OpEd

Injoroni sharlatanët, besoni shkencës – dhe vaksinohuni!

Nuk duhet shumë fantazi për të kuptuar se pandemia – tani për tani – mund të luftohet vetëm duke u vaksinuar. Lexoni në vijim këshillat e ekspertëve më të njohur botërorë

Sa është e sigurt vaksina kundër koronës? Kjo është një pyetje legjitime. Por kjo pyetje e humb kuptimin, nëse apriori refuzoni të vaksinoheni, duke injoruar faktet dhe zbulimet shkencore. Skeptikë ndaj vaksinës ka gjithandej, jo vetëm në viset shqiptare. Parakusht për çdo diskutim është gatishmëria e skeptikëve për të dëgjuar. Nëse nuk dëgjojnë, diskutimi është i njëanshëm, rrjedhimisht kontraproduktiv.

Së fundi mediumi digjital zviceran “Republik” ka telefonuar presidentin e Komisionit Federal Zviceran për Çështje të Vaksinimit Christoph Berger, shefin e departamentit për licencimin e barnave të “Swissmedic Claus Bolte”, historianin e mjekësisë Flurin Condrau, epidemiologen molekulare Emma Hodcroft, epidemiologun Marce Salathé, imunologun Daniel Speiser, ekspertin e shëndetit publik Marcel Tanner. Në pyetjen nëse ata do të vaksinohen kundër Covid-19, të gjithë janë përgjigjur me: po! Në pyetjen nëse vaksinimi bart më shumë rreziqe se barnat e tjera, të gjithë ekspertët janë përgjigjur me: jo!

■ Imunologu Daniel Speiser: “Çfarë dihet deri më tani për vaksinimet, janë lajme vërtet të mira. Këto vaksinime janë të sigurta”.

■ Eksperti i shëndetit publik Marcel Tanner: “Vaksinat e licencuara në Zvicër (Pfizer dhe Moderna, v.j.) kanë kaluar të gjithë hapat e verifikimit të zakonshëm klinik. Pfizer dhe me Moderna janë si gjashtëshja në loto”. (Në Kosovë tani për tani duket se ka mjaft vaksina Pfizer).

■ Marcel Salathé, epidemiolog: “Momentalisht e kam vështirë të shoh mangësi të vaksinimit. Do të duhej vërtet të kërkoja”.

■ Claus Bolte, shefi i departamentit për licencimin e barnave të “Swissmedic”: “Fatmirësisht deri më tani nga Zvicra janë bërë të ditur vetëm pak raste të efekteve anësore, të cilat janë të njohura nga studimet dhe janë të listuara në njoftimet mbi ilaçet”.

A duhet të vaksinohen shtatzënat kundër koronës? Lexoni në vijim këshillat e shkencëtarëve gjermanë. Komisioni i Përhershëm për Vaksinim i Gjermanisë (Stiko) është deklaruar të premten e kaluar për vaksinimin e grave shtatzëna kundër koronës. Gratë shtatzëna, lehonat dhe nënat e reja, të cilat deri më tani nuk janë vaksinuar apo janë vaksinuar pjesërisht, këshillohen të vaksinohen me dy doza të një vaksine “mRNA”. Po ashtu Komisioni i Përhershëm për Vaksinim i Gjermanisë u ka bërë thirrje të gjitha grave të afta për të lindur që të vaksinohen.

Deklaratat e komisionit gjerman për vaksinim kanë ndikim të madh në Gjermani, por edhe më gjerë, sepse autoritetet orientohen në këshillat e tij për vaksinim. Marianne Röbl-Mathieu, gjinekologe nga Müncheni dhe anëtare e Komisionit të Përhershëm për Vaksinim, tha se javëve të fundit është konstatuar se shtatzënia mund të jetë faktor rreziku në rast infektimi me virusin korona – nëse gratë shtatzëna nuk janë të vaksinuara. Sipas mjekes së njohur gjermane vaksinimi ka rezultuar i sigurt edhe për shtatzënat. Komisioni i Përhershëm për Vaksinim i Gjermanisë u përmbahet këshillave të Shoqatës Gjermane të Gjinekologjisë. Edhe në SHBA dhe në Britaninë e Madhe shtatzënat këshillohen të vaksinohen.

Para pak ditësh revista shkencore “Nature Medicine” botoi të dhëna nga Izraeli, të cilat tregonin se vaksinimi ofron mbrojtje edhe nëse vaksina është marrë gjatë shtatzënisë. Kësisoj vaksina e firmës Biontech/Pfizer nënave të ardhshme u ka ofruar një mbrojtje prej 96 për qind nga infektimet me Sars-CoV-2 dhe 89 për qind nga rrjedha e rëndë e sëmundjes.

Nga të gjitha këto fakte, mund të nxjerrim vetëm një përfundim: besoni shkencës, injoroni sharlatanët, pa marrë parasysh ku flasin – në media sociale apo në studio televizive. Faktet janë këto: me virusin korona janë infektuar gati 225 milionë njerëz. Kanë vdekur nga virusi apo me virus mbi 4,6 milionë njerëz. Domethënë gati sa krejt banorët e Kosovës dhe Shqipërisë bashkë!

Për fat të keq numri i atyre që janë infektuar me teori komploti dhe janë “të bindur” se virusi nuk ekziston, nuk është i vogël. Të tillët nuk mund ta menaxhojnë pasigurinë e tyre dhe nuk mund të shkëputen nga ambivalenca, andaj gjejnë arsyetime të palogjikshme kundër vaksinimit. Kur konfrontohen me dëshmi shkencore, ata bëhen edhe më agresivë dhe besojnë edhe më shumë në teoritë e tyre. Kritikën e bazuar e shohin si sulm ndaj identitetit të tyre të ri. Përgjigjja e vetme ndaj tyre është: vaksina shpëton jetë! Kaq. Nëse kjo është pak, dëgjoni ata që flasin havadan.

Nëse nuk jeni bindur deri më tani për t’u vaksinuar, ja edhe disa fakte. Sepse shkenca flet me fakte!

■ “Swissmedic” është agjencia shtetërore zvicerane për licencimin e barnave. Sipas “Swissmedic”, prej 170 mijë njerëzve në Zvicër që patën marrë dozën e parë kundër Covid-19, vetëm 42 njerëz janë ankuar për efekte anësore të vaksinës. Kjo shifër është tejet e ulët. Më shumë raste ka pas marrjes së vaksinës kundër gripit të zakonshëm. Në Zvicër me dy doza janë vaksinuar ndërkohë 4,53 milionë njerëz (ose 52,9 për qind).

■ Në studimet klinike të Pfizer/Biontech dhe Moderna kanë marrë pjesë 44,000 respektivisht 30,000 mijë njerëz. Kjo është një shifër shumë e lartë. Më herët, në fazën e testimit të një vaksine apo ilaçi, kanë marrë pjesë shumë më pak njerëz.

■ Autoritetet amerikane të shëndetësisë (Centers for Disease Control and Prevention) në fillim të vitit kanë publikuar një raport mbi reaksionet alergjike pas vaksinimit me Pfizer. Deri pak para Vitit të Ri (2021) në SHBA dozën e parë të vaksinës e patën marrë gati 1,9 milionë njerëz. 21 prej tyre patën një reagim anafilaktik. Kjo domethënë: 0,0011 për qind apo 1 një 100 mijë. Kjo shifër është ekstrem e ulët. Në muajt në vijim u shfaqën edhe disa raste, por të gjithë të goditurit e kanë mbijetuar anafilaksinë.

■ Një argument i skeptikëve është se nuk dihet çfarë pasojash afatgjata do të ketë vaksina. Mjekët seriozë thonë: të jemi të sinqertë, për pasojat afatgjata s’ka studime, sepse kjo nuk është e mundur. Por, imunologu i njohur Daniel Speiser thotë se ndodh “tepër rrallë” që vaksina të ketë pasoja një vit pas injektimit. Marcel Tanner, ekspert i shëndetit publik, thotë se rreziku i përgjithshëm nga pasojat është “shumë i vogël”. Sipas Claus Bolte nga “Swissmedic” efektet anësore pas vaksinës shfaqen zakonisht në gjashtë javët e para pas injektimit.

■ Ka disa skeptikë që vërtet besojnë se bashkë me vaksinën injektohet një çip. Ky çip, sipas kësaj teorie të komplotit, e kontrollon ADN-në tonë. Çka i bën vaksina ADN-së sonë? Sipas mjekëve: asgjë, ama bash asgjë. Mediumi digjital zviceran “Republik” e ka shpjeguar në mënyrë ilustruese se çka është vaksina “mRNA”. Ajo është material gjenetik, i cili qelizave tona u thotë se çfarë proteinash duhet të prodhojnë. Më shumë “mRNA” nuk mund të bëjë, e lëre më të depërtojë në ADN-në tonë, siç besojnë gabimisht adhuruesit e teorive të komplotit. Thënë thjesht, nënvizon mediumi zviceran, “mRNA” është një plan ndërtimi. Në rastin e vaksinimit kundër Covidit, ky është një plan ndërtimor për proteinën “Spike” të Sars-CoV-2. Proteinat “Spike” gjenden në anën e jashtme të virusit dhe kanë formën e gjembave. Falë këtyre “Spikeve” virusi arrin të ngjitet në qelizat tuaja, të depërtojë brenda tyre, të shumëzohet dhe t’ju infektojë. Vaksina “mRNA” e pengon këtë proces të rrezikshëm, duke e njoftuar sistemin tonë imun me proteinat “Spike”. Kur “mRNA” depërton në qelizë, ai i jep qelizës urdhër të prodhojë sa më shumë proteina “Spike”. Sistemi imun i sheh këto proteina, e kupton se janë të huaja dhe u shpall luftë atyre. Nëse pas vaksinimit nuk ndiheni aq mirë, ju duhet ta dini se sistemi juaj imun është duke zhvilluar një betejë – kundër koronës.