OpEd

BE-ja sillet sikur 5 vende ta kenë njohur Kosovën e 22 jo

BE-ja nuk ka unitet rreth Kosovës, sepse 5 shtete të saj anëtare kanë qëndrim pothuajse të njëjtë me Rusinë, e 22 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por në veprimet e BE-së nuk vërehet se shumica e madhe e shteteve e kanë njohur Kosovën, pasi veprimet e BE-së më shumë përshtaten me 5 që nuk e kanë njohur. BE-ja do të duhej ta përdorte emërtimin e Kosovës si shtet dhe në fusnotë, nëse insistohet që ajo të përdoret, të shprehë se “5 vende anëtare nuk e kanë njohur Kosovën si shtet”

Ka shumë çështje, sidomos në politikën e jashtme, rreth të cilave BE-ja nuk mund të flasë me një zë dhe për të cilat ka dallime të mëdha mes shteteve anëtare. Kjo ka ndikuar që roli politik i BE-së në botë të jetë shumë i vogël në krahasim me fuqinë e saj ekonomike. Prandaj edhe ka pasur ide që edhe në politikën e jashtme të kalohet në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar, e jo si deri tash me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare. Sepse gjithmonë del ndonjë vend i cili ka mendim ndryshe, ka interesa individuale dhe shpesh edhe i bllokon vendimet në BE. Sidomos tash kur roli dhe ndikimi i Rusisë, edhe i hapur edhe sekret, në disa shtete të BE-së është i madh. Nuk është sekret se Çekia ka një president pro-rus, se Hungaria dhe Qiproja bllokojnë shpesh vendimet për masa të rrepta kundër Rusisë, se Qeveria e mëhershme e Austrisë kishte ministra pro-rusë. Edhe disa shtete, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ndonëse besohet se e kanë bërë këtë për shkak të problemeve të brendshme, kanë qëndrime aq të ngjashme me Rusinë, saqë ka dyshime se edhe te to ka pasur ndikim Rusia.

Kosova dhe qëndrimet e BE-së ndaj statusit të saj janë një shembull i mirë i pafuqisë së BE-së që për një çështje, për të cilën thotë se për të është e rëndësishme, të flasë me një zë. Që nga viti 2007, kur doli Propozimi i Marti Ahtisaarit për statusin e Kosovës, filluan ndasitë brenda BE-së rreth kësaj çështjeje. Gjermania, e cila kishte kryesimin e radhës, dështoi që të ndërtonte këtë konsensus. Kur Sllovenia e kishte kryesimin e radhës në pjesën e parë të vitit 2008, në kohën kur Kosova shpalli pavarësinë, tashmë ishte e pamundur për këtë vend të vogël ta krijonte një konsensus për ta njohur Kosovën. 13 vjet më vonë vazhdon të jetë e njëjta situatë. Dhe jo vetëm se nuk kanë lëvizur vendet e BE-së drejt njohjes, por është fuqizuar pozicioni i tyre, e madje ato kanë marrë rolin kryesor në BE sa i përket Kosovës. Nuk mund të thuhet se 5 vendet e BE-së e kanë atë qëndrim të koordinuar me Rusinë. Por pa hezitim mund të thuhet se e kanë të njëjtin qëndrim për statusin e Kosovës sikur edhe Rusia. Kjo u pa edhe në bazë të një deklarate të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, se “për 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën do të jetë e pranueshme gjithçka që pranon Serbia”. Njësoj kanë thënë edhe përfaqësuesit e Rusisë tash e sa vite. Edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka thënë se Rusia do të pranojë gjithçka që pranon Serbia.

Me deklarata të tilla jo vetëm se nuk i bëhet presion Serbisë që ta njohë Kosovën, por ajo inkurajohet që të mos e njohë. Madje sikur i thuhet se, nëse Spanja e Sllovakia e njohin Kosovën, ky do të jetë faji i Serbisë, sepse ato nuk do ta bëjnë këtë nëse nuk e bën Serbia.

BE-ja dhe shumica e shteteve që e kanë njohur Kosovën kanë bërë një gabim të madh pse nuk kanë bërë presion ndaj shteteve të tjera anëtare që ta njohin Kosovën dhe në atë mënyrë t’ia lehtësojnë Serbisë njohjen po ashtu. Këtë është dashur ta kenë bërë shumica e madhe e BE-së dhe krerët e institucioneve në Bruksel, sidomos pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte dhënë mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim as me të drejtën ndërkombëtare e as me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. BE-ja edhe pas këtij mendimi i lejon shtetet anëtare që, njësoj sikur Rusia, ta arsyetojnë mosnjohjen e Kosovës me respektim të së drejtës ndërkombëtare.

Nuk janë të vërteta pohimet e zyrtarëve të BE-së se “BE-ja nuk i njeh shtetet, por këtë e bëjnë në mënyrë të pavarur dhe individuale shtetet anëtare”. Kur Kroacia dhe Sllovenia kishin shpallur pavarësinë, BE-ja nuk donte t’i njihte, së paku jo Kroacinë. Por Gjermania bëri presion dhe ato u njohën nga të gjitha shtetet anëtare. Kur Mali i Zi kishte shpallur pavarësinë, BE-ja kishte miratuar një qëndrim të përbashkët, ku u bëhej ftesë vendeve anëtare që “të vendosin me Malin e Zi raporte si me një shtet sovran”.

Kjo mungoi në rastin e Kosovës, edhe pse pavarësia e Kosovës ishte shpallur në koordinim të plotë ndërkombëtar, sidomos duke pasur parasysh qëndrimet dhe nevojat e BE-së. Por ishte BE-ja ajo që i tradhtoi të gjithë partnerët që nga fillimi, duke mos e pranuar as Propozimin e Ahtisaarit e as Kosovën si shtet.

Me përjashtim të Parlamentit Evropian, asnjëherë askush nga BE-ja nuk ka bërë thirrje për vendet anëtare që ta njohin Kosovën. Nuk kanë bërë as presion ndaj Serbisë deri sot për një gjë të tillë. Dhe kur në Serbi thonë se “janë nën presion ta njohin Kosovën”, e bëjnë këtë vetëm për t’u treguar të fortë para opinionit se kinse po u bëjnë ballë presioneve të mëdha e jo pse vërtet kanë pasur presion. Diplomatë të disa prej shteteve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën kanë thënë se asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë presion nga ndonjë shtetet tjetër, me përjashtim të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Edhe vetë këta diplomatë pohojnë se nuk është “pozitë e mirë” sepse, siç shprehen, “jemi në anën e gabuar të historisë”, duke menduar se janë rreshtuar me Rusinë, Serbinë, Kinën e Iranin rreth shtetësisë së Kosovës. Por nuk e kanë ndërmend ta ndërrojnë mendjen e as që ka kërkuar dikush një gjë të tillë nga ta.

Kosova nuk duhet të entuziazmohet se disa nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj duan “të forcojnë praninë dhe lidhjet me Kosovën”. Ato do të duhej ta njihnin Kosovën edhe për shkak të Kosovës e Serbisë, por edhe për të forcuar unitetin dhe kredibilitetin e politikës së jashtme të BE-së. Por që kjo të ndodhë duhet të ketë më shumë aktivitet nga shumica e madhe e vendeve që e kanë njohur Kosovën, e jo që çështja e Kosovës dhe e dialogut të saj me Serbinë t’u lihet diplomatëve të lartë që vijnë nga shtetet të cilat nuk e njohin Kosovën.

BE-ja nuk ka unitet rreth Kosovës, sepse 5 shtete të saj anëtare kanë qëndrim pothuajse të njëjtë me Rusinë, e 22 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por në veprimet e BE-së nuk vërehet se shumica e madhe e shteteve e ka njohur Kosovën, pasi veprimet e BE-së më shumë përshtaten me 5 që nuk e kanë njohur. BE-ja do të duhej ta përdorte emërtimin e Kosovës si shtet dhe në fusnotë, nëse insistohet që ajo të përdoret, të shprehë se “5 vende anëtare nuk e kanë njohur Kosovën si shtet”.

Të njëjtën gjë do të duhej ta bënte edhe NATO-ja, ku vetëm 4 shtete: Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa 26 e kanë njohur. Kur NATO-ja në dokumente përmendte Maqedoninë me shkurtesën “FYROM” shkruhej me fusnotë dhe në të sqarohej se “Turqia e njeh Republikën e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues”. Pra, Turqia ndahej me qëndrim nga shumica. Edhe tash do të ishte e udhës që NATO-ja ta përmendte Kosovën si shtet dhe, nëse duhet të ketë fusnotë, në të të shkruhej se “Rumania, Spanja, Greqia dhe Sllovakia nuk kanë raporte me Kosovën si shtet sovran”.

Mënyra se si sillen BE-ja dhe NATO-ja ndaj Kosovës nuk reflekton fare realitetin se shumica e madhe e vendeve anëtare e kanë njohur Kosovën, por lë përshtypjen sikur Kosova nuk ka status. Kjo duhet të ndryshojë para përmbylljes së dialogut dhe pa marrë parasysh dialogun, e jo të pritet rezultati i dialogut për të ndryshuar qëndrimet e BE-së dhe NATO-s. Me qëndrime të tilla, BE-ja nuk është as afër të jetë lehtësues i paanshëm në dialog, sepse njërën palë nuk e njeh si shtet e tjetrën po. E palës që e njeh si shtet, në këtë rast Serbisë, i jep të drejtë vetoje duke thënë se shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën do të pranojnë atë që pranon Serbia.