Zgjedhja e Raisit për president të Iranit sugjeron se Khamenei dhe aleatët e tij janë duke lëvizur në kahe krejtësisht të kundërta, gjë kjo që garanton trazira të brendshme gjatë muajve dhe viteve në vijim. Një strategji e matur dhe efikase amerikane karshi Iranit duhet ta vendosë këtë realitet në epiqendër të kalkulimeve të saja
Zgjedhjet presidenciale të Iranit më 18 qershor ishin më absurdet në të gjithë historinë e regjimit islamik – madje edhe më shumë se ato të 2009-s, të cilësuara përgjithësisht si “puç elektoral”. Ishin më pak zgjedhje e më shumë kronikë e një vdekjeje të parathënë – në aspektin e asaj se ka mbetur vetëm pak çka prej parimeve republikane të Kushtetutës. Por, përveç të qenit absurde, zgjedhjet mund të jenë edhe më konsekuentet të Republikës Islamike.
Fituesi Sayyid Ebrahim Reisi është me të drejtë i akuzuar për krime kundër njerëzimit rreth rolit të tij në vrasjen e 4.000 disidentëve, tri dekada më parë. “Amnesty International” veçse ka bërë thirrje që ai të hetohet për këto krime. E kur është pyetur për akuzat, presidenti i porsazgjedhur është përgjigjur në atë mënyrë që do ta bënte të skuqej edhe George Orwellin, duke insistuar se ai duhej lartësuar për mbrojtjen që u ka bërë të drejtave të njeriut me ato vrasje.
Kurrë më parë nuk është zgjedhur ndonjë ekip kaq i larmishëm për të vepruar në mbrojtje të kandidatit të favorizuar. Regjimi ka mobilizuar krejt forcat për ta garantuar daljen masive në votim për Raisin, i cili deri në zgjedhje ishte kryetari i Gjykatës së Lartë të Iranit.
Lideri Suprem, ajetollahu Ali Khamenei, e dekretoi votimin si obligim fetar dhe e cilësoi votën boshe si mëkat, derisa aleatët e tij i denoncuan mbrojtësit e bojkotimit si heretikë. Por edhe sipas rezultateve zyrtare, 51 për qind e qytetarëve me të drejtë vote nuk kanë votuar, ndërsa prej atyre që kanë votuar, më shumë se katër milionë i kanë lënë bosh fletat e votimit. Veçse janë ngritur pretendimet se numrat e deklaruar ishin falsifikuar, ndërsa lëvizja e fuqishme për bojkotimin e zgjedhjeve tanimë i ka cilësuar rezultatet si referendum kundër status quosë.
Me gjithë elementet republikane në Kushtetutë, fuqia e përnjëmendtë në Iran ka qenë përherë në duart e liderit suprem. Që nga Revolucioni Islamik i 1979-s, faktikisht të gjitha zgjedhjet – përveç atyre në disa vjetët e parë – ishin të manipuluara në përmasa të ndryshueshme.
Republika Islamike gjithnjë ka qenë më afër një shteti tradicional islamik sesa një republike moderne. Por pas zgjedhjes së Raisit, Irani më shumë do të quhet një regjim konkurrues autoritar, ku fraksionet garojnë për zgjedhje të manipuluara me qëllim të ndarjes së pushtetit.
Këto zgjedhje nuk kishin të bënin vetëm me presidencën, por edhe me zgjedhjen e liderit të ardhshëm suprem. Khamenei është 82 vjeç dhe ka goxha kohë që lufton me kancerin në prostatë. Disa besojnë që veçse është përgatitur terreni për instalimin e të birit të Khameneit, Mojtaba, për lider të ardhshëm suprem, në atë që do ta bënte postin të trashëgueshëm (dhe do ta zhvendoste Iranin më afër shndërrimit në kalifat). Nën këtë skenar, Raisi do të shndërrohej në president elastik që e ndihmon ngritjen e Mojtabas. Ama të tjerët mendojnë se vetë Raisi është pasuesi i paracaktuar i Khameneit.
Me gjithë këtë ambiguitet të rëndësishëm, dy gjëra duken të qarta. E para, që të dy kandidatët përbëjnë lajm të keq për Iranin dhe rajonin. Mojtaba është figurë nën hije, që për vite me radhë ka qenë de facto shef i stafit të babait të tij dhe, ç’është më e rëndësishmja, ka lidhje të afërta me forcat brutale të Inteligjencës në Gardën Revolucionare Islamike. Dhe e kaluara e përgjakshme e Raisit në gjyqësor flet mjaftueshëm në vetvete.
E dyta, IRGC-ja – institucioni i fuqishëm politik, ekonomik, kulturor, ushtarak dhe i Inteligjencës – do të ketë ndikim në zgjedhjen e pasuesit të Khameneit.
Më gjerësisht, është po ashtu e qartë se regjimi, i dobësuar nga sfidat strukturore – përfshirë thatësinë, pandeminë COVID-19, sistemin financiar në kolaps, lëvizjen e vendosur të grave që kërkon përfundimin e aparteidit gjinor dhe pakënaqësinë në rritje mes të rinjve – ka qenë duke i treguar muskujt në vend dhe gjetkë. Përgjigjja karshi këtyre sfidave ka qenë brutaliteti i vazhdueshëm ndaj qytetarëve, rrëmbimi i qytetarëve me shtetësi të dyfishtë për përdorim si karta negocimi, ngritja e shpejtë e nivelit të pasurimit të uraniumit dhe sulmet e shpeshta ndaj forcave amerikane në Iran nga aleatët e regjimit.
Raisi do të jetë në detyrë kur dhe nëse negociatat e vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta ringjallin njëfarë versioni të marrëveshjes bërthamore të 2015-s me Iranin, të njohur gjithmbarshëm si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit. Rishikimi i saj do t’u jepte fund disa prej sanksioneve të rivendosura nga administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, pas tërheqjes nga ujdia më 2018. Derisa politika e “presionit maksimal” e administratës së Trumpit ka dëmtuar iranianët e thjeshtë, ajo ka dobësuar edhe regjimin. Nëse të drejtat e njeriut nuk bëhen pjesë esenciale e çfarëdo marrëveshjeje të re me Iranin, atëherë përfitimet nga përfundimi i sanksioneve do t’i fuqizojnë elementet më të ndrojtura të regjimit. Për SHBA-në, të negociuarit me një regjim të pandershëm është politikë e kujdesshme, por normalizimi i regjimeve të këtilla është në dëm të interesave afatgjata të Amerikës.
Debati rreth Iranit në SHBA shpesh është përshkuar nga njëfarë ndarjeje të rreme midis mbrojtësve të “ndërrimit të regjimit” dhe atyre të “zbutjes”.
Për përmbylljen e negociatave, administrata e presidentit Joe Biden duhet që t’i shmangë të dyja anët. Por derisa Irani ka kritikuar me të drejtë SHBA-në për heqjen dorë njëanshëm nga marrëveshja ekzistuese, SHBA-ja duhet të kërkojë që Khamenei ta marrë përgjegjësinë e drejtpërdrejt për negociatat me SHBA-në.
Sipas ministrit të Jashtëm, Mohammad Javad Zarid dhe presidentit në largim, Hassan Rouhani, Khamenei ishte i përfshirë në akëcilin hap të negociatave për JCPPA-në, por ka qëndruar nën hije, dhe ka lejuar madje që miqtë e tij ta sulmojnë marrëveshjen shumë kohë para se Trumpi ta braktiste atë.
SHBA-ja as nuk mundet e as nuk duhet ta pranojë përgjegjësinë për ndërrimin e regjimit në Iran. Vetëm populli i Iranit mundet dhe do të duhej që ta merrte këtë vendim. Por negociatat e çfarëdoshme të SHBA-së me Republikën Islamike duhet të pranojnë se interesat afatgjate të Amerikës, dhe ato të popullit të Iranit, mund të përmbushen vetëm me anë të demokracisë moderne, e jo me kalifat islamik. Sfidat e rënda strukturore të vendit mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet një harmonie kombëtare që përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë iraniane, veçmas gratë, si dhe diasporën.
Zgjedhja e Raisit sugjeron se Khamenei dhe aleatët e tij janë duke lëvizur në kahe krejtësisht të kundërta, gjë kjo që garanton trazira të brendshme gjatë muajve dhe viteve në vijim.
Një strategji e matur dhe efikase amerikane karshi Iranit duhet ta vendosë këtë realitet në epiqendër të kalkulimeve të saja.
(Abbas Milani është drejtor i Programit për Studime Iraniane në Universitetin e Stanfordit dhe anëtar kërkimor në Institutin Hoover. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)