj sikur ndodhet në udhëkryq nga i cili as vetë nuk e di si do të dalë. Prandaj, premtimet e përmbushjes së kushteve për shtetet e Ballkanit Perëndimor mbeten të njëjtat sikur të babadimrit. Gjermania nuk po pranon që pranimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të shteteve të BE-së të bëhet as në vitin 2030. E, edhe pas asaj kohe gjithmonë do të dalë një arsye tjetër shtesë për shtyrjen e përmbarimit të këtij procesi. Do të dalin kushte të reja, do të dalin zgjedhje dhe interesa politike të reja, si dhe nënsqetullat e trumcakëve të Ballkanit Perëndimor do të jenë djersitur më shumë sesa që parashohin dispozitat ligjore të Bashkimit Evropian.

Mendoj se burokracia e stërtepruar e BE-së, si dhe 1001 kushtet dhe konditat për t’u anëtarësuar në të, mund të jenë pikërisht ato të cilat edhe do ta ngufasin atë. Fundja, problemet po i kanë edhe me shtetet anëtare ekzistuese e lëre më inkuadrimin e të rejave. Në anën tjetër, Rusia dhe Kina në dukje të parë lënë përshtypjen se po qëndrojnë në heshtje, mirëpo me ekonomitë e tyre po depërtojnë në vendet me interesin e tyre gjeopolitik gjithmonë aty ku bashkësia ndërkombëtare e në këtë rast edhe BE-ja tregojnë hezitim dhe jovendosmëri veprimi.

Mendoj se egot e veprimit vetjak dhe interesave vetjake për momentin janë prevalente në BE dhe vërehet një mungesë uniteti për një interes të gjithmbarshëm të këtij organizimi.

Britania e Madhe mund të përqeshet për momentin me zgjedhjen e saj për daljen nga ky Union, mirëpo duke e njohur politikëbërjen angleze, këtu pasuli hahet kokrra-kokrra dhe këta i mendojnë dhe i parashohin gjërat së paku 50 vjet më herët.

Siç kishte deklaruar Gandhi në shekullin e kaluar: "Po t’i shihni dy peshq në fund të oqeanit duke u grindur me njëri-tjetrin, të jeni të sigurt se ndërmjet tyre qëndron një anglez".

Jam i mendimit se Kosovës i mbetet që të vazhdojë me kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe forcimin e shtetit, ekonomisë, shëndetësisë, arsimit, të drejtave të pakicave - jo për hir të BE-së dhe kushteve të saj, por për hir të vetes dhe qytetarëve të saj. Eventualisht, edhe bisedimet me Serbinë duhet ta marrin një epilog. Ai do të duhej të ishte një bisedim ndërmjet të barabartëve deri në njohjet reciproke me të gjitha garancitë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në të dyja shtetet.

Nëse kanë mundur Franca dhe Britania e Madhe të ndërtojnë fqinjësi të bazuar në interesa të përbashkëta, Gjermania e Franca, e edhe shumë vende të tjera evropiane të cilat luftimet e tyre ndërshekullore i kanë pasur shumë të përgjakshme përgjatë rrugëtimit historik, atëherë edhe Republika e Kosovës dhe Serbia mund ta ndërtojnë një të tillë.

Duhet të përfundojë qasja ku për disa pikë të brendshme politike për zgjedhje të radhës të luhet me kartën e nacionalizmit dhe jo-tolerancës ndëretnike. Ato kohëra kanë përfunduar. Ndoshta aktorët e tanishëm në politikëbërjen e shtetit serb nuk janë në gjendje për një qasje të tillë dhe gjithmonë u duhet Kosova si peng për politikat e tyre ditore dhe ushqimin e nacionalizmit nga i cili ende nuk janë përshëndetur. Tashmë dalin me moton e krijimit të "Botës Serbe". Term më i "kapërdishëm" sipas tyre se të quhej "Serbia e Madhe", mirëpo idetë dhe platforma mbeten të njëjtat.

Kjo me automatizëm ngre alarm te shtetet fqinje, të cilat "Botën Serbe" e kishin provuar më parë, me vrasjet makabre, shkatërrimet, dhunimet dhe gjenocidin e shkaktuar. Regjisorët dhe aktorët e njëjtë mund t'ia ndërrojnë titujt filmave të rinj, por zhanri mbetet i njëjtë. Horror.

I mbetet bashkësisë evropiane, e cila do të duhej të zgjohej nga letargjia që e ka kapluar së paku në dekadën e fundit. Po qe se vazhdohet me avazin e egove të shteteve më të forta përbrenda saj, druaj se Britania e Madhe nuk do të mbetet shteti i vetëm, i cili është larguar nga ajo. Gjyveçi ballkanik me të gjitha problemet e veta do të duhej të ishte temë nga e cila bashkësia evropiane nuk do të duhej ta kishte luksin që të ndahej dhe të qëndrojë inerte si dhe indiferente.