Ndër vite kemi qenë dëshmitarë që shumica e partive politike shpenzojmë më shumë fonde sesa u ndahen atyre nga buxheti i Kosovës çdo vit, mjete të cilat arrijnë në më shumë se 4 milionë euro dhe bazohen në përfaqësimin e numrit të vendeve të fituara në Kuvend për një mandat. Se partitë politike nuk gëzojnë transparencë dhe menaxhim të duhur financiar, u vërtetua edhe nga gjetjet e auditimit të raporteve financiare të partive politike, që u realizua për herë të fundit në vitin 2017.
Thirrja për auditorë u hap dy herë gjatë vitit 2018, por Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike në Kuvendin e Kosovës nuk arriti të përzgjedhë një të tillë, sepse munguan oferta nga kompanitë që ofrojnë këtë shërbim. E për këtë u tha se arsyeja kryesore ishte buxheti i vogël i alokuar për këtë aktivitet.
Në mesin e shumë problemeve aktuale në Kosovë është shumë e rëndësishme të kujtojmë pasivitetin e madh të Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së fundit, dhe si pasojë dështimin e miratimit të një numri ligjesh shumë të rëndësishme. Agjenda ambicioze e Kuvendit parashihte miratimin e 146 ligjeve, por nuk u arrit as rreth 11% e tyre të miratohej, duke karakterizuar kështu Kuvendin si pasiv dhe jofunksional. Një nga projektligjet shumë të rëndësishme që mbeti peng në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nuk arriti të dalë në fazën e dytë të leximit është ai për Financimin e Partive Politike.
Financimi i partive politike shpesh shfaqet si temë diskutimi në diskursin politik, por asnjëherë nuk trajtohet me seriozitetin e merituar nga palët relevante. Edhe raporti i fundit për vendin nga Komisioni Evropian konkludon se financimi i partive politike në Kosovë mbetet jotransparent dhe se shumica e partive të përfaqësuara në Kuvend kanë parregullsi të mëdha të menaxhimit të financave. Në këtë linjë i njëjti propozon që institucionet përkatëse të bëjnë shumë më shumë përpjekje që partitë politike të kenë një transparencë të dëshiruar, konform ligjit dhe standardeve e vlerave demokratike.
Tashmë një kohë Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka iniciuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Partive Politike. Ky projektligj është modifikuar me propozimet e Komisionit të Venecias, si dhe ato të shoqërisë civile në Kosovë. Projektligji ka kaluar në lexim të parë në Komisionin për Buxhet dhe Financa, si dhe në Kuvendin e Kosovës. Projektligji i prezantuar i eliminon hapësirat për shpërdorim dhe rrit mundësinë për përmirësimin e transparencës financiare të subjekteve politike. Po ashtu Projektligji ndalon hapësirën për klientelizm më të madh të partive politike dhe ndërlidhjen e bizneseve me pushtetin politik. E kjo ndërlidhje e shpeshtë në Kosovë është e pashëndetshme për një demokraci të re.
Projektligji gjithashtu ka ndaluar edhe mundësinë e rritjes së tavanit me financim me para në dorë për partitë politike, si dhe përcakton që çdo kontribut tjetër, në formë jofinanciare, duhet të faturohet në mënyrë të rregullt sipas vlerës së tregut dhe të raportohet si i tillë. Gjithashtu vlerat mbi 50 euro të cilat u dhurohen partive politike nga persona fizikë apo juridikë do të duhej të raportoheshin për burimin dhe shpenzimin e tyre. Pra, në përgjithësi, ky projektligj do të sillte një transparencë të shtuar dhe një standard më të lartë të financimit të partive politike.
Por ky projektligj nuk u mirëprit nga subjektet politike në Kosovë, madje u konsiderua edhe si burokratik dhe vështirë i zbatueshëm në praktikë. Në një nga seancat e Kuvendit, me një qasje shqetësuese, që të gjitha partitë pa përjashtim vlerësuan së ky projektligj duhet të ndryshohet në masë të madhe me arsyetimin se disa nga dispozitat duhet të mos jenë aq rigoroze sesa që janë propozuar. Këto tendenca të partive politike janë të rrezikshme dhe hapin rrugë për ndryshime të cilat shkojnë në favor të partive politike.
Bazuar në problemet e vazhdueshme në lidhje me transparencën dhe integritetin financiar të partive politike del të jetë fundamentale nevoja për miratimin e këtij projektligji sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe shoqërisë civile. Madje ky projektligj duhet të jetë një ndër prioritetet e legjislaturës së re, pa ndryshime sipas preferencave të partive politike. Përfundimisht, partitë politike duhet t’i përqafojnë vlerat demokratike dhe standardet ndërkombëtare dhe të angazhohen seriozisht në adaptimin e këtij projektligji ashtu siç edhe është rekomanduar. Vetëm një përkushtim serioz dhe një vullnet i mirëfilltë politik mund të përmirësojë transparencën financiare të partive politike, e cila mbetet një problem i vazhdueshëm në Kosovë.
(Autorja është hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike. Ky editorial ështëshkruar në kuadër të projektit “Promovimi i transparencës së financimit të partive politike në Kosovë: theks i veçantë mbi reformën zgjedhore në Kosovë”, zbatuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe financuar nga National Endowment for Democracy – NED)