Vështrime

E vërteta pas Trumpit

Normaliteti është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Bideni do të përpiqet që të mos gënjejë, duke qenë, atëherë kur duhet, ekonomik me të vërtetën. Por ai po ashtu kurrë nuk do t’i zbardhë të vërtetat esenciale, sikurse ato që Trumpi herë pas here lejoi që t’i rrëshqitnin. E vërteta, kësisoj, do të mbetet nën rrethim të ekspertëve që shërbejnë në administratën e re dhe të trumpizmit – lëvizje kjo e pagëzuar sipas politikave toksike të mbështetura nga të vërtetat e rreme ekonomike të këtyre ekspertëve

Kundërshtarët e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, e quajnë atë gënjeshtar. Por Trumpi është larg më keq se të qenit një gënjeshtar. Shumë politikanë gënjejnë për t’i mbuluar të vërtetat e papërshtatshme. Mirëpo Trumpi mund të shënojë sekuenca të gjata të rrenave sypërlotëse me vërtetësinë që asnjë president tjetër nuk do ta pranonte kurrë, nga hedhja poshtë e pikëpamjes dominuese të globalizimit si një dobi e pakontestueshme, e deri te pranimi se, po, ai po mundohet që ta shpërblejë Shërbimin Postar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’ua vështirësuar demokratëve votimin.

Shkencëtarët kanë goxha arsye për ta festuar largimin e Trumpit, gjykuar prej lehtësimit të tyre evident se tani mund t’i prezantojnë të dhënat epidemiologjike nga podiumi i Shtëpisë së Bardhë, pa iu frikësuar ndëshkimit. Por, për të përcaktuar nëse mund të presim ringjalljen e gjithmbarshme të së vërtetës nën presidentin Joe Biden, duhet që si pikë e parë të kujtojmë se si shoqëritë tona e dallojnë fare të vërtetën.