OpEd

E sfidoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës

A mund të përfaqësojë një deputet vullnetin e popullit të një pakice etnike në Kuvend, duke e fituar këtë mandat me votat e kontrabanduara të një komuniteti tjetër?

Dje, në procesin zgjedhor ka ndodhur një anomali e pazakontë dhe një precedent shumë i rrezikshëm, i cili e devijon vullnetin qytetar për t’u përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Rasti konkret është me përfaqësimin e komunitetit boshnjak në Kuvend. Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja deri më sot, në orën 12:00, partia fituese në komunitetin boshnjak është Ujedinjena Zajednica - Adrijana Hodzic me 6.379 vota; partia e dytë është Koalicija Vakat me 5.667 vota; partia e tretë është NDS me 2.760, partia e katërt është SDU me 2.431 vota dhe partia e pestë që rangohet është NASA Iniciativa me 1.287 vota. Në total, 18.524 vota boshnjake, gjithnjë sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja deri më sot, më datë 15.2.2021, ora 12:00.

Problemi kryesor është për faktin se në zgjedhjet parlamentare në vitin 2019 numri i përgjithshëm i votuesve boshnjakë ka qenë 12.421; në vitin 2017 ka qenë 11.450; në vitin 2014 ka qenë 11.970, ndërsa në zgjedhjet e para parlamentare që nga Pavarësia e Kosovës, më 2010, kanë qenë 11.194 votues boshnjakë. Pra, sipas këtyre statistikave nga KQZ-ja, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 në krahasim me zgjedhjet e kaluara kemi një rritje enorme (të dyshimtë) të votuesve boshnjakë, nëse e zbërthejmë në shifër i bie rreth 6.103 votues të rinj. Më në detaje e keni të paraqitura në grafikat 1 dhe 2.

Shtrohet pyetja: A është brenda normales të ketë rritje të numrit të votuesve boshnjakë për më pak se 1 vit e 5 muaj, duke e krahasuar me numrin total të votuesve boshnjakë në vitin 2019?

Për ta zbërthyer edhe më shumë këtë anomali e bëra një analizë të votave, të cilat i ka fituar Ujedinjena Zajednica - Adrijana Hodzic (e deklaruar si boshnjake), e cila për herë të parë garon në zgjedhjet nacionale në Republikën e Kosovës dhe i fshin përpara të gjitha partitë e tjera boshnjake.

Nga 6.379 vota të fituara në total, del që 5.575 vota apo 87.39% nga totali i votave të tyre i ka marrë në 10 komuna me shumicë serbe në Republikën e Kosovës. Se si janë të shpërndara këto vota në komunat me shumicë serbe, mund ta gjeni në detaje në grafikën 3, që është pjesë e këtij postimi.

Një krahasim tjetër interesant është që nëse i minusojmë 6.379 votat e UZ-AH nga totali i votuesve boshnjakë, sa janë 18.524, rezultati na del që janë 12.145 vota për 4 parti të tjera boshnjake, e ky numër përputhet jashtëzakonisht mirë me numrin e përgjithshëm të votuesve boshnjakë duke i krahasuar votuesit boshnjakë në zgjedhjet parlamentare në vitet 2019, 2017, 2014 dhe 2010.

Shtrohen pyetjet:

Ku ishin këto vota boshnjake në 4 palë zgjedhje të kaluara?

A ekzistojnë apo janë fiktive ato?

Po ashtu nëse i krahasojmë rezultatet zgjedhore të Listës Serbe, deri sot në orën 12:00 ka fituar 43.746 vota, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2019 ka fituar plot 53.861 vota, pra një diferencë prej 10.115 votave më pak në këto zgjedhje. Ku kanë mbetur këto vota? Dyshimi im është se janë shpërndarë qëllimisht te partitë e tjera minoritare, të cilat do t’i kontrollojnë në Kuvend.

Shtrohen pyetjet:

A është votuar Ujedinjena Zajednica- Adrijana Hodzic me votat serbe, specifikisht nga Lista Serbe?

A konsiderohet ky manipulim i procesit zgjedhor dhe ndërhyrje direkte nga Beogradi zyrtar?

Sipas këtyre rezultateve zgjedhore, Ujedinenja Zajednica - Adrijana Hodzic së paku tani për tani do të fitojë një mandat në Kuvend, me gjasë të madhe ta fitojë edhe mandatin e dytë (votat me postë nga Serbia nuk janë numëruar ende) të komunitetit boshnjak, duke i përjashtuar ta fitojnë me mëritë mandatin e deputetes, znj. Duda Balje dhe znj. Emilija Redzepi nga një proces jofer zgjedhor.

Në krejt këtë fenomen bizar, çka është më e rëndësishmja dhe problemi kryesor është pyetja: Vetëm pse një kandidate deklarohet se është boshnjake dhe regjistrohet në KQZ për të garuar në zgjedhje, ndërsa nga rezultatet del se 87.39% te votave te përgjithshme i merr nga komuniteti serb, a mund të përfaqësojë vullnetin dhe interesat e komunitetit boshnjak ne Kuvend, për faktin se ajo nuk ka mbështetje reale të këtij komuniteti. Pra, a është ky mandat i fituar brenda frymës se Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që 3 vende janë të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit boshnjak.

Ftoj KQZ-në, Prokurorinë e Kosovës, Policinë e Kosovës, AKI-në dhe të gjitha institucionet relevante të fillojnë një hetim të thellë në lidhje me këtë manipulim që ka ndodhur në procesin zgjedhor, specifikisht vetëm me votat e komunitetit boshnjak.

Ftoj të gjitha partitë boshnjake që kanë garuar fer në këto zgjedhje: SDU Socijaldemokratska Unija; NAŠA Inicijativa; Demokratska Stranka Bošnjaka - Koalicija Vakat dhe Nova Demokratska Stranka të bëhen bashkë dhe ta dorëzojnë në KQZ një ankesë të përbashkët.

Ftoj të gjitha partitë shqiptare dhe të komuniteteve të tjera joshumicë ta përkrahin këtë iniciativë, që ka për qëllim mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ftoj bashkësinë ndërkombëtare jashtë dhe përfaqësitë e tyre brenda në Kosovë të reagojnë dhe dënojnë këtë sulm dhe shtrembërim te demokracisë.

Ftoj mediat t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë në publikimin e këtij lajmi dhe ta informojnë drejt publikun e Kosovës.

Ftoj shoqërinë civile të përkrahë këtë iniciativë dhe po ashtu ta dënojë këtë manipulim tendencioz.

Ftoj juristët dhe njohësit e mirë të Kushtetutës dhe akteve normative në Kosovë të më ndihmojnë ‘pro bono’ me ndihmë juridike në këtë betejë ligjore, që ka për qëllim mbrojtjen e rendit kushtetues dhe parandalimin e shtrembërimit të demokracisë në Republikën e Kosovës.

Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës ta dënojnë këtë akt të ulët, dhe te mos e paragjykojnë komunitetin boshnjak, sepse ato vota nuk janë realisht të boshnjakëve dhe znj. Adrijana Hodzic nuk përfaqëson vullnetin dhe interesat e komunitetit boshnjak në Kosovë.

Faleminderit për mirëkuptim!

Me respekt,

Anell Bajra – pjesëtar i komunitetit boshnjak në Kosovë

Analiza 2 (vazhdimi)

Në tabelën e parë shihen votat që i kanë fituar veç e veç partitë boshnjake në komunat me shumicë serbe gjatë zgjedhjeve në vitet 2019, 2017, 2014 dhe 2010.

Image

Ne grafikën e dytë mund ta konstatoni edhe vetë fluksin abnormal të votuesve "fiktivë" boshnjakë nëpër po të njëjtat komuna me shumicë serbe në vitin 2021. Në këtë diagram paraqitet diskrepanca jashtëzakonisht e madhe dhe e dyshimtë e votuesve te "rinj" që kryesisht kanë përfunduar për Ujedinjena-Zajednica Adriana Hodzic!

Image

Image