Votuesit dhe votueset në Zvicër kanë përkrahur me 51,2 për qind ndalimin e burkës dhe nikabit, mbulesës së fytyrës që e bartin disa gra myslimane. Referendumit i parapriu një debat emocional. Qendrat urbane si Zürichu, Baseli dhe Berna votuan kundër, ndërsa kantonet konservatore dhe pjesa më e madhe e Zvicrës franceze votuan për ndalim. Burka dhe nikabi nga shumica e zviceranëve shihen si simbol i islamit politik dhe fanatik. Por një rol në motivet për ndalimin e tyre luajtën edhe ndjenjat antimyslimane – ashtu si më 2009, kur në Zvicër u ndalua ndërtimi i minareve
Në të ardhmen në Zvicër vlen parimi: fytyra nuk guxon të mbulohet. Kjo vlen për gra myslimane që bartin burkën apo nikabin, si dhe për huliganët (e futbollit). Votuesit dhe votueset në Zvicër kanë përkrahur të dielën me 51,2 për qind ndalimin e bartjes së burkës dhe nikabit.
Burka (sidomos versioni që bartet nga gratë afgane dhe pakistaneze) mbulon trupin dhe kokën. Para syve gjendet një lloj “shlici”, por edhe ky i mbyllur me një rrjet. Pra, gruaja me burka shikon përmes “shlicit” me rrjet. Ndalimi i burkës në Zvicër nënkupton edhe ndalimin e nikabit, pra shamisë që mbulon edhe fytyrën dhe bartet kryesisht nga disa gra arabe. Edhe gratë që bartin nikab shikojnë përmes një “shlici”, por pa rrjet. Nikabi shpesh bartet në kombinim me abajën, mantelin apo pelerinën tradicionale të grave arabe.
Në Zvicër është zhvilluar një debat emocional mbi atë se a duhet të ndalohet një veshje e tillë në jetën publike? A guxon shteti t’ua caktojë njerëzve rregullat e veshjes? Anketat tregonin se shumica e votuesve do të përkrahnin ndalimin e burkës (dhe nikabit). Një aleancë e çuditshme e përkrahu këtë ndalesë: partitë e djathta bashkë me feministet radikale laike dhe antiislamike. Kundër qenë partitë e majta, por edhe publicistë liberalë, të cilët theksonin se në Zvicër burka është fenomen jashtëzakonisht periferik. Sipas një vlerësimi në jetën publike, në Zvicër burkën (apo nikabin) e bartin mes 20 deri 30 gra. A ia vlen që për këto gra të shtohet një nen në Kushtetutën e Zvicrës që ndalon mbulimin me nikab dhe burka? Shumica mendon se po.
Qeveria e Zvicrës nuk e ka përkrahur direkt nismën, ajo propozoi që burka të mos ndalohet eksplicit, por gratë që e bartin atë të jenë të detyruara të tregojnë fytyrën gjatë kontrollit të biletës në tren apo në pika kufitare. Qeveria theksoi se çështjen e burkës duhet ta rregullojnë kantonet. Dy kantone (Tiçino dhe St. Gallen) tashmë e patën ndaluar burkën.
Një komitet i ekstremit të djathtë arriti t’i mblidhte mbi 100 mijë nënshkrime dhe kështu e imponoi referendumin në mbarë Zvicrën. Në këtë mënyrë funksionon demokracia direkte zvicerane: nëse dikush arrin t’i mbledhë 100 mijë nënshkrime, ai mund ta nxjerrë në referendum çdo temë, e cila bëhet ligj (nëse miratohet nga shumica e popullit). Njerëzit duhet të votojnë për apo kundër. Më 2009 zviceranët me referendum e kanë ndaluar ndërtimin e minareve në Zvicër. Atëbotë Zvicra qe bërë temë e të gjitha mediave botërore dhe ishte kritikuar sidomos nga vendet myslimane.
Sa i përket referendumit të së dielës mbi burkën dhe nikabin: qendrat urbane si Zürichu, Baseli dhe Berna votuan kundër, ndërsa kantonet konservatore dhe pjesa më e madhe e Zvicrës franceze votuan për. Burka dhe nikabi nga shumica e zviceranëve shihen si simbol i islamit politik dhe fanatik. Por një rol në motivet për ndalimin e tyre luajtën edhe ndjenjat antimyslimane – ashtu si më 2009, kur në Zvicër u ndalua ndërtimi i minareve. Zvicra franceze tradicionalisht voton më shpesh majtë se pjesa tjetër e Zvicrës. Por në lidhje me burkën dhe nikabin zviceranët frëngjishtfolës janë të ndikuar nga debati mbi islamin në Francë, ku është ashpërsuar dukshëm klima dhe dhuna e fanatikëve myslimanë, së fundi kjo dhunë u pa me vrasjen e një arsimtari të historisë nga një ekstremist islamist.
Në viset shqiptare fenomeni i grave që bartin nikab është tejet, tejet, tejet periferik. Por nuk është joekzistent. Ka raste kur gra të tilla bien në sy – në rrugë, dyqane, lagje që konsiderohen si vatra të besimtarëve të regjur myslimanë. Po të mbahej në Kosovë një referendum i tillë si në Zvicër – cilat do të ishin shanset për ndalimin total të nikabit (dhe burkës)? Kjo pyetje është hipotetike, por mbase ia vlen të diskutohet. A do të kishte sukses një nismë e tillë në Parlamentin e Kosovës (meqë Kosova nuk e njeh demokracinë direkte si Zvicra dhe a ka kandidatë për deputetë që në Kuvendin e ardhshëm do të lansonin një nismë të tillë)?
Përveç Zvicrës burkën e nikabin i kanë ndalur totalisht edhe Franca dhe Austria. Disa kritikë të referendumit të së dielës në Zvicër theksojnë se organizatorët tani mund të koncentrohen në një fushatë për ndalimin e shamisë në hapësirën publike apo së paku në shkolla. Ndonëse ekstremizmi islamik në Zvicër nuk është aq i theksuar si në vende të tjera të Evropës, ai nuk është joekzistent. Në qytete si Winterthuri afër Zürichut autoritetet e sigurisë viteve të fundit kanë regjistruar aktivitete të dendura të fanatikëve islamikë, mes tyre edhe shqiptarë. Disa kanë vajtur në Siri për të gjetur parajsën dhe ato 72 virgjëreshat, por atje kanë lënë kockat për hesape të “Shtetit Islamik”, disa të tjerë janë të kyçur në rrjetet islamike transevropiane. Sipas mediave zvicerane, dy të rinj nga Winterthuri (njëri me origjinë shqiptare) kanë takuar në Vjenë terroristin Kujtim F., i cili vjeshtën e kaluar në kryeqytetin austriak vrau 4 veta dhe plagosi mbi 20 të tjerë.