Vështrime

Propagandë ekskluzive nga mediat oborrtare të Tiranës

"Bosnja do të jetë pjesë e 'Open Balkan'“ – kështu njoftoi dje me bori e trumbetë një medium nga Tirana. Ky lajm është larg të së vërtetës. Por qëllimi i plasimit të lajmeve të tilla nuk është e vërteta. Qëllimi është: sulmi ndaj Kosovës. Madje duke cituar verbërisht politikanët serbë të Bosnjës, të cilët flasin si Aleksandar Vuçiqi, por nuk mund të marrin vendime kokë më vete në Bosnjë, sepse Bosnja është shtet edhe i dy popujve të tjerë. Iniciativa „Open Balkan“, thotë ministrja e Jashtme e Bosnjës, e ka humbur rëndësinë në kuptimin ideor, sepse është paralelizëm i „Procesit të Berlinit“.

Mediat oborrtare të qeverisë „socialiste“ të Tiranës dje me bori e trumbetë dhe nën siglën „ekskluzive“ dhanë këtë lajm: edhe Bosnjë-Hercegovina po i bashkohet nismës „Open Balkan“. Kështu paskësh thënë Zoran Tegeltija, kryesues i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, pra kryeministri i këtij vendi. Nëntoni i lajmeve të tilla të fryra e ka një synim: të bëhet propagandë kundër Kosovës, e cila, ja, nuk po e përkrahë „Open Balkan“, kurse Bosnja gjoja ndërroi mendje.

Por sa është e vërtetë kjo? Zoran Tegeltija është politikan serb, ka qenë ministër i financave në republikën serbe të Bosnjës dhe është aleat i Milorad Dodikut, liderit të serbëve të Bosnjës, i cili po të kishte fuqi nuk do e priste të nesërmën për ta shkatërruar Bosnjën. Nuk është kurrfarë befasie nëse politikanët serbë të Bosnjës vallëzojnë me takt të muzikës së Beogradit. Nuk është as befasi që Tegeltija të thotë se ai mendon që Bosnja ndoshta do t'i bashkangjitet nismës „Open Balkan“.