OpEd

Zgjimi i gjigantit të gjelbër norvegjez

Dridhja nga COVID-19 i ka demonstruar rreziqet e ndërlidhura me varshmërinë e tepruar prej tregjeve të brishta të energjisë. Derisa gjiganti danez i energjisë “Ørsted” ka vazhduar kthimin e tij disadekadësh në të ripërtërishmet, “Equinori” i Norvegjisë është detyruar që t’i ulë dividendët dhe të grumbullojë më shumë borxh për t’i jetësuar zotimet bërë hisedarëve me gjithë të ardhurat e pamjaftueshme. Sikurse nikoqiri nga Danimarka, “Equinori” duhet të shndërrohet në një gjigant energjetik të orientuar kah misioni. Kjo e nënkupton mënjanimin e presionit ndaj menaxhmentit të tij për shpërndarjen e fitimeve mes hisedarëve, nëpërmjet rikthimit të statusit të tij si një kompani në pronësi të plotë shtetërore që përqendrohet në të ardhmen ekonomike të vendit

Përgjigjja ndaj emergjencës klimatike është sfidë për këdo, por veçmas për shtetet që janë ekonomikisht të varura prej ekstraktimit apo prodhimit të naftës. Dekarbonizimi ka krijuar mundësi për shumë shtete që ta ndjekin një revolucion të gjelbër industrial. Mirëpo derisa përherë e më shumë shtete po e përqafojnë këtë shteg drejt prosperitetit të ardhshëm, vlera e karburanteve fosile, teknologjive dhe kapaciteteve do të tretet, duke i kërcënuar vendet e punës, burimet nga eksporti dhe inovacioni industrial në ekonomitë e dominuara nga nafta.

Duke qenë mes këtyre ekonomive, Norvegjia – eksportuesja e tretë më e madhe e gazit natyror në botë – ballafaqohet me një sfide më unike. Ama, derisa struktura dhe investimet industriale të Norvegjisë janë më se të ndërlidhura me industritë dhe shërbimet e bazuara në karbon, teksa hidrokarboni ka numëruar rreth 36 për qind të eksporteve të përgjithshme më 2019, energjia e brendshme e vendit buron pothuajse tërësisht nga resurset e ripërtërishme (hidroenergjia). Ekonomia norvegjeze kësisoj do të jetë e arrirë për një transicion të gjelbër industrial, veç faktit se kërkesa globale në rënie për karburantet fosile do ta trazojë motorin e saj kryesor të rritjes.

“Përqendrimi” i Norvegjisë në karbon është një sindromë e sëmundjes holandeze – problemi i suksesit të një sektori dominues që shoqërohet me shpenzime për shumicën e sektorëve të tjerë. Meqë investimet në hidrokarbure kanë tkurrur investimet në industritë e tjera, sektori i karburanteve fosile tërheq talentet më të afta. Në të njëjtën kohë, përfitimi i jashtëzakonshëm në sektorët e naftës dhe gazit ka fryrë çmimet dhe ka rritur pagat në pjesën e mbetur të ekonomisë, duke krijuar vështirësi për ekspertët e tjerë.

Si rezultat i kësaj, Norvegjia ka qenë njëra prej humbëseve më të mëdha në OECD të hisesë së përgjithshme të tregut ndërkombëtar nëpër tregjet joeksportuese të energjisë, qysh prej fundit të viteve 1990. Deficiti i saj tregtar që nuk ndërlidhet me naftën është ngritur vazhdimisht që nga dekada e shkuar, ndërsa hiseja e sektorit të saj prodhues në ekonomi është tkurrur përgjysmë krahasuar me atë të vendeve të tjera nordike.

Që gjërat të shkojnë për më keq, një raport i fundit nga projektet e “Statistics Norëat” ka treguar se investimet në sektorin energjetik të Norvegjisë do të treten gjatë dekadës së ardhshme. Kësisoj, investimet vjetore në sektor kanë kapur vlerën mesatare prej rreth 20 miliardë dollarësh gjatë dekadës së shkuar, e kjo shifër pritet që të bjerë ndërmjet viteve 2025 dhe 2034 – edhe pa ndonjë politikë kufizuese për naftën.

Është e qartë, Norvegjia ka nevojë për një strategji të re industriale. Në një raport të fundit, ne kemi shpalosur se si vendi mund t’i përdorë resurset teknologjike dhe financiare të sektorit të naftës për t’u shndërruar në një “gjigant të gjelbër”. Mirëpo shkëputja prej ekstraktimit të naftës dhe kalimi në një drejtim më të gjelbër nuk do të ndodhë vetvetiu. Sfida bën thirrje për veprim të vendosur, por tejet të kalibruar në sektorin publik.

Qeveria nuk mund ta mikromenaxhojë procesin, ngase kësisoj do ta mbyste inovacionin; por nuk mundet as që vendet e punës t’ia lërë tërësisht tregut.

Në vend të kësaj, Qeveria duhet që ta përcaktojë një drejtim të qartë, duke bërë investime me rrezik të lartë në fazë të hershme, të cilat më vonë do të tërheqin akterë privatë, me anë të shpërblimit të atyre që janë të gatshëm për investim dhe inovacion. Në rastin e Norvegjisë, një strategji e gjelbër industriale duhet t’i orientojë burimet e konsiderueshme shtetërore financiare drejt investimeve në një bazë të re vendore industriale të përqendruar përreth teknologjive të energjisë së gjelbër.

Për ata që nuk e dinë, Norvegjia duhet ende që t’i kanalizojë burimet e pasurisë më të madhe sovrane në botë për financimin e transicionit të gjelbër, qoftë në aspektin e brendshëm apo në atë global. “Statens Pensjonsfond Utland” (SPU) e Norvegjisë është njëra prej investueseve më të mëdha në disa prej projekteve më shkatërrimtare në botë të karburanteve fosile, që aktualisht janë duke u planifikuar apo veçse janë në zhvillim. Një raport i kohëve të fundit ka paralajmëruar se vetëm 12 prej këtyre projekteve do të shfrytëzonin më shumë se tri të katërtat e buxhetit të mbetur botëror për karbonin, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë kufizimin e ngrohjes globale në 15 gradë celsius.

SPU-ja aktualisht operon nën rregullat financiare që e mandatojnë transferimin e të ardhurave të saja nga nafta në një fond të naftës dhe në investime gjetkë. Më pastaj, të ardhurat ngërthen gradualisht në ekonominë e brendshme me një shkallë mesatare vjetore prej 3 për qind të pronave të fondit. Duke e pasur parasysh kthimin e pritur vjetor të fondit prej 3 për qind, ai mund të përcaktohet me këtë ritëm pafundësisht.

Ky inovacion politik është dëshmuar efikas në kufizimin e presionit inflacionist të shkaktuar nga ekstraktimi i naftës teksa e ka pajisur Qeverinë me burime shtesë të të ardhurash. Por ajo që Norvegjisë i duhet tani është një financim i durueshëm afatgjatë për mbështetjen e diversifikimit ekonomik. Shkaku se korniza aktuale fiskale lejon që investimet e majme publike të mbahen jashtë buxhetit normal qeveritar, sëmundja holandeze e vendit është përkeqësuar si pasojë e krijimit të një shtegu të varshmërisë të përcaktuar prej naftës.

Nuk duhet të jetë kësisoj. SPU-ja mund të transformohet në një investitor të fuqishëm të orientuar kah misioni, si me prani të brendshme ashtu edhe globale. Në vend të përdorimit të të ardhurave nga nafta për rikapitalizimin e fondit të naftës, kjo rrjedhë e parasë mund të drejtohet në një Bankë të re publike të Investimit të Gjelbër, puna e së cilës mund të koordinohet me atë të fondeve të tjera publike dhe agjencive që punojnë në transicionin e gjelbër.

Sistemi kombëtar i inovacionit në Norvegji është i karakterizuar nga një hise e rëndësishme e pronësisë publike. Në një masë të konsiderueshme, shteti norvegjez ka në pronësi 67 për qind të kompanisë kryesore të industrisë norvegjeze të naftës “Equinor” (dikur “Statoil). Por derisa kompanitë norvegjeze në pronësi shtetërore dikur kanë luajtur rol kyç në krijimin e ekosistemit industrial për prodhimin e naftës, ato kanë dështuar që të zmbrapsen prej këtij roli për t’i prirë transicionit të gjelbër.

Në vend të riinvestimit të fitimeve të saja në energjinë e ripërtërishme, “Equinor” ka njoftuar më 2019 se do të shpenzojë 5 miliardë dollarë për riblerjen e vetë hiseve të saja deri më 2022.

Dridhja nga COVID-19 i ka demonstruar rreziqet e ndërlidhura me varshmërinë e tepruar prej tregjeve të brishta të energjisë. Derisa gjiganti danez i energjisë “Ørsted” ka vazhduar kthimin e tij disadekadësh në të ripërtërishmet, “Equinori” është detyruar që t’i ulë dividendët dhe të grumbullojë më shumë borxh për t’i jetësuar zotimet bërë hisedarëve me gjithë të ardhurat e pamjaftueshme.

Sikurse nikoqiri nga Danimarka, “Equinori” duhet të shndërrohet në një gjigant energjetik të orientuar kah misioni. Kjo e nënkupton mënjanimin e presionit ndaj menaxhmentit të tij për shpërndarjen e fitimeve mes hisedarëve, nëpërmjet rikthimit të statusit të tij si një kompani në pronësi të plotë shtetërore që përqendrohet në të ardhmen ekonomike të vendit.

(Mariana Mazzucato, profesoreshë e Ekonomisë për Inovacion dhe Vlerë Publike në kolegjin universitar të Londrës, është drejtoreshë themeluese e Institutit UCL për Inovacion dhe Qëllime Publike. Ajo është autore e librit “Mission Economy: A Moonshot Guide to Changing Capitalism”. Rainer Kattel është zëvendësdrejtor dhe profesor i Inovacionit dhe Qeverisjes Publike në Institutin UCL për Inovacion dhe Qëllime Publike. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)