OpEd

Prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës

Pas një periudhe relativisht të gjatë të një keqkoordinimi të diplomacisë kosovare, posaçërisht mes MPJ-së, Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë, tashmë është koha që të kemi një konsolidim të saj. Hartimi i një politike gjithëpërfshirëse ku rol të veçantë do të luajë procesi integrues i vendit në BE, NATO, por edhe në institucionet dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale, është më se i mirëseardhur.

Politika e jashtme e vendit ka nevojë për një rishikim funksional dhe koordinim shumë të ngushtë me partnerët strategjikë dhe euroatlantikë të Kosovës, me të cilët duhet gjetur një gjuhë të përbashkët rreth prioriteteve të politikës së jashtme të Kosovës, por edhe rreth vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku qëndrimet e Kosovës do të merreshin parasysh me seriozitetin më të madh, ku brengat, kërkesat dhe nevojat e Kosovës do të respektoheshin, por edhe ku Kosova do të tregonte një maturi të lartë dhe do të ishte e gatshme për të gjetur një zgjidhje që nuk e cenon integritetin territorial, e as nuk e rrezikon funksionimin institucional në tërë territorin e Kosovës.

Prioritetet e Kosovës duhet të jenë mirë të definuara, bindëse dhe lehtësisht të komunikuara, si me spektrin politik e vendor, ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë. Këto prioritete duhet të mbërthejnë interesin e Kosovës, rajonit dhe më gjerë.

Qasja e Kosovës duhet të ndryshojë. Për një kohë të gjatë vendi ynë ishte në defansivë diplomatike, kishim tërheqje të njohjeve në vend të njohjeve, kishim dështime të njëpasnjëshme të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, nuk e morëm liberalizimin e vizave, nuk tentuam ta ndërrojmë qëndrimin e pesëshes mosnjohëse, nuk zbatuam MSA-në dhe rrjedhimisht nuk kishim si të aplikojmë për status të shtetit kandidat. Por, tashmë është koha që Kosova të kalojë në ofensivë, të dëshmojë që ka energji dhe kapacitet të nevojshëm për të ndryshuar dhe imponuar një qasje të re në politikën e saj të jashtme.

MPJ-ja duhet ta krijojë një narrativë më ndryshe për Kosovën, të shpjegojë që anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare – si p.sh. në UNESCO – do ta ndihmonte Kosovën të bënte shumë më shumë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe në këtë mënyrë do ta ndihmonte në masë të konsiderueshme pajtimin ndëretnik.

Anëtarësimi në INTERPOL duhet të kuptohet nga të gjithë si kontribut i Kosovës për të siguruar një luftë më të mirë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Anëtarësimit i Kosovës do ta mundësonte zbatimin e aksioneve komplekse ndërkombëtare kundër krimit të organizuar, ku do të kishte hetime dhe arrestime, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj.

Po ashtu, anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta stabilizonte vendin, por edhe rajonin –për më tepër, do të ishte shembull i suksesit se si Kosova, një vend që para dy dekadash ishte në gjendje lufte, do të eksportonte siguri dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë.

Diplomacia kosovare duhet t’i identifikojë qartë dhe saktë qëllimet e veta, ta zgjerojë diapazonin e saj, të angazhojë jo vetëm diplomatë dhe staf të Qeverisë, por të krijojë kushte dhe të ftojë për bashkëpunim persona me influencë, si nga vendi, ashtu edhe nga diaspora, nga kultura, sporti, shkenca dhe biznesi. Qeveria e Kosovës në politikën e saj të jashtme duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të angazhojë çdo person që mund të ndihmojë, në këtë rast të shohë edhe drejt miqve ndërkombëtarë, të cilët ishin pranë Kosovës kurdo që Kosova kishte nevojë, t’i ftojë ata dhe të krijojë mekanizmat e nevojshëm për t’i angazhuar në promovimin e sfidave, prioriteteve dhe qëllimeve që vendi ynë ia ka vendosur vetes.

Një ndër institucionet ku Kosova do të mund të bënte më shumë është edhe Parlamenti Evropian, i cili javën e kaluar miratoi Raportin e Komisionit Evropian të vitit 2019-2020 për Kosovën, i cili u mbështet nga 471 euro-deputetë, ndërsa 109 ishin kundër tij. Ky raport u përcoll me një entuziazëm të ri, me ç’rast anëtarët e Parlamentit Evropian mirëpritën mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë si të rregullta dhe demokratike, kërkuan që Kosova të vazhdojë të sigurojë qëndrueshmëri politike, ku të gjitha partitë politike të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit dhe të vazhdojnë me punët e mbetura, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm.

Znj.Viola von Cramon, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, tha se "është koha që të gjitha shtetet anëtare të BE-së të bëjnë pjesën e tyre dhe të tregojnë përkushtimin për një të ardhme evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”. Për më tepër ajo shtoi se “Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja duhet ta njohin përfundimisht Kosovën”. Sa i përket liberalizimit të vizave, ajo i sugjeroi Këshillit të BE-së që “të hapë rrugën për udhëtim pa viza, pasi kriteret janë përmbushur prej kohësh, gjë që do të ishte një sinjal kuptimplotë për besueshmërinë e BE-së në të gjithë rajonin."

Jo vetëm te Parlamenti Evropian, por edhe te të tjerët vërehet që ka një momentum të ri të cilin Qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojë sa më mirë dhe sa më shpejt. Siç duket, edhe partnerët ndërkombëtarë besojnë që shumëçka mund të ndryshojë në Kosovë, e këtë e shohim edhe nga deklarata e urimet e shumta që i pranojnë liderët kosovarë. Për të shfrytëzuar dhe konfirmuar këtë momentum sa më mirë, rekomandohet që të fillohet nga procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, një proces tashmë i vonuar nga BE-ja. Fakt të cilin edhe pala evropiane është duke e pranuar si një premtim të parealizuar nga BE-ja. E, të vazhdohet mandej te prioritetet e tjera afatshkurtra dhe afatmesme.

Për ta realizuar sa më mirë këtë qasje të re, institucionet e Kosovës duhet ta kenë përkrahjen e të gjitha partive politike, shoqërisë civile, akademisë, komunitetit të biznesit, diasporës dhe mediave, pra nga të gjithë pritet të tregojnë maturi dhe të dëshmojnë që interesi për vendin është më i lartë sesa ai individual apo partiak – shkurt, të krijohet një konsensus mbarëkombëtar.

Qeveria e parazgjedhur ka një mori sfidash para vetes, nuk do të jetë lehtë, por prioritizimi i çështjeve dhe adresimi i tyre në aspektin strategjik është i domosdoshëm – një përhapje në të gjitha fushat do ta bëjë të pamundur arritjen e çfarëdo rezultati: prioritetet duhet të adresohen një nga një, me një hapërim mirë të koordinuar dhe sa më të sigurt.