OpEd

Bregoviqi, “Ballkani i hapur” dhe kacafytjet toksike ndërshqiptare

1.

Janë disa fjali që nxisin debate të zjarrta, sepse provokojnë emocione. Debati i fundit ndërshqiptar mori zjarr, mes tjerash, kur nga Tirana zyrtare u dëgjua thirrja arrogante “harrojeni të kaluarën”. Ndonjë analist periferik nga Prishtina doli me diagnozë mjekësore për shoqërinë e Kosovës: e quajti të sëmurë! Zëra të izoluar, por të zhurmshëm nëpër media sociale akuzuan në mënyrë paushalle krejt gazetarët e Kosovës se nuk qenkan mjaft kritikë ndaj elitave politike. Nuk ka vend në rajon ku gazetarët kanë kritikuar më ashpër klasën politike se në Kosovë. Ka dëshmi për këtë. E kam fjalën për gazetarë, jo për mercenarë. Pra, të dashur kozmopolitë në tentativë, mondialistë në tentativë, globalistë në tentativë – një rregull i rëndësishëm i gazetarisë është edhe ky: mos përgjithësoni. Dhe sidomos mos shtini mend me njëfarë atitude pseudoneokolonialiste-perëndimore kundër “fiseve vendore” dhe “gazetarëve lokalë”. Njerëzit në Kosovë nuk janë të paaftë të mendojnë me kokën e tyre. Gjeni mënyra të tjera për t’u profilizuar, jo me kukama në mediat sociale, duke i dhënë rëndësi çdo trolli digjital.

2.

Njerëzit shohin. Kur një politikan shqiptar apo analist oborri në Tiranë thotë “harrojeni të kaluarën”, Serbia kujdeset t’i nxjerr lakuriq faqe botës politikanin shqiptar dhe mbështetësit e tij militantë.

Ja ç’bën Serbia për të harruar të kaluarën:

- Fansat e klubit futbollistik “Partizani” të Beogradit në ndeshjen kundër “Novi Pazarit” çirren: “Nož, žica, Srebrenica”, një parullë shoviniste që arsyeton gjenocidin e forcave serbe në Srebrenicë. Futbollistët nga Novi Pazari, shumica boshnjakë, braktisin ndeshjen. Politikanët serbë nuk e dënojnë parullën shoviniste që bën thirrje për përsëritjen e vrasjes masive të boshnjakëve.

- Në Bijelinë, ku forcat paramilitare të Arkanit, të dërguara direkt nga Beogradi, më 1 dhe 2 prill 1992 vranë disa civilë, mes tyre edhe shqiptarë, pra në Bijelinë këto ditë u zbulua busti i Drazha Mihajloviqit, shefit të çetnikëve në Luftën e Dytë Botërore, bashkëpunëtorit të nazistëve dhe masakruesit të mijëra myslimanëve, por edhe familjeve partizane serbe. Qe, pra, si po e harron Serbia të kaluarën.

- Në shumë kinema anekënd botës aktualisht po shfaqet filmi “Quo Vadis, Aida” mbi masakrën e Srebrenicës. Vetëm në Serbi dhe entitetin serb të Bosnjës kjo nuk është e mundur. Sepse e vërteta mbytet, me çdo mjet.

- A është shfaqur ky film në Tiranë? Në Korçë? Në Vlorë? Apo në Prishtinë? Kuvendi i Kosovës së paku miratoi një rezolutë mbi masakrën e Srebrenicës. E parlamenti i Shqipërisë?

Britmat “harrojeni të kaluarën”, “arti bashkon popujt” etj. janë jo vetëm cinike, por edhe fyese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kosova nuk dëshiron të detyrojë askënd në Shqipëri të solidarizohet me vuajtjet e popullit shqiptar në Kosovë. As nuk mund ta bëjë këtë, është punë ndërgjegjeje e secilit. Por Kosova do të kundërshtojë çdokënd kur fyhen viktimat në emër të njëfarë “bashkëpunimi rajonal” duke e injoruar kryeproblemin: refuzimin e Serbisë për të pranuar shtetësinë e Kosovës.

3.

Në pranverë të vitit 1999 forcat serbe vranë rokerin Haki Misini, anëtar i grupit MAK nga Mitrovica. Anëtari tjetër i grupit Mehmet Tupella po ashtu u vra nga forcat serbe. Nëse këngëtari serbo-ballkanik Goran Bregoviq nuk ka dashur t’i dënojë krimet serbe ndaj civilëve shqiptarë, së paku vrasjen e dy muzikantëve të rokut nga Mitrovica ka mundur ta dënojë. Nuk e ka bërë. Kurrë. Por këto fakte nuk i dinë as injorantët në Shqipëri, as shoqëria e ashtuquajtur civile kosovare që vallëzon sipas lartësisë së honorarëve që merr nga organizatat ndërkombëtare për të “stimuluar pajtimin”. Çfarë mjerimi! Çfarë kolapsi moral!

4.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë dhënë portalit “Avangarda” tha se ideja e “Ballkanit të hapur” (apo Schengeni ballkanik) nuk është e konkretizuar dhe i shërben Aleksandar Vuçiqit si mbulesë, sepse ai me sa duket ndodhet në situatë të pakëndshme. Gjermania, sipas Biserko, nuk e përkrah idenë e Schengenit ballkanik, sepse është iniciuar pa u konsultuar me Berlinin dhe Brukselin, po ashtu Gjermania e përkrah bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.

Biserko theksoi se Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja janë të vetëdijshme se “Ballkani i hapur” është versioni i ri i “botës serbe”, gjë që në thelb më së shumti i konvenon Serbisë, e cila kësisoj do të rrumbullakonte hapësirën ekonomike.

5.

Kryeministri i Shqipërisë po thotë se në Samitin e Berlinit kryeministri i Kosovës nuk pranoi t’i heq tarifat ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe dhe kështu humbi shansin historik të merrte liberalizimin e vizave. Përtej debatit për tarifat, çfarë garancie kishte atëbotë që Kosovës do t’i hiqen vizat? Një premtim gojor nga presidenti francez. Por kryeministri i Shqipërisë e ka provuar vetë se ç’vlerë kanë premtimet e BE-së. Qe sa vite Shqipëria pret për të hapur negociatat me BE-në. Bllokada ndaj Shqipërisë e ka frustruar kryeministrin e Shqipërisë, me të drejtë. Në fillim të qershorit gazeta bulevardeske gjermane “Bild” botoi një editorial të kryeministrit të Shqipërisë me titullin: “Kryeministri i Shqipërisë i vërsulet BE-së”. Aty kryeministri akuzon BE-në dhe shtetet kryesore si Gjermaninë dhe Francën për “shkelje të premtimeve” dhe “cinizëm” ndaj vendeve të Ballkanit. Tendenca e kryeministrit të Shqipërisë që politikanët e Kosovës t’i përshkruajë si antiperëndimorë, ndërsa veten si hero të rrugës europiane, është larg të së vërtetës. Si shembull shërben edhe editoriali plot zjarr i kryeministrit të Shqipërisë kundër BE-së botuar në “Bild”.

6.

Kosova nuk i ka faj Shqipërisë së sunduar nga “socialistët” që për gati një dekadë kanë dështuar të hapin negociatat për hyrje në BE.

Kosova nuk i ka faj “socialistëve të salloneve të oligarkëve” që Shqipëria në pothuaj çdo raport të BE-së përmendet si një ndër vatrat e kultivimit të narkotikëve në Europën Juglindore.

Kosova nuk i ka faj Shqipërisë që asnjë palë zgjedhje nuk i ka organizuar si duhet.

Një vend pa zgjedhje të rregullta, prodhon përherë politikanë agresivë, autokratë, mashtrues.

Vetëm Shqipëria ka qene në gjendje të kryesojë OSBE-ne pa lënë gati asnjë gjurmë diplomatike.

Nuk po kryejnë punë as veshjet ekstravagante të politikaneve, as këpucët, as kravatat me dizajn futurist.

Fushata kundër Kosovës është më tepër ventil për të zbrazur frustrimin e akumuluar prej vitesh në Tiranë.

Dhe si aset dhe instrument për të goditur Kosovën përdoret - presidenti i Serbisë!

Për këtë qëllim nuk zgjidhen mjete. Prej ofendimeve personale ndaj politikanëve të Kosovës deri te shpifjet më ordinere. “Ngatërrohet” Procesi i Berlinit me “Open Balkan” të hedhur poshtë nga Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova. Por Tirana e sunduar nga “socialistet” po e godet vetëm Kosovën pse po e bojkoton nismën për “Open Balkan”, që në origjinë mban vulën e Beogradit. Qëllimi i Beogradit është që përmes nismave të tilla të margjinalizojë sa më shumë Kosovën dhe të çoje përpara ndarjen e Kosovës. “Open Balkan” nuk mundëson njohjen e Kosovës nga Serbia, por synon si cak përfundimtar zhbërjen e Republikës së Kosovës. Dhe koha do të tregojë shumë shpejt sa boshe është kjo ide e “Open Balkan” e lansuar vetëm për t'i bërë presion BE-se për zhbllokimin e integrimeve europiane. Por arusha me shoshë nuk tutet. Në krejt këtë frustrim në Tirane, Kosova është vetëm tabelë qitjeje. Barutin e sjell Beogradi. Muzikën Bregoviqi.

7.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, që nga viti 2017 është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por kjo masë e Washingtonit kundër Dodikut nuk i ka bërë përshtypje presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Përkundrazi. Vuçiq e ka dekoruar Dodikun me mirënjohjet më të larta të Serbisë. Beogradi vazhdon ta përkrahë Dodikun, i cili, sipas SHBA-ve, paraqet kërcënim serioz për stabilitetin e Bosnjës. Asnjë fjalë negative Vuçiqi nuk e thotë kundër Dodikut. E pret dhe e përqafon orë e çast në Beograd dhe në Banjallukë.

Krejt ndryshe sillet qeveria “socialiste” e Tiranës ndaj politikanëve të Kosovës, të cilët nuk paraqesin kurrfarë rreziku për stabilitetin rajonal, për dallim nga Dodiku. Qeveria “socialiste” e Tiranës i etiketon politikanët e Kosovës si antiamerikanë, pa qenë të tillë. I ofendon rëndë. Tallet me ta. I trajton si të padenjë për të përfaqësuar Kosovën. Ky është një problem serioz. Por nuk është problem i Kosovës. Është problem i elitave politike në Tiranë. I elitave intelektuale që heshtin si në kohën e diktaturës komuniste. I mediave që bëhen pjesë e fushatave qeveritare për nxitje të mosdurimit ndër shqiptarë.

Kjo është e vërteta e hidhur sot për sot. Dhe koha do të tregojë sa e padrejtë është kjo sjellje e qeverisë “socialiste” të Tiranës ndaj Kosovës, sjellje që motivohet nga interesat afatshkurtra, që mund të kenë pasoja afatgjata – për shqiptarët në Ballkan. Kur pasojat i vuajnë shqiptarët, dobia është e Serbisë.

8.

Parulla “harrojeni të kaluarën” që nga Tirana zyrtare i drejtohet Kosovës, është tipike neokomuniste. I shkon për shtati krerëve të Byrosë Politike të Partisë së Punës (PPSH). Shqipëria e ka harruar të kaluarën, andaj xhelatët që vranë e burgosën mijëra shqiptarë, shpëtuan pa therë në këmbë. Pasardhësit e tyre, inspektorët e dikurshëm, prokurorët, torturuesit, përgjuesit, spiunët, kasapët kanë gjetur strehë edhe nën pullazin e “demokracisë shqiptare”. Për këtë skandal, përgjegjës dhe fajtorë janë socialistë e demokratë, të gjithë të shpifur. Kosova s’mund ta harroje të kaluarën, sepse bëhet fjalë për rreth 11 mijë shqiptarë të vrarë nga makineria serbomadhe, mes tyre mbi 1000 fëmijë. Shqipëria zyrtare harron, sepse s’ka ndjeshmëri për viktimat. Vetëm në Shkodër nga komunistët janë vrarë rreth 1000 shqiptarë. Eshtrat e tyre ende janë të shpërndarë nëpër fusha me bërllok. Askush nga kasapët komunistë nuk është dënuar. Mos e harroni të kaluarën. Kjo duhet me qenë maksima jetësore e çdo shqiptari kudo ku jeton. Sepse kush harron, e përsërit të kaluarën. Për kufomat e pagjetura të komunizmit së fundi ka raportuar edhe “Zëri i Amerikës”.

9.

Pjesëmarrja e Lëvizjes VV në zgjedhjet e Shqipërisë ka qene gabim. E kam shkruar disa herë dhe po e potencoj edhe tani. Ka qenë e pritshme që, herët apo vonë, do të vijë kundërgoditja nga Tirana, siç po ndodh këto ditë - kësaj radhe në aleance me kryetarin serb.

Por po aq gabim dhe dashakeqësi ndaj Kosovës kanë qenë edhe shume veprime të politikanëve të Tiranës ndaj Kosovës:

- Në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës kryeministri i Shqipërisë propozoi një president të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë. Këtë propozim e bëri në parlamentin e Kosovës. Ishte një propozim popullist për të treguar para diplomateve perëndimorë se Kosova si shtet i shpallur më 17 shkurt 2008 nuk paskësh ardhmëri. Me një rast tjetër kryeministri i Shqipërisë me ton paternalist dhe nga foltorja e Kuvendit të Kosovës i lejoi vetes t’ia “shkruajë” historinë Kosovës duke mos e përmendur me asnjë fjalë rolin historik të dr. Ibrahim Rugovës në themelimin e shtetit të Kosovës. Opozita e atëhershme (LDK) ia bojkotoi këtë fjalim të keq.

- I njëjti kryeministër e pati quajtur gjë normale prishjen e kufijve të Kosovës (në një bisedë me një gazetë zvicerane). Ky ka qenë një atak mbi shtetësinë e Kosovës dhe përkrahje direkte e planeve për prishjen e kufijve të Kosovës. Ky ka qenë, po ashtu, një interferim flagrant në çështjet e brendshme të Kosovës.

- Emërimi i disa ministrave nga Kosova në qeverinë socialiste ka qenë një aksion popullist dhe pseudopatriotik si paralajmërim cinik se Kosova, herët apo vonë, do të dështojë si shtet. Kur dështoi plani për ndarjen e Kosovës, ministrat kosovarë u dëbuan njëri pas tjetrit. Emërimi i tyre pati nxitur një valë aversioni kundër Kosovës te elitat (para)politike të Tiranës.

- Pas luftës së Kosovës një kryeministër socialist e quante pavarësinë e Kosovës ide joeuropiane dhe zotohej se do t’i bënte presion Ibrahim Rugovës për të hequr dorë nga pavarësia.

- Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, dr. Bujar Bukoshi, shërbimi sekret i Shqipërisë me falangat e tij në Kosovë pas luftës ka qenë nxitës i konflikteve ndërshqiptare që mund të eskalonin në lufte civile në Kosovë (burimi: Der Spiegel).

- Qe 20 vjet Shqipëria nuk ka bërë ASGJË për të zbuluar dhe dënuar vrasësit e ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ahmet Krasniqi. Ai është vrarë në Tiranë. Edhe vrasësit e Ilir Konushevcit, i vrarë në veri të Shqipërisë, janë ende të lire.

- Në vitet 90-të Tirana (e qeverisur nga demokratët) i bënte presion Kosovës të demokratizojë Serbinë dhe të pajtohet me një autonomi brenda Jugosllavisë serbo-malazeze.

- Nga ana tjetër opozitarë shqiptarë të viteve 90-të ngarendnin në Beograd për t’u takuar me politikanë “demokratë” serbë për t’i sinjalizuar perëndimit se janë “liberalë” dhe jo të ngurtë si ata kosovaret.

- Paaftësia totale e shtetit shqiptar ka ndikuar që elemente kriminale në radhët e UÇK-se të hapin qendra torturimi në Shqipëri. Si rezultat i kësaj, mes tjerash, sot ne burg janë një ish-kryetar i Kosovës dhe dy ish-kryetarë parlamenti.

- Në vitet 90-të gazetat anti-Berishë nuk zgjidhnin mjete për të acaruar raportet me Kosovën, për shembull me tituj e shkrime të rrejshme se Berisha i nisi tanket drejt veriut, rrjedhimisht Shqipëria paraqitej si faktor jostabiliteti në rajon, pa qene e tillë.

10.

Në kushte normale kryeministri i Shqipërisë do të takonte kryeministrin e Kosovës dhe ata do të diskutonin mbi kërkesën e SHBA-ve për strehimin e disa afganëve, të cilët kanë punuar për forcat amerikane në Afganistan dhe tani jeta e tyre mund të jetë në rrezik nga talibanët. Meqë dialogu e takimet nuk janë të mundshme për shkaqe të egos, ndjenjës hakmarrëse e kryeneçësisë, kryeministri i Shqipërisë, i cili prej ditësh ka mobilizuar aparatin e tij propagandistik kundër Kosovës, doli me një qorrferman, ku i bënte thirrje Kosovës të pranojë afganët nëse këtë ia kërkon Amerika. Është një ton paternalist, një gjuhë prej “babait të kombit”, të cilën karshi Kosovës po e përdor në publik kryeministri i Shqipërisë. Është gjuhë kontraproduktive, që thellon ndasitë.

Kosova, siç pritej, e ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për strehimin e afganëve. Është një kërkesë delikate që duhej trajtuar në mënyrë diskrete dhe natyrisht qeveria e Kosovës duhet të tregohet e gatshme të ndihmojë aq sa është e mundshme, përfshirë edhe strehimin e të rrezikuarve.

Toni arrogant i kryeministrit të Shqipërisë synon ta paraqesë qeverinë e Kosovës si antiamerikane, pa qenë e tillë. Dhe këtë e bën politikani, qeveria e të cilit në OKB ka votuar për një rezolutë në favor të Palestinës dhe kundër qëndrimit amerikan.

Në vitin 2016 kryeministri i Shqipërisë me lehtësi të padurueshme doli në CNN dhe paralajmëroi ditë të zeza për myslimanët nëse fiton Donald Trumpi. Kjo nuk ishte detyrë e kryeministrit të Shqipërisë, por ja që e bëri. Pastaj për të ndrequr pak punët me administratën e Trumpit, Tirana zyrtare pranoi disa qindra pjesëtarë të një sekti iranian, që qeveria amerikane i mbante në Bagdad si opozitë kundër Teheranit. Këtë sekt Washingtoni e kishte në listë të organizatave terroriste, më vonë e hoqi. Revista gjermane DER SPIEGEL ka një reportazh të gjatë nga Shqipëria ku përshkruhet jeta në kampin e muxhahedinëve popullorë iranianë. Disa njerëz që kanë ikur nga kampi flasin për terror psikik. John Boltoni, kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe më vonë këshilltar i Trumpit për siguri nacionale, e pati lavdëruar Shqipërinë që i pranoi anëtarët e sektit iranian, e në anën tjetër dha dritë jeshile për ndarjen e Kosovës.

Kur SHBA i bëri presion Shqipërisë të gropos në territorin shqiptar armët kimike siriane, qeveria e atëhershme e Kosovës nuk i dha leksione kryeministrit “socialist” në Tiranë se çfarë duhet të bëjë. Kërkesa amerikane u refuzua dhe askush nuk i tha kryeministrit të Tiranës se është antiamerikan. Shkurt e shqip: toni arrogant, polemist, cinik dhe toksik i kryeministrit të Shqipërisë ndaj Kosovës është tepër i dëmshëm për higjienën publike. Ai me sa duket nuk dëshiron dialog me qeverinë e Kosovës, por synon ta trajtojë atë si degë të PS-së në Kukës dhe Has. Dhe këtu qëndron problemi i vërtetë. Një problem që kërkon zgjidhje urgjente. Dhe jo dhënie leksionesh në Facebook.