Vështrime

Rrënimi i mbështetjes së impiçmentit

Trumpi mund t’i ketë shpëtuar dënimit në Kongres për nxitjen e trumës vrastare drejt sulmit në Capitolin e Amerikës, por megjithëkëtë, duket qartë se ai do të mbahet përgjegjës lidhur me këtë nga vetë historia

Dështimi i Senatit amerikan për ta dënuar Donald Trumpin rreth nxitjes së kryengritjes së 6 janarit në Capitol, për të cilën akuzë Dhoma e Përfaqësuesve e kishte shpallur fajtor, e lë të hapur pyetjen nëse Kongresi ka ndonjë mjet efikas për ta mbajtur përgjegjës një president për veprime kundër Kushtetutës.

Etërit themelues të shtetit ishin kujdesur që t’ia parandalonin një presidenti ushtrimin e kompetencave të tija deri në pikën e shndërrimit, faktikisht, në një mbret. Nën Trumpin, sistemi kushtetues i Amerikës kishte të ngulitur në zemër një kamë: një president që refuzoi të pranonte se i kishte humbur zgjedhjet dhe që ishte i gatshëm të përdorte turmën për ta sulmuar fizikisht një institucion që u shërbente të gjithëve.