Vështrime

Prioritet apo jo, dialogu do të zgjasë edhe shumë vjet

BE-ja mund të pohojë se në dialog është “neutrale”, por ajo nuk është neutrale ndaj Kosovës dhe Serbisë. Sepse Serbinë e konsideron si shtet e Kosovën jo. Kjo dëshmohet edhe me “hartat zyrtare të BE-së”, ku kufiri mes Kosovës dhe Serbisë nuk konsiderohet si kufi ndërshtetëror. Kohëzgjatja e dialogut deri tash dhe pohimet se “nuk do të ketë afate artificiale kohore” dëshmojnë se as për BE-në dialogu nuk është ndonjë prioritet i madh. Dhe ndaj Serbisë nuk ka presion për ta njohur Kosovën, së paku jo nga BE-ja. Prandaj dialogu, prioritet apo jo, do të zgjasë edhe shumë vjet

Në Kosovë është bërë zakon që të entuziazmohen kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaron se “pret presion të madh ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën”. Nuk janë mësuar ende me lojërat e Vuçiqit, që i bën me shumë sukses për opinionin e brendshëm. Ndaj Serbisë nuk ka dhe nuk duket se do të ketë së shpejti ndonjë presion për ta njohur Kosovën. Kur ai flet për “presione të tmerrshme ndaj Serbisë”, e bën këtë qëllimisht për të thënë më pastaj se ai “u bëri ballë të gjitha presioneve me sukses”. Fjala presion nënkupton kërkesa të prera me përmendjen e pasojave se çfarë do të ndodhë nëse ato nuk përmbushen. Presion për shembull Shtetet e Bashkuara i bënë Kosovës përmes ambasadorit Grenell, duke kërcënuar me ndaljen e fondeve investive për vendet më të pazhvilluara të botës, në kuadrin e një nisme amerikane. Presion është ajo që BE-ja i bëri Kosovës për të ratifikuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi sepse, në të kundërtën, nuk do të liberalizoheshin vizat. Vizat në fund nuk u liberalizuan, as pas përmbushjes së këtij kushti “të fundit”. Presion ishte kur Kosovës iu tha ta bekojë Gjykatën Speciale për gjykimet e krimeve të supozuara të UÇK-së, pra një gjykatë “kosovare”, ku kosovarët do të jenë vetëm të akuzuarit.