OpEd

Zgjidhja pa zgjidhje: deklaratat e vështira të zotit Palmer

Ndërmjetësuesi amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer, duket se e ka nisur mbrapshtë misionin e tij për gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën

Disa deklarata të diplomatit amerikan, Matthew Palmer, pas vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd po tingëllojnë si tepër problematike. Pas një takimi me ish-zëdhënësin e Slobodan Milosheviqit, kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, Palmer tha se SHBA-ja nuk do t’u bëjë presion palëve në dialog me Kosovën. Me atë rast Palmer përmendi fjalën tashmë stereotip se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë një zgjidhje kompromisi, pa sqaruar se çka nënkupton fjala “kompromis”. Thua se Kosova nuk ka bërë kompromise të vazhdueshme në 15 vjetët e fundit – duke themeluar shumë komuna serbe, duke u dhënë komunave serbe kompetenca të gjera, duke i dhuruar pakicës serbe të drejta për të cilat shqiptarët në Luginën e Preshevës vetëm mund të ëndërrojnë.

Zoti Palmer u citua nga mediumi serb “N1” të ketë thënë se nëse palët merren vesh që zgjidhja të mos nënkuptojë njohjen e ndërsjellë, atëherë ai nuk do të kishte gjë kundër një dakordimi të tillë mes Kosovës e Serbisë. Qëllimi kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Palmerit, është që dialogu Kosovë-Serbi të mbyllet me njohje reciproke, por, prapë sipas tij, Washingtoni përkrah edhe modalitete të tjera të marrëveshjes, varësisht si pajtohen palët. Këtu s’ka përjashtuar as mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje pa njohje reciproke. Kjo është një deklaratë tepër problematike dhe paralajmëron një periudhë tepër të vështirë për Kosovën. Çfarë cilësie mund të ketë një marrëveshje mes dy vendeve nëse vazhdon status quoja? Këtë përgjigje ia ka borxh opinionit kosovar zoti Palmer. Sepse asnjë marrëveshje pa njohje reciproke nuk ka asnjë kuptim. Qëllimi i marrëveshjes nuk duhet të jetë vazhdimi i agonisë në Kosovë dhe krijimi i mundësisë që Serbia të sabotojë edhe më tutje shtetësinë e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Beograd, Palmer (bashkë me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak) takoi kreun e sapozgjedhur të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq. Me këtë takim të dy ndërmjetësuesit paralajmëruan, në fakt, se Kisha serbe do të jetë pjesë e negociatave mbi të ardhmen e Kosovës. Qëllimi i kishës dihet botërisht: të jetë një lloj shteti brenda shtetit të Kosovës, duke kontrolluar mijëra hektarë tokë.

Po të donin të tregonin se janë ndërmjetësues që duan vërtet një zgjidhje të drejtë, Palmeri dhe Lajçaku do të ishin takuar edhe me krerët fetarë dhe përgjegjësit për çështje të kulturës kur qëndruan në Prishtinë. Në vitet 1998-99 forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, krahas 11 mijë shqiptarëve që vranë në Kosovë, shkatërruan mbi 600 monumente kulturore dhe fetare. Po ashtu mbi 7000 objekte u vodhën nga Muzeu Nacional i Kosovës dhe qe mbi 20 vjet mbahen në Beograd. Kësisoj Serbia sot është shteti me gjasë i parë në Evropë që mban të konfiskuar trashëgiminë kulturore të një vendi tjetër, në këtë rast të Kosovës. Duket se këto objekte janë “të pavlera” dhe vlerë të vërtetë paskan vetëm manastiret serbe. Sjelljet e dyshes Palmer dhe Lajçak janë tejet problematike.

Kur më 1 nëntor 2019 zoti Palmer mbajti një fjalim të gjatë dhe të rëndësishëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, ai tha: ”Zgjidhja njëherë e përgjithmonë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes normalizimit të plotë mbetet prioritet strategjik i SHBA-së, një zgjidhje që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në popullin dhe më gjerë në rajon. Ajo zgjidhje do t’i çlirojë të dyja, Kosovën dhe Serbinë, nga trashëgimia e armiqësive që shter fokusin dhe energjinë e tyre dhe do të hapë mundësi ekonomike. Do t’ua mundësojë udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për t’ia kushtuar tërë vëmendjen e tyre çështjes së përmirësimit të jetës së popullit të tyre, duke trasuar rrugën për të ardhme paqësore dhe prosperuese”.

Si mund të ketë prosperitet dhe të ardhme paqësore pa e pranuar Serbia Kosovën si shtet? Kjo është një pyetje për zotin Palmer. Sidomos për të. Qëllimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të jetë vazhdimi i agonisë dhe shndërrimi i Kosovës në një shtet jofunksional si Bosnja, ku një Milorad Dodik i ri nga Mitrovica veriore demonton hap pas hapi shtetin.

Në dhjetë vjetët e fundit janë bërë shumë dëme që e kanë defunksionalizuar shtetin e Kosovës. Janë bërë kompromise të dhimbshme dhe prapë Serbia ka vazhduar avazin e vjetër. Kosova ka pranuar gati çdo kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare për të treguar gatishmërinë për kompromis. Ndërsa në Serbi vazhdojnë të shëtisin të padënuar kriminelë të shumtë të luftës, ndërsa kriminelët e dënuar të luftës trajtohen si heronj, ndërsa presidenti serb krenohet publikisht se nuk e ka ekstraduar askënd në Hagë, Kosova ka pranuar madje edhe Gjykatën Speciale, e cila po synon ta nxjerrë para gjyqit gati tërë udhëheqjen shtetërore të vendit. Edhe këtë bretkosë e ka përpirë Kosova. Por edhe sa bretkosa duhet të përpijë Kosova sipas zotit Palmer? Këtë pyetje duhet t’ia shtrojnë vetes të gjithë politikanët e Kosovës – në pozitë dhe në opozitë. Ata duhet t’i lënë anash betejat e ndyra për pushtet dhe të përqendrohen që së bashku të mbrojnë interesat vitale të shtetit. Sepse pa marrë parasysh kush është në pushtet dhe kush është në opozitë, çmimin e një marrëveshjeje të dëmshme do ta paguajnë të gjithë, e bashkë me ta edhe populli i Kosovës, me përjashtim të ndonjë trutrumcaku e mercenari “medial” që për interesa të ngushta më parë i duartrokit Serbisë sesa lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.