OpEd

Mundësia klimatike e Bidenit në Amerikën Latine

Duke pasur parasysh shkallën e rënies ekonomike të Amerikës Latine në vitin 2020 - tkurrja e saj e bruto prodhimit të brendshëm prej 7.4 për qind ishte më e ulëta e çdo rajoni - shumica e udhëheqësve kombëtarë nuk u morën shumë me ndryshimet klimatike. Argjentina, Meksika dhe Peruja ende nuk kanë drejtuar një dollar të vetëm të shpenzimeve të rikuperimit drejt uljes së emetimeve të gazrave serë (GHG) dhe ndotjes së ajrit, sipas Projektit të Rimëkëmbjes Ekonomike të Universitetit të Oksfordit. Në vend të kësaj, shuma të mëdha kanë shkuar në industritë e karburanteve fosile të rajonit

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe pjesës më të madhe të Amerikës Latine po rimëkëmben pasi goditën fundin nën ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Por ndërsa administrata e presidentit Joe Biden është përqendruar në krizën e migracionit në Amerikën Qendrore, nuk duhet të humbë mundësinë për të drejtuar veprimet e nevojshme urgjente për klimën për të ndihmuar rajonin të rimëkëmbet pas pandemisë.

Duke pasur parasysh shkallën e rënies ekonomike të Amerikës Latine në vitin 2020 - tkurrja e saj e bruto prodhimit të brendshëm prej 7.4 për qind ishte më e ulëta e çdo rajoni - shumica e udhëheqësve kombëtarë nuk u morën shumë me ndryshimet klimatike. Argjentina, Meksika dhe Peruja ende nuk kanë drejtuar një dollar të vetëm të shpenzimeve të rikuperimit drejt uljes së emetimeve të gazrave serë (GHG) dhe ndotjes së ajrit, sipas Projektit të Rimëkëmbjes Ekonomike të Universitetit të Oksfordit. Në vend të kësaj, shuma të mëdha kanë shkuar në industritë e karburanteve fosile të rajonit.

Sot, ndërsa Amerika Latine po shkon drejt rimëkëmbjes, është jetike që qeveritë e rajonit të rreshtojnë strategjitë e tyre të rindërtimit me angazhimet e tyre sipas Marrëveshjes së Klimës së Parisit 2015. SHBA-ja mund të ndihmojë që kjo të jetësohet.

Për të kufizuar ngrohjen globale në këtë shekull nën 1.5 gradë celsius në krahasim me nivelet paraindustriale, vendet e Amerikës Latine, së bashku me pjesën tjetër të botës, duhet të përgjysmojnë emetimet e gazrave serë deri në 2030 dhe të arrijnë emetime neto deri në 2050. Ndërsa kjo është kohë e largët, ne kemi pjesën më të madhe të teknologjisë së nevojshme. Burimet e bollshme të energjisë së rinovueshme të rajonit, së bashku me elektrifikimin e transportit, mund të zëvendësojnë në masë të madhe mbështetjen në lëndët djegëse fosile, të cilat përbënin shumicën e emetimeve të GHG-së të Amerikës Latine në 2018. Një transicion i tillë do të zvogëlojë ndotjen e ajrit dhe do të tërheqë investimet e nevojshme për të ndihmuar kthimin e një rritjeje në papunësi dhe varfëri gjatë vitit të kaluar.

Sektori i ripërtëritshëm i Amerikës Latine tashmë po rritet me shpejtësi dhe përshpejtimi i transicionit të gjelbër do të nxisë rimëkëmbjen ekonomike. Ekonomistët thonë se deri në vitin 2030 rajoni mund të tërheqë 432 miliardë dollarë në investime të energjisë së rinovueshme, duke përjashtuar energjinë hidrike dhe kështu të kursejë miliarda në importet e naftës dhe gazit dhe në shpenzimet e kujdesit shëndetësor në lidhje me ajrin e ndotur.

Por përafrimi i sektorit të energjisë të Amerikës Latine me qëllimet e Marrëveshjes së Klimës së Parisit do të jetë i vështirë pa mbështetjen e SHBA-së. Kompanitë private dhe ato shtetërore të energjisë të angazhuara për prodhimin e naftës dhe gazit mbesin me ndikim, siç bënë të qartë pjesa e madhe e shpenzimeve stimuluese të alokuara atyre në Argjentinë, Kolumbi dhe Meksikë. Në të kundërt, buxhetet shtrënguese kombëtare përfshijnë pak para për autobusët elektrikë ose stacionet e karikimit për të inkurajuar adoptimin e përhapur të automjeteve elektrike.

Duke theksuar energjinë e rinovueshme në Amerikën Latine, SHBA-ja mund të ndryshojë në mënyrë dramatike sjelljen e energjisë së rajonit. Dhe udhëheqësit rajonalë pranojnë se bashkëpunimi për ndryshimin e klimës është një mënyrë e mirë për të forcuar lidhjet me administratën e Bidenit. Presidentët Alberto Fernández i Argjentinës dhe Ivan Duque i Kolumbisë dhe ministri kilian i Mjedisit, Carolina Schmidt, kanë biseduar tashmë me të dërguarin special të presidentit Biden për Klimën, John Kerry.

Ndryshe nga SHBA-ja, ndryshimi i klimës nuk është çështje partiake në Amerikën Latine, ku sondazhet tregojnë se 90 për qind e qytetarëve e konsiderojnë si një kërcënim serioz. Konferenca e Kombeve të Bashkuara për ndryshimin e klimës 2019, COP25, u zhvillua nën kujdesin e Qeverisë kiliane dhe disa vende nga rajoni përmbushën afatin e dhjetorit 2020 për të azhurnuar premtimet e tyre për uljen e emetimeve sipas Marrëveshjes së Parisit.

Samiti i Liderëve për Klimën gjatë 22 dhe 23 prillit do të jetë mundësi për të spikatur politikat e klimës të Barbadosit, Kilit, Kolumbisë Kosta-Rikës dhe Xhamajkës. Njëherësh, Bideni mund të nxisë edhe emetuesit më të mëdhenj të rajonit, Brazilin, Meksikën dhe Argjentinën, që të bëjnë më shumë për t’i ndërlidhur planet e tyre të rimëkëmbies me qëllimet e Marrëveshjes së Parisit dhe për t’i shmangur pakot për mbështetje të ekonomisë pa fosile.

Bideni mund ta përdorë samitin edhe për të artikuluar se si SHBA-ja do të hartojë një plan në faza për subvencionime të brendshme për heqje dorë nga përdorimi i energjisë së fosileve dhe për prodhimin e energjisë me fosile jashtë vendit. Në shenjë të pranimit të kostove ekonomike dhe shoqërore të këtij transicioni, ai do të mund të ofronte një mori nismash për të investuar në energji të përtëritshme, duke përdorur fondet e Bankës së Importit dhe Eksportit të SHBA-së. Këto investime do të mund të plotësonin boshllëqet me ndihmë të ofruar nga Banka Ndëramerikane për Zhvillim.

Duke mbështetur Amerikën Latine që të përdorë burimet e energjisë së ripërtëritshme, SHBA-ja do të mund të zgjeronte pjesëmarrjen e saj në njërin prej sektorëve më dinamikë të botës. DFC-ja radhitet e pesta në financimin e energjisë së ripërtëritshme si shtyllën e pestë në Amerikën Latine, duke lënë prapa “Banco Santander” të Spanjës dhe bankën zhvillimore gjermane KfW. “Eneli” i Italisë dhe “Actisi” i Britanisë janë operatorët më të mëdhenj të energjisë diellore dhe të erës në rajon, me AES-in në Shtetet e Bashkuara në vendin e shtatë. Kina është furnizuesi dominues i rajonit i teknologjisë diellore, dhe dy furnizuesit më të mëdhenj të turbinave të erës janë evropianë, larg para “General Electricut” në vendin e tretë.

Administrata e Bidenit e pranon këtë si mundësi të madhe. Në urdhra ekzekutivë, Bideni ka identifikuar luftën kundër ndryshimit klimatik si komponent themelor të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare amerikane, dhe është zotuar për bashkëpunim ndërkombëtar për të shkuar drejt përdorimit të energjisë së ripërtëritshme dhe heqjes dorë nga fosilet, sidomos në vendet në zhvillim. Për Amerikën Latine nuk ka kohë për të humbur. Deri tani politika rajonale e Bidenit është kuptueshëm se është dominuar nga kaosi në kufirin amerikan me Meksikën – krizë që rrënjët i ka në Salvador, Guatemalë e Honduras. SHBA-ja duhet të zgjerojë qasjen e vet në këtë rajon kritik dhe të kapitalizojë vullnetin e mirë që ka krijuar Bideni gjatë karrierës së tij. Dy zyrtarë të lartë amerikanë kanë vizituar së fundmi Amerikën Jugore për të diskutuar për çështje mjedisore. Raportohet se ata kanë folur për temat bosht të lidhura me klimën.

Pa mbështetjen e aleatëve kryesorë si Shtetet e Bashkuara, Amerika Latine do të ketë telashe që të avancojë transicionin e energjisë së pastër, sidomos nëse fokusohet në industritë e prodhimit të naftës dhe gazit në përpjekje për të rimarrë veten nga pandemia. Si alternativë, nismat dhe angazhimi diplomatik amerikan do të mund të përshpejtonin një transformim të gjelbër që u ofron mundësi të mëdha ekonomike dhe sociale edhe Shteteve të Bashkuara, edhe Amerikës Latine.

(Guy Edwards, ish-konsulent i lartë i Bankës Ndëramerikane për Zhvillim dhe ish-zëvendësdrejtor i Laboratorit për Klimë dhe Zhvillim në Universitetin Brown, është bashkautor i librit “A Fragmented Continent: Latin America and the Global Politics of Climate Change”. Benjamin N. Gedan, ish-drejtor i Këshillit kombëtar amerikan për Siguri në Amerikën Latine, është zëvendësdrejtor i Programit të Qendrës Wilson për Amerikën Latine dhe profesor në universitetin “Johns Hopkins”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).