OpEd

Sukses do të konsiderohet nëse gjatë presidencës sllovene të BE-së nuk ndodh asgjë

Për dallim nga viti 2008, nga Sllovenia sot nuk pritet asgjë në kohën kur e ka kryesimin e radhës së BE-së. Madje shumë do të preferonin që të mos ndodhte asgjë. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, sukses do të ishte gjithsesi sikur të liberalizoheshin vizat për Kosovën dhe të nisnin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithsesi shpresohet që Jansha të mos nxisë më shumë probleme me idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan, siç supozohet se është përmendur në një “non-paper”, që dyshohet se e ka autor pikërisht kryeministrin që kryeson Bashkimin Evropian

Në fillim të vitit 2008, pa i mbushur katër vjet stazh si vend anëtar, Sllovenia mori kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian. Disa muaj më herët ky vend kishte hyrë në eurozonë dhe në Schengen. Sllovenia kishte arritur gjithçka në afat rekord, duke qenë pa dyshim shteti më i suksesshëm i anëtarësuar në BE më 1 maj të vitit 2004, në zgjerimin e madh të bllokut evropian. Kështu, Sllovenia e pati fatin që të jetë shteti i parë i ri që po e kryesonte Bashkimin Evropian.

Sllovenia edhe sot është një vend i suksesshëm, relativisht i zhvilluar, më afër standardit perëndimor evropian sesa vendet nga Evropa Lindore, të cilat vazhdojnë të ngecin shumë për nga pasuria e tyre për kokë banori.

Para disa ditësh Sllovenia përsëri e mori kryesimin e radhës së BE-së. Për herë të dytë me radhë. BE-ja nuk është sikur ishte në vitin 2008. Për habi, ka të njëjtin numër të shteteve anëtare, edhe pse në vitin 2013 asaj ia bashkua Kroacia. Por, ndërkohë nga BE-ja u largua Britania e Madhe. Dhe kështu, Sllovenia kryeson BE-në prej 27 shtetesh anëtare.

Ka një dallim shumë të madh në imazhin e Sllovenisë sot, për dallim nga viti 2008, edhe pse edhe atëherë e edhe sot në krye të Qeverisë është Janez Jansha. Sot Sllovenia nuk përmendet si shembull i mirë për askënd. Më shumë përmendet për sulmet e kryeministrit ndaj lirisë së shprehjes, për paranojë ndaj “liberalëve dhe të majtëve”, për ide, ndonëse të pakonfirmuara se janë të tij, për ndryshime të kufijve në Ballkan. Jansha me qëndrimet e tij i është afruar më së shumti kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, partia e të cilit, pikërisht për shkak të veprimeve në kundërshtim me vlerat evropiane, është përjashtuar nga grupi i Partive Popullore Evropiane, grup politik i qendrës së djathtë, sepse Orban, e si duket edhe Jansha, janë më afër ekstremit të djathtë sesa qendrës.

Një Slloveni e tillë në krye të BE-së sot nxit më shumë dyshime dhe frikë sesa shpresë. Krejt ndryshe ishte në vitin 2008, vit për BE-në jashtëzakonisht i rëndësishëm. Sapo ishte nënshkruar Traktati i Lisbonës dhe ratifikimi i tij nuk ishte punë e kryer e as një përfundim i garantuar. Pa hyrjen në fuqi të atij traktati, pasi kishte dështuar Kushtetua Evropiane, funksionimi i BE-së do të ishte i vështirë, sepse një BE e zgjeruar, me 27 vende anëtare, nuk do të mund të ishte efikase me një bazë ligjore të krijuar para zgjerimit të madh. E as nuk do të ishte e përgatitur të vazhdojë me procesin e zgjerimit.

Sllovenia qysh atëherë, pra në vitin 2008, kishte një administratë të përgatitur mirë për ta kryer pa probleme kryesimin e BE-së për një periudhë gjysmëvjeçare. Pos që ishte mësuar me punët e BE-së si vend i ri anëtar, Sllovenia solli atëherë edhe një përvojë dhe njohuri për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ishte një koincidencë interesante që pikërisht në kohën kur shteti i parë i pavarësuar në territorin e ish-Jugosllavisë, Sllovenia, po kryesonte me BE-në, në këtë territor po pavarësohej shteti i fundit në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

BE-ja dështoi ta ndërtonte një unitet rreth statusit të Kosovës, por do të ishte e padrejtë që për këtë të fajësohej Sllovenia. Fajin kryesor e kishte Gjermania, sepse gjatë kryesimit të saj, në vitin 2007, BE-ja nuk kishte arritur unitet në mbështetjen e propozimit të Marti Ahtisaarit, përderisa Sllovenia e kishte trashëguar këtë problem. Sllovenia nuk e kishte fuqinë t’i bindë pesë shtetet e BE-së, që ishin rreshtuar qysh atëherë me Rusinë, e jo me shumicën e madhe të bllokut evropian. Një situatë e tillë ka mbetur edhe sot, e madje është forcuar, sepse vendet dhe diplomatët nga shtetet që nuk e njohin Kosovën e kanë fjalën kryesore në BE sa i përket Kosovës dhe dialogut me Serbinë.

Për dallim nga viti 2008, nga Sllovenia sot nuk pritet asgjë në kohën kur e ka kryesimin e radhës së BE-së. Madje, shumë do të preferonin që të mos ndodhte asgjë. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, sukses do të ishte gjithsesi sikur të liberalizoheshin vizat për Kosovën dhe të nisnin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithsesi shpresohet që Jansha të mos nxisë më shumë probleme me idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan, siç supozohet se është përmendur në një “non-paper”, që dyshohet se e ka autor pikërisht kryeministrin që kryeson Bashkimin Evropian.

Jansha asnjëherë në mënyrë të prerë nuk e ka mohuar se ai ka përmendur ide të tilla për zgjidhjen e problemeve të mbetura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ose e ka bërë këtë në mënyrë jobindëse. Kështu është kontaminuar shumë terreni në të cilin Presidenca sllovene do të tentojë ta kthejë në agjendë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe zhvillimin e një samiti të posaçëm të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, gjashtë vjeshtës në Slloveni.

Edhe me këto probleme që ka me imazhin e saj, Sllovenia ka kapacitete për ta shtyrë agjendën e Ballkanit Perëndimor. Por gjasat për sukses nuk janë të mëdha. Problemi kryesor nuk qëndron te Sllovenia, por më shumë te paralizimi që pritet si pasojë e dy proceseve zgjedhore, zgjedhjeve në Gjermani në vjeshtë dhe atyre në Francë në pranverë të vitit që vjen.