OpEd

Kombet e Bashkuara të stilit evropian

Evropa ka dëshmuar shumë e shumë herë, zgjidhjet e dala nga proceset multilaterale priren që të jenë më përfshirëse, efikase dhe të qëndrueshme. Evropa ua ka borxh periudhën e saj më të gjatë ndonjëherë të paqes dhe stabilitetit pikërisht këtyre proceseve. Vetëm kjo gjë do të duhej ta kualifikonte BE-në për të ofruar mësime të çmuara për ringjalljen e OKB-së. Një OKB më gjithëpërfshirëse dhe më e fuqizuar, që i merr në konsideratë përvojat e BE-së do të mund t’i formonte themelet e forta për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla që i avancon paqen dhe stabilitetin global, teksa e lehtëson veprimin karshi sfidave të përbashkëta. Një institucion i tillë nuk ka se si të ishte më i denjë për përkushtimin dhe kujdesin tonë të palëkundur

Berlin/Washington – Shtatorin e shkuar, me rastin e 75-vjetorit të Kombeve të Bashkuara, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar një deklaratë historike rreth afirmimit të përkushtimit për “mobilizimin e burimeve” dhe “demonstrimin e vullnetit dhe udhëheqjes së pashembullt politike”, me qëllim të garantimit të “së ardhmes që e duam”. E ashtuquajtura Deklaratë UN75 ishte një deklarim frymëzues. Por, a do të shpjerë drejt ndryshimit kuptimplotë?

Historia sugjeron se do të mundej. Mbi të gjitha, përvjetorët e mëhershëm të themelimit të OKB-së kanë gjeneruar reforma domethënëse strukturore. Në përvjetorin e 60-të të OKB-së, për shembull, liderët botërorë kanë formuar Komisionin e Ndërtimit të Paqes për t’i ndihmuar vendet në transicionin nga lufta në paqe, kanë avancuar Komisionin e të Drejtave të Njeriut në një Këshill më të fortë të së Drejtave të Njeriut dhe kanë adoptuar doktrinën e “Përgjegjësisë për Mbrojtje” me qëllim që të ndihmohet në mbrojtjen e civilëve nëpër zona të konfliktit.

Përmirësimi i mëtejshëm i perspektivave të Deklaratës UN75 e shpërfaq faktin se ajo është një reflektim i vullnetit të shoqërisë civile. Në prag të Asamblesë së Përgjithshme të vitit të shkuar, OKB-ja ka ndërmarrë një sondazh global për të kuptuar se cilat janë shqetësimet e qytetarëve të thjeshtë. Prej më shumë se 1.3 milionë respondentëve, 87 për qind kanë thënë se bashkëpunimi ndërkombëtar është jetik për trajtimin e sfidave të së sotmes.

OKB-ja ka mbështetur gjithashtu më shumë se 3.000 procese të dialogut në 120 vende të botës për “të ardhmen që e duam, për OKB-në që kemi nevojë”. Rezultatet e këtyre proceseve – të cilat kanë ndodhur nëpër “klasa shkollore, salla, parlamente dhe grupe të komunitetit” – kanë ndihmuar në formësimin e deklaratës.

Në të njëjtën kohë, qeveritë kombëtare janë angazhuar në ringjalljen e bashkëpunimit multilateral. Për shembull, në prillin e 2019-s, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, dhe homologu i tij francez, Jean-Yves Le Drian, kanë lansuar Aleancën për Multilateralizëm me qëllim të promovimit të bashkëpunimit global në kohën e ngritjes së nacionalizmit.

Aleanca tani e gëzon mbështetjen e më shumë se 50 shteteve.

Po kështu, këtë fillimshkurt, liderët e G7-s, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, janë zotuar se do të punojnë bashkërisht për “ta bërë 2021-n vit të pikës së kthesës për multilateralizmin”. Bashkëpunimi në rimëkëmbjen nga pandemia dhe “ndërtimi sërish për më mirë” janë cilësuar si prioritetet numër një.

Vendet janë duke e mbështetur po ashtu Deklaratën UN75, me një theks të veçantë. Dy muaj pas adoptimit unanim të tij, dhjetë shefa të shteteve dhe Qeverive, të prirë nga Spanja dhe Suedia, kanë publikuar një deklaratë të përbashkët për përsëritjen e përkushtimit të tyre për Deklaratën dhe ambicien që ajo e ngërthen, si dhe kanë bërë thirrje për reformimin e tri organeve kryesore të OKB-së rreth krijimit të “një organizate më të shkathët, efikase dhe llogaridhënëse” që mund “të gjenerojë rezultate më të mira”.

Krejt këto përbëjnë një paralajmërues të mirë për të ardhmen e multilateralizmit. Por transformimi i fjalëve në vepra rrallë herë është i lehtë, sidomos kur në pyetje janë kaq shumë akterë me vizione dhe interesa konkurruese. Teksa forcat nacionaliste dhe populiste janë potente në shumë pjesë të botës, sfida që shfaqet është larg më e frikshme. Për t’u përballur me të, duhet t’i kthejmë sytë kah Evropa.

Bashkimi Evropian ka qenë një kampion i besueshëm i multilateralizmit. Në shkurt, për shembull, Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët në fuqizimin e kontributit të BE-së në multilateralizmin e bazuar në rregulla.

Po kështu, kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti francez, Emmanuel Macorn, kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u janë bashkuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe presidentit të Senegalit, Macky Sall, në thirrjen për një multilateralizëm më gjithëpërfshirës.

Udhëheqja evropiane në këtë fushë ka kuptim. Ndonëse BE-ja rëndom është përshkruar si e ngadaltë, e matur karshi rrezikut dhe jofleksibile, ajo ngrihet për suksesin e saj në krijimin e një politike efikase mbikombëtare dhe në bashkimin e burimeve për përballimin e sfidave të përbashkëta. Evropianët janë gjithashtu enkas mbështetës të bashkëpunimit ndërkombëtar. Në sondazhin e OKB-së, më shumë se 90 për qind e evropianëve – disa për qind të pikëve mbi mesataren globale – e kanë përshkruar bashkëpunimin ndërkombëtar si “tepër të rëndësishëm” apo “esencial”.

Duke u bazuar në shembullin e multilateralizmit aktiv të Evropës, organizatat tona – “Robert Bosch Stiftung GmbH” dhe “Stimson Center”, bashkë me partnerët e tjerë – kemi mbledhur së fundi politikëbërësit dhe ekspertët eminentë të Evropës dhe botës mbarë për të debatuar rreth asaj se si mund të përkthehet në realitet Deklarata UN75. Kemi identifikuar disa imperativë kyç.

Për shembull, me qëllim të zbutjes së presionit mbi Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe sistemit global humanitar, liderët botërorë duhet të ndërmarrin veprime për adresimin e shkaktarëve rrënjësorë të konflikteve. Kjo do të thotë, për shembull, garantimin e përmbushjes së nevojave bazike shoqërore; përmirësimin e përfaqësimit në politikë; dhe fuqizimin e institucioneve kombëtare dhe rajonale të qeverisjes.

Për më tepër, duhet ta trajtojmë “krizën e ekspertizës” – përfshirë skepticizmin në rritje për shkencën – e cila është duke i minuar programet e vaksinimit kundër COVID-19 dhe përpjekjet për zbutjen e ndryshimeve klimatike. Kjo gjë mund të arrihet nëpërmjet fushatave tejdepërtuese ndërkombëtare dhe kombëtare që e fuqizojnë besimin dhe e luftojnë dezinformimin.

Imperativi i tretë është që të ndryshohet arkitektura dhe qasja e institucioneve financiare globale dhe rajonale me qëllim të kapërcimit të boshllëqeve në participim digjital, fuqizim të arsimimit dhe përparimit drejt barazisë gjinore. Po kaq kritike janë reformat në kornizat ligjore dhe normative – për ballafaqimin e sfidave botës së sotme on dhe offline.

Zgjidhjet multilaterale mund të jenë të mundimshme për t’u sajuar, dakorduar dhe zbatuar. Kjo gjë mund t’i bëjë ato që të duken joefikase dhe joekonomike, teksa akterët do të mund të supozonin se do të kalojnë më mirë po qe se veprojnë të vetëm. Dhe megjithëkëtë, siç Evropa ka dëshmuar shumë e shumë herë, zgjidhjet e dala nga proceset multilaterale priren që të jenë më përfshirëse, efikase dhe të qëndrueshme. Evropa ua ka borxh periudhën e saj më të gjatë ndonjëherë të paqes dhe stabilitetit pikërisht këtyre proceseve.

Vetëm kjo gjë do të duhej ta kualifikonte BE-në për të ofruar mësime të çmuara për ringjalljen e OKB-së. Një OKB më gjithëpërfshirëse dhe më e fuqizuar që i merr në konsideratë përvojat e BE-së do të mund t’i formonte themelet e forta për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla, që i avancon paqen dhe stabilitetin global, teksa e lehtëson veprimin karshi sfidave të përbashkëta. Një institucion i tillë nuk ka se si të ishte më i denjë për përkushtimin dhe kujdesin tonë të palëkundur.

(Sandra Breka është anëtare e Bordit të Menaxherëve në “Robert Bosch Stiftung GmbH”. Brian Finlay është kryetar dhe shef ekzekutiv i Qendrës “Stimson”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).