OpEd

Kritikë pandemisë

Nuk duket sikur pandemia do të jetë një pikë kthese në histori. Shumë prej trendëve që ishin të dukshëm dy vjet më parë – rivaliteti në rritje i fuqive të mëdha, ngrohja e planetit, plakja e popullsive, shtetet e dështuara, prapambetjet demokratike, pasiguria kibernetike, zgjerimi i armëve bërthamore dhe terrorizmi – vazhdojnë të mbizotërojnë. Pandemia do të na dobësojë dhe shpërqendrojë për ca kohë, por po arrin me shpejtësi momenti kur sfidave të tjera do të duhet t’u jepet prioriteti që e kërkojnë

Janë bërë një vit e gjysmë që nga fillimi i jetesës me – dhe shumë shpesh edhe vdekjes – COVID-19. Ndonëse pandemia as që është afër fundit, nuk është tepër herët të hidhet një hap prapa dhe të nxirren disa konkluza preliminare nga përjetimet.

Një prej konkluzave që ka rezultuar të jetë veçanërisht sprovuese ndërlidhet me burimin e pandemisë. Fillimisht, virusi SARS-CoV-2 që e shkakton sëmundjen COVID-19 besohej gjithmbarshëm të ishte përhapur prej një tregu kafshësh në Wuhan të Kinës, pasi të ketë depërtuar prej një kafshe (mbase lakuriqi) te njerëzit, nëpërmjet një bartësi të ndërmjetëm.

Mirëpo, përherë e më shumë shkencëtarë dhe ekspertë besojnë tani se është po kaq e mundur (nëse jo edhe më shumë) që virusi të ketë rrjedhur aksidentalisht nga Instituti i Virologjisë në Wuhan.

Ka goxha shumë arsye të dyshohet në rrjedhjen aksidentale: lokacioni i institutit dhe puna e kahershme me koronavirusë; distanca e shpërthimit prej popullsisë së lakuriqëve; paaftësia për ta identifikuar bartësin ndërmjetës apo vatrat e hershme të rasteve jashtë krahinës Hubei; disa tipare fizike të virusit; dhe mbulimi i dëshmive si dhe refuzimi i Kinës për të bashkëpunuar plotësisht me hulumtuesit ndërkombëtarë. Krejt këto janë duke i ushqyer spekulimet dhe përqendrimin e vëmendjes së agjencive amerikane të inteligjencës, të cilat tani janë urdhëruar nga presidenti Joe Biden që t’i dyfishojnë përpjekjet për identifikimin e origjinës së COVID-19. Nëse narrativa e “rrjedhjes nga laboratori” del se pranohet gjithmbarshëm, atëherë do ta dëmtonte rëndë pozitën e Kinës në mbarë botën dhe do të mund të paraqiste një problem serioz politik për udhëheqjen e saj në vend.

Me të shikuar përreth botës dhe me t’i krahasuar performancat kombëtare në adresimin e pandemisë, ajo çfarë del se ka më së shumti rëndësi nuk është aq natyra e sistemit politik sa cilësia e udhëheqjes politike. Rusia, Brazili, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën Donald Trumpin kanë dështuar tërësisht, përderisa Tajvani, Zelanda e Re, Vietnami dhe SHBA-ja nën presidentin Joe Biden kanë kaluar relativisht mirë. Më shumë se çfarëdo tjetër, këto të dhëna sugjerojnë se liderët populistë performojnë më së keqi, mbase për shkak se priren t’i mohojnë faktet e papërshtatshme dhe u bëjnë ballë masave të nevojshme të zbatuara që mund t’u kushtojnë atyre me mbështetjen, në aspektin afatshkurtër.

Shumë vende në Azinë Lindore dhe Evropë dukej ta kenë pasur virusin nën kontroll, por tani janë duke përjetuar vështirësi. Testimet, distanca fizike dhe gjurmimi i kontakteve janë mjete të nevojshme, por të pamjaftueshme. Vaksinat efikase që mund të prodhohen dhe administrohen në numër të madh janë thelbësore.

Ky fakt bëhet evident nëpërmjet kthesës dramatike në SHBA, për të cilën administrata Biden gëzon merita të konsiderueshme. Në anën tjetër, administrata Trump duhet të duartrokitet ngase mori vendime që e shkurtuan kohën e zakonshme që nevojitej për zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave efikase.

Miratimi i disa syresh brenda më pak se një viti tregon se qeveritë kanë rëndësi dhe se bashkëpunimi mes sektorit publik dhe atij privat mund të jetë një formulë suksesi.

Pandemia ka treguar gjithashtu se siguria shëndetësore nuk është hiç më pak esenciale sesa siguria fizike për rritjen ekonomike. Aty ku pandemia po mposhtet, si në SHBA dhe Kinë, ka pasuar ringjallja ekonomike.

Teknologjia është dëshmuar si e paçmueshme në të paktën dy mënyra. Përveç zhvillimit të shpejtë të një gjenerate vaksinash të sigurta, teknologjia na ka ndihmuar në menaxhimin e jetëve tona personale dhe të bizneseve shumë më mirë sesa do të mundeshim vetëm tri dekada më parë, para arritjes së internetit me lidhje të shpejtë dhe kompjuterëve të fuqishëm që e lejojnë punën nga distanca.

Shifra aktuale e të vdekurve nga pandemia mund të jetë dy apo madje trefish më e lartë se 3-4 milionë sa evidentohen në të dhënat zyrtare, duke e pasur parasysh numrin e vdekjeve vitin e shkuar, krahasuar me atë të një viti më herët. Shumë vdekje “të tepërta” i janë atribuuar pandemisë, ngase qeveritë ose nuk janë të vullnetshme që ta pranojnë të vërtetën (kijeni këtu Rusinë në mendje) ose nuk janë në gjendje të ofrojnë llogaritje të sakta, veçmas kur vdekjet ndodhin jashtë spitaleve (ku mund të specifikohet boshllëku në raportimet në Indi).

Me gjithë muhabetet rreth “komunitetit ndërkombëtar”, pandemia ka ekspozuar mungesën e tij. Dështimi për të prodhuar dhe shpërndarë në mënyrë të barabartë një numër të mjaftueshëm të vaksinave është skandal. Kërkesa: çfarë mbetet është vullneti për furnizimin e nevojshëm. Rezistenca e administratës së Bidenit karshi eksporteve në sasi domethënëse të vaksinave është shkurtpamëse dhe zhgënjyese, sidomos pasi që furnizimi amerikan me vaksina e tejkalon theksueshëm kërkesën e brendshme.

Nuk ka arsye të mendohet se COVID-19 do të jetë pandemia e fundit. Përkundrazi, është pothuajse e sigurt se të tjera do të ketë, do të dalë një tjetër koronavirus i ri, apo diçka tjetër. Sado tragjike që kjo pandemi është dëshmuar të jetë, kostot e saj do të pakësohen po qe se qeveritë nisin të ndërtojnë institucione kombëtare dhe ndërkombëtare (duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, larg më të reformuar) që na ndihmojnë në menaxhimin e sfidës së ardhshme të kësaj përmase.

Dhe një pikë e fundit: Nuk duket sikur pandemia do të jetë një pikë kthese në histori. Shumë prej trendëve që ishin të dukshëm dy vjet më parë – rivaliteti në rritje i fuqive të mëdha, ngrohja e planetit, plakja e popullsive, shtetet e dështuara, prapambetjet demokratike, pasiguria kibernetike, zgjerimi i armëve bërthamore dhe terrorizmi – vazhdojnë të mbizotërojnë. Pandemia do të na dobësojë dhe shpërqendrojë për ca kohë, por po arrin me shpejtësi momenti kur sfidave të tjera do të duhet t’u jepet prioriteti që e kërkojnë.

(Richard Haass, kryetar i Këshillit për marrëdhënie me jashtë, është autor i librit “The World: A Brief Introduction”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)