OpEd

Trashëgimia e kushtueshme e Donald Trumpit

Derisa bota veçse po bëhet më e rrëmujshme, dhe derisa ndikimi i SHBA-së tanimë është lëkundur, Trumpi i përshpejtoi dramatikisht që të dy këta trendë. Ajo që shihet qartë krejt në fund është se ai po largohet nga posti duke e lënë vendin dhe botën në gjendje larg më të keqe sesa që e trashëgoi. E kjo është trashëgimia e tij e hidhur

Më në fund mund të themi me plot besim se presidenti amerikan, Donald Trump, do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, sado pa dëshirë, më 20 janar.

E derisa katër vjetëve të tij në krye të detyrës po u vjen fundi, nuk është tepër herët të ngrihet pyetja se si do të mbahet ai mend.

Historia do të gjykojë se Trumpi ka qenë një president amerikan me shumë pasoja, pasi që i la Amerikën dhe botën në ndryshime të thella. Ai gjithashtu do të shihet si njëri prej presidentëve më të këqij, nëse jo më i keqi ndonjëherë.

S’do mend, Trumpi i ka realizuar edhe disa gjëra të dobishme. Në aspektin e brendshëm, ai i çoi përpara politikat – uljen e shkallës tepër të lartë të tatimeve për korporatat; zbutjen e disa prej rregullimeve tejet të ashpra – që duket se i kanë kontribuuar ngritjes së fuqishme ekonomike.

Në rrafshin e politikave të jashtme atij i takojnë meritat për vënien e politikave amerikane kundruall Kinës përherë më represive, më të fuqishme e më kategorike në një drejtim më të kthjelluar. Ai kishte gjithashtu të drejtë kur i ofroi armë për mbrojtje Ukrainës, duke pasur parasysh se një pjesë e këtij vendi është nën okupimin rus.

Negocimi i një pakti të ri tregtar me Meksikën dhe Kanadanë, dhe pastaj bindja e Kongresit për ta miratuar atë, ishte një e arritur domethënëse, ani pse përmirësimi i shënuar prej tij në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës Veriore (NAFTA) ishte modest dhe se pjesët kryesore të ujdisë së re ishin nxjerrë nga teksti i Partneritetit më të gjerë Trans-Paqësor që Trumpi e refuzoi në mënyrë të pamatur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur po ashtu një rol të çmuar në ndërmjetësimin e ujdive për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe disa fqinjëve të tij arabë, nëse nuk merret parasysh dështimi për të shënuar përparim në çështjen palestineze. Por këto dhe çdo tjetër arritje janë minimizuar krejtësisht prej atyre që Trumpi i bëri gabim.

Janë tri dështimet që spikaten në veçanti. E para është dëmi që ai i ka shkaktuar demokracisë amerikane. Ngjarjet e 6 janarit të 2021-s, kur një turmë e mbështetësve të Trumpit rrethoi dhe okupoi Capitolin, ishin kulmimi i përpjekjeve të presidentit për t’i demonizuar mediat, për t’i shkelur normat e vendosura, për t’i promovuar gënjeshtrat, për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e gjykatave dhe për t’i mohuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale që e kaluan çdo test serioz të legjitimitetit.

Nxitja dhe përkrahja prej Trumpit e aktiviteteve të paligjshme dhe dhunës ishin kashta e fundit. Sa për dijeni, jo i gjithë faji këtu bie mbi Trumpin, ngase askush nuk i shtrëngoi kaq shumë pushtetmbajtës republikanë që ta ndjekin shtegun e tij të minimit të legjitimitetit të fitores së presidentit të zgjedhur, Joe Biden. Ata që e aktivizuan Trumpin nëpërmjet mbështetjes së tyre politike dhe financiare e bartin përgjegjësinë për zaptimin e vazhdueshëm ndaj elementeve kritike të funksionimit të çdo sistemi demokratik.

Sidoqoftë, ajo që e dallon këtë incident të populizmit amerikan prej episodeve të mëparshme është se ishte projektuar nga Zyra Ovale e jo jashtë saj.

Çështja e dytë përcaktuese është COVID-19. Shpërthimi i koronavirusit dhe përhapja pasuese ishin dështim i Kinës, por përgjigjja e paaftë dhe joadekuate e Trumpit është ajo që shpjegon pse 400.000 amerikanë do të mund të vdesin nga sëmundja deri në largimin e tij nga detyra.

Përgjigjja e çalë e SHBA-së ka shkaktuar gjithashtu humbjen e miliona vendeve të punës dhe zhdukjen e bizneseve (disa përhershëm), ngecjen prapa në mësime të miliona studentëve, dhe që qeveritë dhe njerëzit përreth botës ta humbin respektin për Amerikën.

Ka shumëçka që administrata Trump do të mundej dhe do të duhej të bënte për ta trajtuar koronavirusin. Ndonëse i takojnë meritat për rolin në përshpejtimin e zhvillimit të vaksinave kundër COVID-19, kjo e arritur ishte minuar pjesërisht nga dështimi për ta aranzhuar dërgimin e tyre efikas. Administrata ka dështuar gjithashtu për ta përçuar mesazhin konsistent për nevojën e bartjes së maskave mbrojtëse, ndërkaq as nuk ka siguruar që personeli mjekësor të ketë pajisjet e nevojshme mbrojtëse apo të ofrojë mbështetje esenciale federale për zhvillimin e testeve të mjaftueshme efektive.

Kontrasti i theksueshëm me përgjigjet relativisht të suksesshme në Tajvan, Australi, Zelandë të Re, Gjermani, Vietnam dhe Kinë nënvizojnë se një shpërthim viral nuk duhej të kishte shpjerë në pandemi dhe qartazi jo në atë të një shkalle të përjetuar në SHBA.

Për ironi, Trumpi qartazi pati frikë se me prioritarizimin e betejës kundër COVID-19 do ta dobësonte ekonominë dhe t’i minonte gjasat e tija për rizgjedhje, kur në fakt ishte dështimi i tij për ngritje karshi kësaj sfide ai që e minoi vetë atë.

Dështimi i tretë që do ta përcaktojë trashëgiminë e Trumpit ishte e natyrës së politikës së jashtme që e minoi pozitën e Amerikës në gjithë botën. Në njëfarë forme, ky rezultat u ka diçka borxh atyre arsyeve të numëruara më sipër: sulmi i tij ndaj demokracisë dhe dështimi për ta luftuar efektshëm COVID-19.

Por politikat e jashtme të Trumpit kanë dështuar gjithashtu në vetë terrenin e tyre. Koreja Veriore ka shtuar rezervat e saja bërthamore dhe ka ndërtuar raketa edhe më të shumta e edhe më të mira me gjithë diplomacinë personale të Trumpit me Kim Jong-unin. Irani ka shkurtuar kohën që do t’i duhej për zhvillimin e armëve bërthamore pas tërheqjes së njëanshme të administratës Trump nga pakti bërthamor i 2015-s. Diktatura e Venezuelës është edhe më e fuqizuar dhe Rusia, Siria e Irani kanë rritur ndikimet përreth Lindjes së Mesme, pasi që Amerika i tërhoqi trupat dhe mbështetjen për partnerët lokalë.

Në aspektin më të gjerë, tërheqjet e SHBA-së nga marrëveshjet dhe institucionet ndërkombëtare u bënë shenja dalluese e politikave të jashtme të Trumpit, siç u bënë edhe kritikat e tija për aleatët evropianë dhe aziatikë të Amerikës, lajkatimet për liderët autoritarë dhe shpërfillja ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut. Rezultat i prodhuar ishte tkurrja e ndikimit të SHBA-së në skenën botërore.

Trumpi ka trashëguar një sërë marrëdhëniesh, aleancash dhe institucionesh që, sado të papërkryera të jenë, për 75 vjet radhazi kanë krijuar një kontekst, në bazë të së cilit janë shmangur konfliktet mes fuqive të mëdha, demokracia është zgjeruar dhe pasuria e standardet jetësore janë rritur. Duke i përqafuar nacionalizmin, unilateralizmin dhe izolacionizmin nën petkun e sloganit “Amerika në rend të parë”, Trumpi bëri krejt çka mundi për t’i prishur shumë prej këtyre marrëdhënieve dhe aranzhimeve pa vënë në vend të tyre asgjë më të mirë.

Do të jetë e vështirë – nëse jo e pamundur – që krejt ky dëm të riparohet dikur shpejt. Trumpi nuk do të jetë më president, por do të mbetet figurë me ndikim në partinë republikane dhe në vend. Derisa bota veçse po bëhet më e rrëmujshme, dhe derisa ndikimi i SHBA-së tanimë është lëkundur, Trumpi i përshpejtoi dramatikisht që të dy këta trendë. Ajo që shihet qartë krejt në fund është se ai po largohet nga posti duke e lënë vendin dhe botën në gjendje larg më të keqe sesa që e trashëgoi. E kjo është trashëgimia e tij e hidhur.

(Richard Haass është kryetar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë dhe autor i librit: “The World: A Brief Introduction”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)