OpEd

Vëzhgimi i mjellmave të gjelbra

Një komponent i politikës klimatike është zbulimi i detyrueshëm i emetimeve të CO2-shit dhe korniza për harmonizimin e këtyre zbulimeve globalisht, me qëllim që të zbatimit të standardeve minimale universale. Kjo ide veçse ka fituar vrull dhe mund të konkretizohet edhe më shumë pas samitit klimatik të Kombeve të Bashkuara (COP26) në nëntor. Transparenca është esenciale për të gjithë pjesëmarrësit e tregut. Është detyrë e institucioneve përgjegjëse për stabilitetin financiar që të garantojnë që mjellmat e gjelbra të mos shndërrohen në të zeza

Eksperti i statistikave, Nassim Nicholas Taleb, e kishte sajuar termin “mjellma e zezë” për t’i përshkruar ngjarjet e pamundshme dhe vështirë të parashikueshme që mund të kenë ndikim masiv në ekonomi. Autorët e një raporti të fundit tani e kanë përfshirë në taksonominë e financave frazën “mjellmat e gjelbra”: ngjarje këto të shkaktuara nga ndryshimet klimatike dhe përhumbja e biodiversitetit.

Aparenca e mjellmave të gjelbra është pa diskutim më e parashikueshme sesa ajo e mjellmave të zeza, meqë ndryshimet klimatike i bëjnë ato të pashmangshme. Por, nuk ekziston ndonjë krahasim historik që do të na ndihmonte për të kuptuar se si rreziqet klimatike dhe ekonomike, si ciklonet, zjarret në pyje, thatësitë dhe vërshimet, mund të ndikojnë në sistemin bankar, industrinë e sigurimeve apo cilindo aktivitet tjetër ekonomik.

Meqenëse aktiviteti ekonomik është duke kaluar nga karburantet fosile në burime të energjisë së pastër, disa aktivitete do të zhduken, të tjerat do të shfaqen, ndërsa vlera e “aseteve të mënjanuara” do të bjerë vrullshëm. Ani pse ky proces është i domosdoshëm, ai duhet që të menaxhohet në atë mënyrë që të mos krijojë jostabilitet në sistemin financiar.

Falë mandatit të tyre të stabilitetit financiar, bankat qendrore, mbikëqyrësit dhe autoritetet makrofinanciare kanë rol qendror për të luajtur në transicionin e gjelbër. Konferenca e mëparshme e Mjellmës së Gjelbër, e organizuar nga Banka për Zgjidhje Ndërkombëtare, Banka e Francës, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe NGFS-ja (Rrjeti i Bankave Qendrore dhe i Mbikëqyrësve për Gjelbërimin e Sistemit Financiar) aludon në pranimin përherë më të madh të këtij fakti, ndonëse mobilizimi vazhdon të jetë tepër i ngadaltë dhe tejet i ndrojtur në disa rajone gjeografike.

Duke i kthyer sytë kah parashikimi i efekteve të rrezikut klimatik, Banka e Francës ishte e para bankë financiare që ka prezantuar një stres-test të gjithmbarshëm klimatik për bankat dhe kompanitë e sigurimeve. Me anë të analizimit të tre skenarëve klimatikë 30-vjeçar, të sajuar nga NGFS-ja (transicionin e rregullt të bazuar në një strategji të nivelit të ulët të karbonit; transicionin e çrregullt të mëvonshëm; dhe një skenar të rëndomtë biznesi), testi është munduar që ta vlerësojë ekspozimin e portofoleve bankare dhe të sigurimeve si karshi rrezikut fizik ashtu edhe atij transicional.

Ky stres-test ka treguar se ekspozimi aktual i sistemit francez është vetëm mesatar. Ç’është më e rëndësishmja, stres-testi klimatik ka demonstruar se çfarë krejt nevojitet për përmirësimin e mënyrës sonë se si e kuptojmë rrezikun klimatik.

Ka edhe shumë punë tjetër për të bërë. Për shembull, ende na mungon një bazë e të dhënave që shpalos hollësi për kushtet gjeografike përgjatë zingjirëve globalë të vlerës. Kjo informatë është qenësore për vlerësimin e rreziqeve fizike për prodhimin, dhe do të jetë po ashtu e dobishme për monitorimin e qeverisjes sociale dhe mjedisore të çështjeve në aspektet më të gjera.

Shpeshtësia e shtuar dhe pesha më e rëndë e katastrofave të ndërlidhura me motin gradualisht do të reflektohen në mbulimin e sigurimeve dhe kostove, duke ndikuar kësisoj në propabilitetin dhe në normat e paracaktuara të huave në sektorin bankat. Në të njëjtën kohë, bankierët dhe menaxhuesit e aseteve do t’i përshtatin portofolet e tyre në përputhje me këtë. E nëse çmimi i karbonit vazhdon që të rritet, siç do të duhej, atëherë ato do të largoheshin prej sektorëve të shtytur nga karboni, duke e rritur kësisoj ekspozimin e tyre karshi faktorëve të tjerë të rrezikut.

Këto sjellje të ndryshueshme varësisht prej kohës (dhe ndikimet goditëse të tyre) do të kenë rëndësi për stabilitetin financiar; porse ato vështirë mund të modelohen. Megjithëkëtë, të pakta janë politikat thelbësore që do t’i ndihmojnë konsiderueshëm autoritetet makrofinanciare dhe investuesit në menaxhimin e ndryshimit. Si pikë e parë, atyre që e përqafojnë transicionin e gjelbër do t’u nevojitet një busull; duhet të ketë rritje tërësisht të parashikueshme në çmimin e naftës në fusha sa më të gjera ekonomike që është e mundur. Bashkimi Evropian mund të jetë në shtegun e duhur në këtë pikë, me Sistemin e tij të Tregtimit të Emetimeve, në kuadër të të cilit çmimi i karbonit është rritur nga 25 euro për një ton gjatë janarit të 2020-s në 50 euro për ton, sot. Por përparimi ka mbetur i kufizuar, shkaku se ETS-ja mbulon vetëm 40 përqindëshin e emetimeve në BE.

Siç ka treguar raporti i fundit i G30-s, zotimet e besueshme për jetësimin e rritjes së parashikueshme të çmimit të karbonit janë të nevojshme për t’ua mundësuar investuesve, rregullatorëve dhe përcaktuesve të politikave monetare përshtatjen e strategjive të tyre në mënyrë më largpamëse. Në mungesë të tyre, nuk do të jemi në gjendje që të bëjmë investime publike dhe private për rregullimet e nevojshme strukturore për uljen e kostove të transicionit më të gjerë.

Për ta arritur këtë, këshillat e pavarur për karbonin mund ta menaxhojnë inflacionin e çmimit të karbonit në mënyrë të ngjashme me atë se si bankat qendrore e menaxhojnë inflacionin që i prek çmimet e produkteve. Këto institucione duhet ta kenë mandatin për ta hartuar një shteg të karbonit-çmimit-inflacionit, të bashkëdyzuar me synimet e qeverive të tyre respektive për zero karbon deri më 2050. Këto politika duhet të shoqërohen me kompensime për ata që janë goditur më së shumti prej rënies së fuqisë blerëse, shkaku i, për shembull, rritjes së çmimeve të karburanteve.

Kërkesat për kapital në institucionet financiare mund të jenë të ndërlidhura me ekspozimin e tyre karshi rritjes së çmimit të karbonit, e cila mund ta ndryshojë probabilitetin e tyre të kalkuluar të humbjeve në portofol. Mbikëqyrësit do të duhet që gjithashtu të sigurojnë që institucionet financiare të krijojnë sisteme efikase të qeverisjes për trajtimin e rrezikut klimatik.

Për dallim prej asaj çfarë ka ndodhur me bankat fantom, rritja e së cilave ka reflektuar aftësinë për t’i shmangur rregullimet më strikte bankare, ne duhet të mundohemi që t’i ndjekim “emetuesit fantomë” nga afër.

Agjencia e SHBA-së për Mbrojtjen Mjedisore ka zbuluar kohëve të fundit se pesë prej dhjetë emetuesve të metanit në Shtetet e Bashkuara janë prodhues pak të njohur të naftës dhe gazit, të mbështetur nga firmat pak të njohura të investimit.

Duhet të presim se firmat private të ekuitetit do të përpiqen të marrin prona të rrezikshme nafte dhe gazi, t’i zhvillojnë dhe t’i shesin ato me përfitime. Por, nuk mund t’i tolerojmë investimet “nën radar” për blerjen e aseteve të ndërlidhura me karbonin për çmime të rrezikshme dhe më pas operimin e tyre në juridiksione të dobëta. Parandalimi i kësaj do të kërkonte një tavan të lartë global për çmimin e karbonit, taksat e rregullimit të kufirit për karbonin, apo për që të dyja. Kostoja e kapitalit për investime të tilla duhet të bëhet ndalueshëm e lartë, edhe nëse kjo do të nënkuptonte ndryshimin e perimetrit rregullator.

Një komponent i fundit kryesor i politikës klimatike është zbulimi i detyrueshëm i emetimeve të CO2-shit, dhe korniza për harmonizimin e këtyre zbulimeve globalisht, me qëllim të zbatimit të standardeve minimale universale.

Kjo ide veçse ka fituar vrull dhe mund të konkretizohet edhe më shumë pas samitit klimatik të Kombeve të Bashkuara (COP26) në nëntor. Transparenca është esenciale për të gjithë pjesëmarrësit e tregut. Është detyrë e institucioneve përgjegjëse për stabilitetin financiar, që të garantojnë që mjellmat e gjelbra të mos shndërrohen në të zeza.

(Hélène Rey është profesoreshë e Ekonomisë në Shkollën Londineze të Biznesit dhe anëtare e Haut Conseil de Stabilité Financière. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).