OpEd

Politika e Kinës me tre fëmijë nuk do të ndihmojë

Përveç rritjes së kufirit të natalitetit, politikëbërësit kinezë kanë pranuar se duhet të ulet edhe kostoja për strehim dhe të ofrohen subvencione për arsimim. Por, këto propozime mbeten të cunguara, ngase përnjëmend nuk ekzistojnë zgjidhje të thjeshta. Politikëbërësit kinezë duhet të jenë të kujdesshëm karshi aspekteve ekonomike të trendëve demografikë të vendit, bashkë me ndasinë e saj rurale-urbane – si dhe të shmangin përkeqësimin e një problemi edhe ashtu të vështirë

Në përpjekje për ta adresuar plakjen e shpejtë të popullatës, Kina veçse ka njoftuar se do t’ua lejojë të gjitha familjeve të kenë deri në tre fëmijë. Vendimi është marrë në kohën e shpalosjes së të dhënave të reja që tregojnë se shkalla kineze e natalitetit më 2020 ishte vetëm 1.3 për një grua, shifër kjo e ngjashme me atë të Japonisë (1.36 më 2019) dhe theksueshëm më e ulët se ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1.7).

Por shkalla skajshmërisht e ulët e natalitetit është vetëm njëra pjesë e problemit demografik të Kinës. Çështja e dytë është vetë numri i madh i popullatës së saj të moshuar.

Para 1971-s, politikat kineze të planifikimit familjar ishin krejtësisht pro-natalitetit, me kufizimet e qasjes në kontraceptivë dhe me edukimin për planifikim familjar. Si rezultat i kësaj, numri i të moshuarve të tanishëm dhe të atyre në të ardhmen e afërt është rritur në mënyrë drastike: numri i popullatës së moshave 15 deri 24-vjeçare është vetëm rreth 72 për qind i asaj të moshave 45 deri 54-vjeçare, krahasuar me 79 për qind në Japoni dhe 100 për qind në SHBA.

Kjo strukturë e ndërlikuar demografike e bën problemin e natalitetit në rënie akoma më të rëndë, shkaku se punëtorët më të rinj në moshë janë bërë më se të nevojshëm për t’i zëvendësuar ata që do të pensionohen dhe do të kenë nevojë për mbështetje.

Çështja e tretë është pabarazia në relacionin urban-rural. Popullatës rurale të Kinës përgjithësisht i ndalohet zhvendosja në rajonet urbane, me anë të sistemit “hukou” të lejeve rezidenciale në vend. Banorët e viseve rurale kësisoj kanë pasur përherë më pak mundësi për qasje në arsimim dhe përkujdesje shëndetësore. Në vitet 2010-2012, shkalla e regjistrimeve në shkolla në zonat urbane ishte 100 për qind për shkollat e mesme, 63 për qind për shkollat e larta dhe 54 për qind për Universitete; në viset rurale ishte 70, 30 dhe 2 për qind, respektivisht.

Po kështu, zonat urbane kishin nga 2.68 mjekë për çdo 1.000 banorë më 2008, krahasuar me vetëm 1.26 për 1.000 banorë në viset rurale. Jo befasisht, rajonet rurale vuajnë nga kushtet më të rënda shëndetësore, me pritshmëri më të ulët jetësore dhe shkallë më të lartë të sëmundjeve sesa në rajonet urbane.

Politikëbërësit kinezë priren t’i diskutojnë këto çështjeve veçmas. Por kjo qasje është e gabuar. Nataliteti i ulët, një trashëgimi kjo e politikave të para natalitetit të lartë, dhe ndasitë rurale-urbane ndikojnë në strukturën e moshës së popullatës, e cila i shkakton një bar të drejtpërdrejtë zhvillimi të kahershëm ekonomik të Kinës.

Rritja ekonomike varet konsiderueshëm nga cilësia e forcës punëtore. Nëse punëtorët nuk kanë qasje në përkujdesjen shëndetësore apo në arsimim e vende të punës, atëherë do të pësojë ekonomia. Kudo në botë, dallimet në cilësinë punëtore mund ta shpjegojnë rreth gjysmën e të gjitha dallimeve përreth shteteve në të ardhura dhe rritje.

Duke u thënë çifteve kineze se tash e tutje mund të kenë nga tre fëmijë nuk do ta rrisë automatikisht shkallën e natalitetit, dhe as nuk do të ndihmojë domosdoshmërisht në ballafaqimin me sfidat më të mëdha ekonomike. Nataliteti përcaktohet nga faktorët socioekonomikë, siç është kostoja e rritjes së fëmijëve dhe mundësive ekonomike që prindërit i parashikojnë për pasuesit e tyre. Këto kosto janë jashtëzakonisht të larta në Kinën urbane, ku çmimet e pronave të paluajtshme janë më të larta se në cilindo vend tjetër me nivel të ngjashëm të ardhurash.

Për më tepër, konkurrenca akademike është e madhe. Fëmijët dhe prindërit e tyre fillojnë ta ndiejnë presionin e testit mbarëkombëtar “gaokao” për pranime në universitete qysh në shkollën fillore. Një reformë e vitit 1999 që ka zgjeruar numrin e vendeve universitare mund ta ketë zbutur pjesërisht këtë presion, përveç se rritja e mundësive për punësim nuk e ka pasuar veprimin; shkalla e papunësisë mes të diplomuarve nga kolegjet është rritur vazhdimisht.

Prindërit urbanë përballen gjithashtu me barrën e përkujdesjes për vetë prindërit e tyre të moshuar. Kjo nuk është ndonjë detyrë e lehtë në një vend, ku pensionet janë të kufizuara dhe ku pak persona zhvendosen në komunitetet për të pensionuarit në një fazë më të vonshme të jetës. Pjesa më e madhe e kinezëve të moshuar presin që fëmijët e tyre të rritur të kujdesen për ta. Dhe shkaku që politika me një fëmijë në vend, e zbatuar nga 1979 deri më 2016, ishte zbatuar më ashpërsisht në rajonet urbane, shumica e prindërve të rinj urbanë rriten duke qenë fëmija i vetëm i familjes. Duke mos pasur vëllezër e motra për ta ndarë barrën, çiftet presin që ta kalojnë dekadën e ardhshme apo edhe një tjetër pas saj duke u kujdesur për prindërit, krahas fëmijëve të tyre. Me t’ia shtuar gjithë kësaj edhe dy fëmijë të tjerë vetëm sa do të rritej mesatarja e barrës së çifteve prej pesë shpirt në shtatë.

Për dallim prej kësaj, nataliteti është më i lartë në zonat rurale dhe kostoja e rritjes së një fëmije është më e vogël. Çmimi i pronave është më i lirë dhe vet fakti se aty ka më pak mundësi shkollimi nënkupton se prindërit duhet të shqetësohen më pak për kostot e arsimimit. Kinezët ruralë të moshave riprodhuese kanë shumë më tepër të ngjarë që të kenë vëllezër e motra, me të cilët mund të bashkëpunojnë për sa i përket kujdesit për prindërit e moshuar.

Nën të këtilla rrethana, leja dhënë familjeve për të pasur nga tre fëmijë pa bërë edhe ndryshime të tjera, sipas të gjitha gjasave, nuk do t’i gjeneronte rezultatet e synuara financiare. Për më tepër, gjërat edhe do të mund të përkeqësoheshin. Meqë popullata urbane nuk ka gjasa që të ketë më shumë fëmijë po qe se barra financiare e rritjes së fëmijëve dhe përkujdesjes për prindërit e moshuar nuk reduktohet, ajo që do të rritet është vetëm shkalla e natalitetit në zonat rurale. Dhe pa përmirësime në sistemin shëndetësor dhe të arsimimit në viset rurale, madhësia dhe hisja e popullatës së pakualifikuar punëtore do të rritet.

Forca punëtore me shkallë të rritur të punëtorëve të pakualifikuar është gjëja e fundit për të cilën Kina ka nevojë, teksa synon që t’i sfidojë kufijtë e inovacionit teknologjik. Derisa përmirësimi në shkolla dhe sistem publik shëndetësor nëpër viset rurale është i domosdoshëm (megjithëse i kushtueshëm), gjenerimi i vendeve të punës për të diplomuarit do të jetë shumë më i vështirë. Dhe pa punësime, të rinjtë nuk do të jenë në gjendje që të ndihmojnë në mbështetjen e popullatës së moshuar.

Politikëbërësit kinezë janë shprehur të vetëdijshëm për disa prej këtyre problemeve. Përveç rritjes së kufirit të natalitetit, ata kanë pranuar se duhet të ulet edhe kostoja për strehim dhe të ofrohen subvencione për arsimim. Por këto propozime mbeten të cunguara, ngase përnjëmend nuk ekzistojnë zgjidhje të thjeshta. Politikëbërësit kinezë duhet të jenë të kujdesshëm karshi aspekteve ekonomike të trendëve demografikë të vendit, bashkë me ndasinë e saj rurale-urbane – si dhe të shmangin përkeqësimin e një problemi edhe ashtu të vështirë.

(Nancy Qian është profesoreshë e Ekonomisë Menaxheriale dhe Shkencave Vendimmarrëse në shkollën për Menaxhim të Universitetit Veriperëndimor Kellogg, si dhe drejtoreshë e “China Lab”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).