OpEd

Me oksigjen industrial dhe mjedra patriotike kundër koronës

Oksigjeni industrial përdoret për të salduar. Në disa spitale në pjesën e qeverisur nga serbët në Bosnjë me këtë oksigjen janë trajtuar edhe pacientët e goditur nga korona. Në federatën boshnjako-kroate një ndërmarrje për prodhimin e mjedrave e ka fituar tenderin për të blerë respiratorë në Kinë, të cilët rezultuan të papërdorshëm

Ndërkohë që bota flet për një tabletë me emrin “Molnupiravir”, e cila ndoshta para vitit të ri do të dalë në treg dhe do të përdoret kundër koronës, në Bosnjë-Hercegovinë dominojnë tema të tjera. Kryetari i Banjallukës, kryeqytetit të pjesës së qeverisur nga serbët në Bosnjë, këto ditë doli para mediave dhe ngriti akuza të rënda kundër pushtetarëve. Drashko Stanivukoviq tha se dispononte me dëshmi që në disa spitale në “republikën serbe” (si në Banjallukë, Trebinje, Doboj) pacientët me koronë – ndërsa kanë qenë të lidhur me respiratorë - janë trajtuar me oksigjen industrial dhe jo me oksigjen mjekësor. Autoritetet e përgënjeshtruan lajmin, pastaj thanë se oksigjeni ishte i pastër, domethënë nuk e përjashtuan eksplicit-përdorimin e oksigjenit industrial për trajtimin e pacientëve.

Stanivukoviq mori kërcënime me vrasje. Ndërkohë janë arrestuar dy persona, njërit i është konfiskuar një revole. Hetues policorë bastisën Qendrën klinike-universitare në Banjallukë, prokuroria ka nisur hetimet, ndonëse nuk duhet pasur pritje të mëdha: në Ballkan, jo vetëm në Bosnjë, hetimet fillojnë shpejt e rrallëherë përfundojnë me dënimin e fajtorëve, sidomos kur bëhet fjalë për fajtorë me pushtet.

Njëra ndër firmat që ka furnizuar spitalet me oksigjen industrial quhet “TGT Tehno Gas”. Drejtor i saj është ish-ministri i Punëve të Brendshme të “republikës serbe”. Kjo firmë ka të drejtë të importojë oksigjen industrial, por jo mjekësor. Për këtë duhet licencë e veçantë. “A e dinë pacientët se ata kanë marrë oksigjen pa licencë, pa certifikatë dhe pa kontrolle?”, pyeti kryetari i Banjallukës, një kundërshtar i Milorad Dodikut, sundimtarit populist në “republikën serbe”. Mund të jetë rastësi, por zor të besohet: firma “TGT Tehno Gas” e ka selinë në Laktashi afër Banjallukës, ku është lindur Milorad Dodiku.

Disa familje të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë pandemisë janë të bindura se trajtimi me oksigjen industrial ka pasur pasoja fatale. Në emër të familjeve një avokat tashmë ka dorëzuar padi kundër autoriteteve. Mediat boshnjake njoftojnë se në pjesën e qeverisur nga serbët numri i të vdekurve nga korona është shumë më i lartë se në federatën boshnjako-kroate. Në “republikën serbe” jetojnë 1.3 milionë banorë, në pjesën boshnjako-kroate mbi dy milionë.

Së fundi në Banjallukë është arrestuar drejtori i Departamentit të Shëndetësisë për shkak të dyshimeve se ka manipuluar me tenderë me rastin e blerjes së materialit mjekësor. Ai dyshohet po ashtu për shpëlarje parash.

Por krimi, korrupsioni, ryshfeti e keqmenaxhimi nuk janë fenomen i izoluar vetëm në pjesën serbe të Bosnjës. Vitin e kaluar, disa javë pas përhapjes së pandemisë, tenderin për të blerë respiratorë në Kinë e fitoi një ndërmarrje për prodhimin e mjedrave. Pronar i firmës është një moderator televizioni. Pas importimit të respiratorëve, rezultoi se aparatet ishin të papërshtatshme për trajtimin e pacientëve të prekur nga korona. Drejtësia reagoi duke arrestuar disa politikanë, mes tyre edhe kryeministrin e federatës boshnjako-kroate Fadil Novaliq. Aktualisht është duke u zhvilluar procesi gjyqësor kundër Novaliqit dhe të tjerëve. Asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dorëheqje. Pas seancave gjyqësore Novaliq vazhdon të ushtrojë detyrën thua se nuk ka ndodhur asgjë.

Regjisori i filmit dhe teatrit nga Sarajeva, Dino Mustafiq, në lidhje me aferat e fundit shkroi: “Këto dy afera treguan verbërinë e pushtetarëve në kohërat më të vështira të pandemisë. Vrasin dhe ngufasin popullin deri në frymën e fundit. Kështu krimi i organizuar dhe nacionalizmi ecin dorë më dorë në Bosnjë. Ky është vazhdim i asaj që ka qenë krim lufte, pastaj në paqe u emërua patriotizëm. Kjo është ajo që quhet plaçkitje... (...) Ndërsa punohet pa pushim që qytetarët dhe popujt ta urrejnë njëri-tjetrin me çdo çmim dhe të jetojnë brenda grupit të tyre etnik, udhëheqësit e tyre vazhdojnë të jenë padronë dhe protagonistë kryesorë të biznesit të çdoditshëm, i cili nuk ka probleme me kufijtë dhe me kombin”. Ndërkohë bota flet për një tabletë me emrin “Molnupiravir”.