OpEd

Politika e kancelares Merkel ndaj Ballkanit ka një emër: pasivitet ndaj Kosovës, përkëdhelje ndaj Serbisë

Rrjedhimisht, është mirë që po merr fund epoka e kancelares Angela Merkel në Gjermani. Duke parafrazuar një shkrimtar gjerman mund të themi: a do të bëhet mirë pa Merkelin? Nuk dihet. Por për t’u bërë mirë, duhet të ndryshojë diçka në politikë. Hapi i parë në atë drejtim mund të jetë - largimi i Merkelit. Para 10 vitesh ajo polemizonte me presidentin serb, i cili refuzonte të bisedonte me politikanët e Kosovës. Në 10 vitet e fundit Merkel s’ka bërë gjë tjetër për Ballkanin përveç se të moderojë konfliktet dhe të përkëdhelë autokratët. Për një politikë të tillë të Berlinit, Ballkani nuk ka nevojë.

Mbrëmë televizionet gjermane transmetuan debatin mes tre kandidatëve për kancelar/e të Gjermanisë. Meqë janë tre, nuk bëhet fjalë për duel, por për triel, pra një variant i duelit me tre veta. Tre kandidatët – Armin Laschet (CDU, konservator), Olaf Scholz (SPD, socialdemokrat), Annalena Baerbock (Të Gjelbrit/Grüne) folën për shumë tema, për shembull si të përballet Gjermania me koronën, si të përmirësojë digjitalizimin dhe infrastrukturën, si të prodhojë më shumë vetura që kursejnë energji. Të gjitha këto tema të rëndësishme për Gjermaninë.

Tingëllon e pabesueshme dhe është e vërtetë: në debatin e mbrëmshëm dy moderatorët nuk bënë asnjë pyetje për politikën e jashtme. Dhe kandidatët nuk folën për politikën e jashtme. Gjermania është superfuqia e Europës, por elitat e saj kanë mbetur duke e këqyrur kërthizën. Gjermania – një autarki moderne. Gérard Araud, ish-ambasador i Francës në Izrael, në OKB dhe në SHBA, këtë injorancë gjermane ndaj botës e përshkroi saktë me këto fjalë: “Gjermania nuk dëshiron të jetë fuqi botërore. Ajo ëndërron të jetë një Zvicër e madhe, plakë”.

Kandidatët nuk folën për Afganistanin dhe debaklin perëndimor atje. Nuk folën për rolin e Rusisë në Europë. Kremlini akuzohet se qëndron pas një vrasjeje të një çeçeni në Berlin dhe pas sulmeve kibernetike kundër Bundestagut, parlamentit gjerman. Së fundi u arrestua një shkencëtar rus, i cili ishte i angazhuar në një universitet gjerman dhe dyshohet se spiunonte për Rusinë. Kandidatët nuk folën për krizën e Bashkimit Europian. Nuk folën për demontimin e demokracisë në shumë vende të BE-së në Europën Lindore. Nuk folën as për Ballkanin, ku Gjermania qe më shumë se dy dekada ka stacionuar mijëra ushtarë dhe harxhuar miliarda.

Këtë javë Angela Merkel do të vizitojë Beogradin dhe Tiranën. (Prishtina, Shkupi, Sarajeva dhe Podgorica janë shmangur). Është vizita e fundit e Angela Merkelit në Ballkan para se ajo të largohet nga zyra e kancelares. Kur Merkel erdhi në pushtet (më 2005), Kosova ishte protektorat i OKB-së dhe Mali i Zi përbënte – bashkë me Serbinë - Republikën Federale të Jugosllavisë. Në Hagë ishte ende gjallë Sllobodan Millosheviqi. Në Tiranë sapo ishte kthyer në pushtet Sali Berisha. Në Prishtinë presidenti Ibrahim Rugova do të merrte rezultatet e diagnozës së kancerit në mushkëri, që pak muaj më vonë, më 21 janar 2006, ia mori jetën.

Ndërkohë janë krijuar dy shtete (Mali i Zi dhe Kosova), Kroacia ka hyrë në BE, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë pranuar në NATO, Maqedonia e ka ndërruar emrin në Maqedoni e Veriut, ndërsa Serbia nuk e ka ndërruar sjelljen destruktive ndaj fqinjëve – sidomos ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Shqipëria pret fillimin e negociatave për hyrje në BE. Kosova mbetet shteti i vetëm në Perëndim të Rusisë pa liri të lëvizjes për qytetarët e saj.

Më 2011, gjatë vizitës në Beograd, Angela Merkel pati një përplasje verbale me presidentin e atëhershëm Boris Tadiq, i cili hodhi poshtë kërkesën gjermane për biseda me palën kosovare. Më parë ministri i Jashtëm i Merkelit, Guido Westerwelle, kishte thënë se kufijtë në Ballkan janë skicuar tashmë dhe nuk mund të preken, ndërsa i kishte bërë thirrje Serbisë të pajtohet me pavarësinë e Kosovës. Tadiq ishte politikan i paguximshëm, pas tij, para një dekade, në pushtet u kthye “elita” radikale dhe millosheviqiane, pra nxënësit e Vojisllav Sheshelit dhe Sllobodan Millosheviqit.

Merkel mbajti një qëndrim çuditërisht përkëdhelës ndaj kësaj strukture politikanësh regresivë. Lideri i ri serb Aleksandar Vuçiq angazhoi në ekipin e tij këshilltarë gjermanë dhe krijoi raporte të ngushta me disa gazetarë gjermanë, të cilët fascinoheshin me përrallat e Vuçiqit se ai tani është penduar për të kaluarën dhe po mëson gjermanisht dhe po e lexon veprën e Max Weberit mbi etikën protestante të punës.

Vuçiq nuk ka ndenjur duarkryq. Hapi vendin për investime gjermane. Nuk përtonte të vizitonte gati çdo land gjerman e të krijonte kontakte me kryeministra të landeve gjermane. Politikanët e Kosovës nuk dinin ta bënin këtë. Gjatë krizës së refugjatëve më 2015 Vuçiq luajti mirë rolin e “shtetarit me shpirt humanitar”: nuk i keqtrajtoi refugjatët sirianë që kaluan nëpër Serbi dhe vazhduan rrugën drejt BE-së, mbi 1 milion prej tyre u pranuan nga Gjermania. Kështu Vuçiq e rriti vlerën e tij në bursën politike gjermane, ndonëse nuk kishte bërë diçka spektakulare për refugjatët. Por së paku nuk kishte vrarë myslimanë siç ishte kërcënuar gjatë luftës në Bosnjë.

Në 10 vitet e fundit Merkel s’ka bërë gjë tjetër për Ballkanin përveç se të moderojë konfliktet dhe të përkëdhelë autokratët. Për një politikë të tillë të Berlinit, Ballkani nuk ka nevojë. Rrjedhimisht, është mirë që po merr fund epoka e kancelares Angela Merkel në Gjermani. Duke parafrazuar një shkrimtar gjerman mund të themi: a do të bëhet mirë pa Merkelin? Nuk dihet. Por për t’u bërë mirë, duhet të ndryshojë diçka në politikë. Hapi i parë në atë drejtim mund të jetë - largimi i Merkelit.

Kur ishte nënshkruar “marrëveshja historike” e 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori i atëhershëm i Gjermanisë në Prishtinë ishte ndër më entuziastët dhe besonte se po fillon një epokë e re në Ballkan. Në një komunikim me të, i bëra një pyetje të thjeshtë: çfarë përparimi mund të jetë kur çdo shofer i Kosovës duhet të çmontojë targat në kufij me Serbinë? Përgjigjja e tij qe kryeneçe dhe arrogante: por së paku kosovarët tani mund të udhëtojnë me veturë nëpër Serbi.

Mbi 8 vjet më vonë, gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” (në numrin e së hënës, 13.09.2021) kështu e përshkruante situatën në Merdar: “Sa po stagnojnë raportet mes Kosovës dhe Serbisë, këtë e tregon pikëkalimi faktik kufitar te vendi i quajtur Merdar, 35 kilometra larg Prishtinës. Aty shoferët nga Kosova heqin targat dhe blejnë një regjistrim serb për 30 ditë. Serbët nuk lejojnë askënd të hyjë me targa të Kosovës. Sidomos shoferëve të kamionëve u duhen kohë dhe nerva, zyrtarët serbë shpesh nuk i pranojnë certifikatat sanitare të Kosovës dhe formularët doganorë si dhe dokumentet e tjera të lëshuara atje (në Kosovë)”.

Ndoshta kancelarja Merkel e ka lexuar këtë shkrim. Ndoshta e ka lexuar edhe diplomati i saj, i cili vërtitet në një shtet tjetër afër Ballkanit, në postin e ambasadorit. Në 10 vitet e fundit e vetmja gjë që ka bërë Gjermania ka qenë kundërshtimi i ndryshimit të kufijve në Ballkan. Por Berlini nuk ka qenë në gjendje të ndërmarrë një nismë të vetme serioze për rajonin dhe sidomos për të shtyrë Serbinë të pajtohet me pavarësinë e Kosovës. Në mediat gjermane ka nisur të normalizohet diskursi mbi skenarin e Qipros në Kosovë. Pra, një konflikt i ngrirë. Rrjedhimisht, zgjedhjet e 26 shtatorit dhe një ndërrim eventual i qeverisë në Berlin mund të sjellin ndonjë favor për Kosovën, sidomos nëse në qeveri hyjnë të Gjelbrit, të cilët historikisht kanë një ndjeshmëri më të lartë për Kosovën. Por garanci nuk ka. Kosova duhet të punojë shumë në frontin diplomatik.