Vështrime

Mjedra, respiratorë dhe ikona e vjedhur: një kronikë nga Bosnja

Si ecën punët në Bosnjë vitin e kaluar? Tri skandale si ilustrim për zymtësinë politike të këtij vendi.

1. Vallja e viktimës me mohuesin e gjenocidit
Në vitin që iku Bosnjë-Hercegovina s’mund të ankohej për një gjë: për mungesë aferash politike dhe korruptive. Një nga skandalet më të mëdha politike ndodhi bash në Srebrenicë, qytetin ku forcat serbe më 1995 kryen gjenocid. Bego Bektiqi, lider lokal i partisë socialdemokrate (SDP) - dhe i mbijetuar i gjenocidit serb - u zbulua duke kryer veprime të paligjshme për të mundësuar votimet në mungesë me qëllim që në postin e kryetarit të Srebrenicës të rizgjidhet Mlladen Grujiçiqi nga partia serbe SNSD.