Vështrime

Dy orë teatër me aktorin Aleksandër Vuçiq

Kur presidenti serb jep një intervistë dhe flet për shpezët politike dhe qoftet nga mishi i njeriut.

Kur presidenti serb jep një intervistë dhe flet për shpezët politike dhe qoftet nga mishi i njeriut.

Aleksandër Vuçiq sërish ishte mysafir në emisionin “Çirilica” të televizionit “Happy TV”. Foli rreth dy orë. Gazetari Millomir Mariq nuk shtroi pyetje. Ai që nga koha e komunizmit jugosllav shquhet për “talentin” e tij që politikanëve t’ua shtrojë qilimin e kuq në mënyrë që ata të recitojnë vjershat e tyre propagandistike. Në fillim të viteve 80-të Mariq pati intervistuar Franjo Tugjmanin, që atëbotë konsiderohej disident. Në vitet 90-të Mariq ishte kryeredaktor i revistës “Duga”, ku botonte kolumne gruaja e Sllobodan Millosheviqit, Mirjana Markoviq. Nga mesi i viteve 90-të në rrethana të pasqaruara vdiq gazetarja e “Dugës”, Dada Vujasinoviq. Vdekja e saj mbetet një enigmë e madhe në historinë më të re të Serbisë. Vujasinoviq kishte intervistuar Radovan Karaxhiqin, Vojisllav Sheshelin dhe Millan Babiqin, një stomatolog që u bë lider i serbëve të Kroacisë, të cilët synonin ta grabisnin së paku gjysmën e Kroacisë dhe ta bashkojnë me Serbinë e Madhe. Ka disa vite që Mariq e ka gjetur idhullin e ri: ai është Aleksandër Vuçiqi.

Sa herë që Vuçiq ka nevojë të vajtojë e të luajë lojëra teatrale publike, shfaqet te “Çirilica” e “Happy TV”. Mariqi është përherë gati. Kështu ishte edhe të hënën në mbrëmje. Skenari është përherë pothuaj i njëjtë: Serbia, sipas Vuçiqit, është nën presion të madh për shkak të Kosovës, Serbia është në rrezik, Serbia është e para në rajon, e para në Europë, e para në glob, e para në univers, por, për fat të keq, shumë shtete perëndimore janë xheloze ndaj sukseseve të Serbisë, andaj s’duan ta lënë rehat dhe i bëjnë presion, por, vazhdon Vuçiq, s’ka vend për panik, rrini të qetë serbë (dhe serbe!), sepse Vuçiq s’dorëzohet. Kështu fillon dhe mbaron monologu i Vuçiqit, i ndërprerë me fjalë të buta e të kujdesshme nga Mariqi, i cili afërsinë me presidentin nuk e fsheh fare dhe kjo vërehet kur i drejtohet me “ti”. Pse Perëndimi të jetë xheloz ndaj sukseseve të Serbisë? Një studim i vitit 2018 ka treguar se 1,2 milionë qytetarë të Serbisë mendojnë të largohen nga vendi. Në vitin 2020 një studim i një fondacioni gjerman tregoi se 66 për qind e të rinjve në Serbi synojnë të largohen nga vendi. Kur pyeten mbi motivin, ata thonë: shteti funksional dhe standardi jetësor.